1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE ruan unitetin në krizën e Ukrainës

BE ka vendosur sanksione të reja kundër personave të veçantë. Masa më të ashpra ndëshkimore do të ketë javën që vjen, nëse Rusia e vazhdon kursin e saj në krizën e Ukrainës. BE ndjek edhe më tej rrugën diplomatike.

Ministrat e Jashtëm të BE e shtrëngojnë edhe pak më fort darën për Rusinë. Lista e personave, nga Rusia apo Krimeja, të cilëve nuk u lejohet të hyjnë në BE apo që u janë bllokuar llogaritë rrjedhëse në BE, është zgjatur edhe më tej. Për momentin në të janë emrat e 33 personave. Me këtë BE reagon ndaj trazirave dhe demonstratave më të fundit në Ukrainën Lindore, të cilat, sipas mendimit të njëzëshëm të ministrave të Jashtëm në Luksemburg mbështeten dhe drejtohen nga Rusia, për ta destabilizuar vendin. "Këto përpjekje për ta destabilizuar Ukrainën duhet të ndërpriten. Ne e mbështesim shprehimisht sovranitetin dhe unitetin e Ukrainës. Ne i kërkojmë Rusisë që të bëjë të njëjtën gjë", tha e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton në fund të konsultimeve, të cilat zgjatën më shumë seç qe planifikuar.

Sanksionet ekonomike ndoshta javën e ardhshme

Për vendosjen e sanksioneve më të forta, ministrat e jashtëm të BE nuk ranë dakord. Por shkalla e tretë e sanksioneve, me pasoja të ndieshme ekonomike mbetet në sirtar. Më parë, BE dëshiron të presë të enjten në Gjenevë rezultatin e takimit katërsh të përbërë nga BE, SHBA, Ukraina dhe Rusia. "Ky është një rast i rëndësishëm për Rusinë që të tregojë se është e gatshme ta shtensionojë situatën", tha ministri i Jashtëm britanik, William Hague dhe shtoi: "Por duhet thënë se në sjelljen ruse nuk vërehej asgjë e tillë. Prandaj është e drejtë, qe ne vendosëm sot sanksione shtesë." Sanksionet e shkallës së tretë, të cilat përmbajnë ndalime importesh për mallra ruse dhe një embargo armësh do të vendosen vetëm nëse Rusia nuk tregon lëvizje as në takimin katërsh në Gjenevë, thanë ministrat e jashtëm të BE.

Ministri i Jashtëm i Lukesmburgut, Asselborn dhe Catherine Ashton

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Asselborn dhe Catherine Ashton

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius foli për një telefonatë të presidentit francez, Francois Hollande me presidentin amerikan, Barack Obama. "Po të jetë e nevojshme, ne mund të mbajmë javën e ardhshme një takim të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, për të vendosur sanksione të reja. Synimi ynë francez dhe evropian mbetet shtimi i presionit ndaj Rusisë, pa e bërë të pamundur një zgjidhje diplomatike", tha Laurent Fabius.

"Ne ecim drejt një skenari si ai i Krimesë", u shpreh ministri i Jashtëm i Letonisë, Linas Linkevicius. Gadishullin ukrainas të Krimesë, e pushtuan ushtarë rusë pa simbole nacionale në uniforma. Pas një referendumi, Rusia e pranoi Krimenë në territorin e saj shtetëror.