1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE sërish kontrollon veprimtarinë e Microsoft

BE po mban qëndrim të ashpër kundrejt asaj që e konsideron sjellje anti-konkurruese nga ana e Microsoft, i cili mund të gjobitet deri në 7 miliardë dollarë. DW bën një vëzhgim në problematikat e Microsoft në Evropë.

Nuk ka gjë më frustruese sesa të mos jesh në gjendje për të mundësuar që kompjuteri yt të punojë siç duhet. Por kur jeni softueri gjigand Microsoft, problemet teknike nuk janë thjesht të bezdisshme. Ato mund të kushtojnë miliona euro, nëse jo miliarda.

Së fundmi, Microsoft pranoi se kishte "një gabim teknik" në softuerin e tij. Kjo kërcënoi një marrëveshje më të hershme me regullatorët e konkurrencës evropiane. Më pak se 5 vite më parë, Bashkimi Evropian goditi kompaninë me bazë në SHBA me në një total gjobash që kapnin shifrën e 1.68 miliardë eurove (rreth 2.2 miliardë dollarë).

Si pjesë e zgjidhjes përfundimtare, Microsoft siguroi rregullatorët e BE-së, se do të adresonte shqetësimet rreth sjelljes anti-konkurruese. Defekti i tanishëm famëkeq i softuerit e ka lënë sigurinë mënjanë. Dhe Microsoft po përgatitet për gjoba të rënda. Në fakt, çështja e vetme e mbetur është se sa i ashpër do të jetë penaliteti. BE-ja nuk është e përgatitur për të përjashtuar gjobën maksimale prej 5 miliardë eurosh (afërsisht 7 miliardë), thuajse 10% e të ardhurave vjetore të Microsoft-it.

"Zbehja e madhështisë" së Internet Explorer

Në qendër të shqetësimeve fillestare antitrust të BE-së është web browser-i i Microsoft, Internet Explorer. Sot, përhapja e tij në tregun evropian vlerësohet të jetë një rënie në afro 25%, nga 90% i dhjetë viteve më parë. Atëherë, Komisioni Evropian (Ekzekutivi i BE) u shqetësua se Microsoft po kufizonte konkurrencën e browser-it me anë të shpërndarjes falas të Internet Explorer nga sistemet e tij operative.

Këto shqetësime çuan Komisionin në vendosjen e gjobave të mëdha ndaj Microsoft. Por ajo çka është më e rëndësishme, përmes një zgjidheje relativisht të shpejtë jo-gjyqësore, Komisioni u angazhua për të ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së Internet Explorer.

Microsoft ra dakord që t´u siguronte klientëve të tij evropianë të ashtuquajturën faqe "ballot box". Përdoruesve që instalonin Microsoft, do t´u jepej mundësia të zgjidhnin ndërmjet 12 web browser-ave, duke përfshirë edhe Internet Explorer. Por gjërat shkuan tmerrësisht keq. "Ballot box" nuk u shfaq në ekranet e klientëve në periudhën kohore shkurt 2011-korrik 2012.Për 17 muaj, Microsoft nuk e mbajti detyrimin që kishte në marrëveshjen jo-gjyqësore. Për pak kohë, u duk se autoritetet e BE-së nuk e vunë re këtë fakt.

Logo Apple Google Microsoft, DW-Montage, eingepflegt: September 2010

"Thupra" e madhe e BE-së

Komisioni po mban një qëndrim të ashpër në lidhje me çështjen e konkurrencës. Ai akuzoi së fundmi gjigandin kompjuterik Apple për atë që konsiderohet çmimi fiks në librat elektronikë (e-books), me katër kompanitë më të mëdha botuese.

Motori i kërkimit Google gjithashtu po përballet me zemëratën e rregullatorëve të BE-së, të cilët kanë shprehur shqetësimin se kompania po mbështetet në mbizotërimin e saj në treg për të bllokuar kundërshtarët. Hetimet ndaj Apple dhe Google pritet të mbizotërojnë axhendën e konkurrencës së Komisionit në muajt e ardhshëm. Dhe kjo është arsyeja se pse Komisioni pritet të jetë i ashpër me Microsoft. Duhet që ai t´i dërgojë një mesazh kësaj kompanie se marrëveshja jo-gjyqësore duhet të merret seriozisht. "Në vend që të kalojmë përmes procedurave shumë të gjata, të cilat do të çonin në beteja gjyqësore, ne besojmë se duke arritur marrëveshje të tilla, mund t´u sjellim konsumatorëve përfitime më të shpejta," tha Antoine Colombani, zëdhënës i Komisionerit Evropian të Konkurrencës.

Megjithatë, me teknologjinë që ecën kaq shpejt, Komisioni e gjen tashmë veten në një pozitë të pazakontë të imponimit të gjobave ndaj Microsoft për çëshjet e konkurrencës, të cilat nuk ekzistojnë më. Me popullaritetin e web-browser si Firefox dhe Chrome, Internet Explorer nuk tërheq më vëmendjen e rregullatorëve.

Por nuk është e rëndësishme panorama aktuale, thotë Dr. Mario Mariniello nga Qendra Studimore Bruegel, me bazë në Bruksel. Ka të bëjë me zbatimin e marrëvëshjes fillestare, për të cilën Komisioni argumenton se prej saj mund të përfitojnë konsumatorët.

"Është e qartë se aktorët ndryshojnë me kalimin e kohës," thotë Mariniello. "Tani ka arritur në pikën ku ne duhet të verifikojmë nëse veprimi që është marrë në ato kohë, ka pasoja për momentin. Dhe është çasti i duhur gjithashtu, që t´u dërgohen sinjale aktorëve të rinj kyç," shton ai.