1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE pronocohet lidhur me murin në Mitrovicë

BE-ja thotë se në të dy anët e murit do të ngihen shkallët që do të sigurojnë lirinë e lëvizjes për qytetarët e Mitrovicës.

Punimet për vazhdimin e revitalizimit të urës mbi lumin Ibër janë ndërprerë përkohësisht, ndërkohë, që mbetet e paqartë akoma, se çfarë do të bëhet saktësisht me murin, që u ndërtua në pjesën veriore të urës së Ibrit dy ditë më parë nga serbët e këtij qyteti. Kundërshtimet ishin të ashpra nga qeveria e Kosovës, e cila tha se muri do të shembet, ndërsa kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakic, tha se muri është vetëm pjesë mbrojtëse e një shetitoreje që do të ndërtohet në atë pjesë. Kjo situatë e nxiti Bashkimin Evropian për të dërguar në Prishtinë urgjent një delegacion për të qartësuar situatën dhe për të biseduar me palët. Maja Kocijanqic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, në një deklaratë për media të shtunën, tha se muri që u ndërtua mbi urën e lumit Ibër nuk do të jetë muri ndarës.

"Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidh unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve (09.12) palët ranë dakord që të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, tha Maja Kocijanqic. Sipas saj, Bashkimi Evropian, që ka marrë përsipër revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, do të monitorojë me kujdes zbatimin në tërësi të kësaj marrëveshjeje.

Në po të njejtën ditë, të shtunën (10.12), ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, që ishte pjesë e bisedimeve, tha se në takim me zyrtarët e BE-së, ka ritheksuar se ndërtimi i murit mbi urën e lumit Ibër është ilegal dhe jashtë marrëveshjes së Brukselit për revitalizimin e urës. Më tej në një komunikatë për medie ajo thotë: "Marrëveshja me BE-në dhe konkluzionet e dakorduara janë rikofirmim se Marrëveshja e Brukselit e datës 25 gusht 2015 do të respektohet plotësisht dhe se revitalizimi i urës dhe revitalizimi i rrugës për këmbësor në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës do të jenë në pajtim me parimet e lëvizjes së lirë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë mur në pjesën që lidh urën e Ibrit me rrugën për këmbësor në veri të qytetit, sepse, muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, thotë ministrja Tahiri.

Ministrja Tahiri, fton qytetarët e Kosovës që të jenë të përmbajtur dhe siç thotë të kenë durim, sepse ky problem do të zgjidhet. "Eshtë çështje ditësh kur gjërat do të shkojnë në vend ashtu siç jemi dakorduar me BE-në dhe në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit”, tha Edita Tahiri.

Kryetari i veriut të Mitrovicës Goran Rakiq, nuk është deklaruar më pas takimit me delegacionin e Bashkimit Evropian, ndërkohë gjatë së shtunës janë parë punëtorët e ndërtimit duke filluar shkurtimin e murit mbi dy metra, që u ndërtua nga serbët lokal.

Shumë organizata të shoqërisë civile ju drejtuan me një letër të gjitha autoriteteve në Kosovë dhe atyre ndërkombëtare që ta sqarojnë situatën, sepse sipas tyre "muri ka krijuar konfuzion, paqartësi e tensione te qytetarët e Mitrovicës”.

MԹ 19 prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, prej nga deri tani janë arritur një sërë marrëveshjesh. Njëra ndër marrëveshjet ishte edhe liria e lëvizjes, ku përfshihej edhe heqja e barrikadave në veri të Kosovës të vendosura nga serbët lokal. Një barrikadë e tillë ishte edhe mbi urën qendrore mbi Lumin Ibër. Për heqjen e kësaj barrikade u përfshi edhe vet Bashkimi Evropian, që mori përsipër revitalizimin e urës duke e shndërruar atë në një shëtitore që do të lidhë dy pjesët e qytetit të Mitrovicës atë veriore e banuar me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar të BE-së, projekti i revitalizimit të urës do të përfundojë me datë 17 janar 2017, ndërsa, për qarkullim ura do të jetë e lirë nga data 20 janar 2017.