1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE: Së bashku kundër Erdoganit?

Po shtohen zërat e politikanëve evropianë që kërkojnë që shtetet e BE ta ndalojnë së bashku qeverinë turke të mbajë manifestime elektorale edhe në Evropë. Ky propozim bart në vetvete shanse dhe rreziqe njëkohësisht.

Kush duhet të ndihet i provokuar nga fjalimet elektorale të politikanëve turq: shtetet e veçanta evropiane apo i gjithë BE? Kancelari i Austrisë, Christian Kern e quajti "me vend një mënyrë të përbashkët veprimi të BE, për t'i penguar dalje të tilla në fushatën elektorale". Me këtë ai përvijoi dimensionin e sfidës: fjalimet në fushatën elektorale të politikanëve të huaj janë një fenomen relativisht i ri në shtetet e BE. Dhe meqenëse bëhet fjalë për politikanët e një shteti të madh - Turqia ka rreth 80 milionë banorë - fjalime të tilla kanë peshë të konsiderueshme politike. Prandaj Evropa duhet të veprojë së bashku, u shpreh Kern. Një ndalim i fjalimeve të tilla në të gjithë Evropën mund të pengojë që disa vende si Gjermania të ndodhen nën presionin e Turqisë.

Ngjashëm u shprehën në fundjavë edhe politikanë gjermanë. Po sa i mundur është një pozicion i përbashkët i BE përballë Turqisë? I përjashtuar ai nuk është, por për momentin ka pak gjasa që ai të ndodhë, tha Raphael Bossong nga Instituti Gjerman për Politikën Ndërkombëtare dhe Sigurinë (Stiftung Wissenschaft und Politik). Ai nuk beson që një mobilizim i llojit të tillë mund të kthehet në një strategji të rregullt të qeverisë turke. "Nëse një gjë e tillë do të përsëritet dhe nëse nga kjo krijohet në plan afatmesëm një krizë, e nxitur edhe nga sanksione serioze kundër Holandës, atëherë një pozicion i përbashkët evropian do të bëhet i domosdoshëm."

Fjalë të ashpra

Veçanërisht në Gjermani gjendja nuk duhet të shkallëzohet më tej, thotë Bossong. Pikërisht kjo është arsyeja pse Kancelarja Merkel ende nuk është shprehur për çështjen e një pozicioni të përbashkët evropian. Merkeli vërtet shprehu solidaritetin e saj me Holandën dhe e mori atë në mbrojtje përballë sharjeve të Erdoganit. Por ndaj veprimeve të përbashkëta - si ndalimeve për të hyrë në shtetet e BE - ajo ka qendrim të rezervuar, supozon Bossong. Shkaqet janë të dukshme: "Kjo nxit si populistët turq, ashtu edhe ata evropianë."

Sepse nëse evropianët do të përgjigjeshin me instrumente të tilla, atëherë Erdogani mund t'i akuzojë ata edhe më tepër për një qendrim gjoja antiislamik. Dhe populistëve evropianë do t'u vinte për hosh çdo konflikt me politikanët islamikë. Që tani është e vështirë që të rikthehesh në format normale të komunikimit. "Përballë ashpërsisë së gjuhës së përdorur e ke të vështirë ta përfytyrosh si mund të dalësh prapë nga një tren i tillë, po të jetë vënë ai në lëvizje njëherë."

Keqpërdorim i minoriteteve në politikën e jashtme

Njëkohësisht konflikti me BE prek një pikë, që mund të kthehet në çështje delikate për një sërë shtetesh: instrumentalizimi politik i minoriteteve. Manifestimet - të pakta në numër - në Rotterdam si dhe atmosfera euforike gjatë daljeve në fushatën elektorale të politikanëve turq në Gjermani lënë të kuptosh se disa politikanë mund ta përdorin praninë e bashkëatdhetarëve të tyre në botën e jashtme fare mirë si mjet presioni.

Të parat që e ndienë këtë ishin Gjermania, Austria dhe Holanda - shtetet e BE me numrin më të madh të minoriteteve turke. Se si mund të kthehen në top loje të politikës së jashtme minoritetet, kjo doli në pah edhe në konfliktin e Ukrainës. Deri sot, Rusia e argumenton politikën e saj ndaj vendit fqinj edhe me "mbrojtjen" e nënshtetasve rus. Edhe në Estoni dhe Letoni ekziston shqetësimi se minoriteti rus - që përfaqëson një të tretën përkatësisht një të katërtën e gjithë popullatës - mund të përdoret nga Moska si pretekst për një mënyrë më të ashpër veprimi përballë fqinjëve më të vegjël. "Më e mira është që hë për hë të mbahet një qendrim i rezervuar" nga ana e BE, thotë Bossong.