1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE pret një process zgjedhor që të sigurojë pranim dhe respektim të rezultatit

Intervistë ekskluzive për DW e Ettore Sequi, ambasador i delegacionit të BE në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

default

Ettore Sequi

DW: Z. Ambasador çfarë mesazhesh do t'u drejtonit ju votuesve, qytetarëve të Shqipërisë pëz zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit?

Ettore Sequi: Mesazhet janë shumë të qarta dhe mbështeten në konkluzionet e Këshillit Europian në Dhjetor 2012 deklaratën më të fundit të Përfaqësueses së lartë Catherinë Ashtion dhe komisionerit Stefan Fuele.Besojmë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përbëjnë një test kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe natyrisht për progresin e Shqipërisë drejt BE. Ne po vazhdojmë të monitorojmë nga shumë afër përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të së dielës ashtu si do të monitorojmë situatën post- zgjedhore. Presim që zgjedhjet të kryehen sipas standarteve europiane dhe ndërkombëtare. Dëshërojmë që t'u drejtojmë një mesazh votuesve të Shqipërisë: Votoni, nëse doni që zëri juaj të dëgjohet. Në fund të fundit , demokracia është pjesëmarrje. Zgjedhjet janë një mënyrë e drejtëpërdrejtrë për të siguruar pikërisht këtë: demokracinë. Këto janë mesazhet e BE së bashku me partnerët e tij ndërkombëtarë.

DW: Ka një njësim mesazhesh për zgjedhjet e kesaj të diele mes BE dhe partnerëve të tij ndërkombëtare, aresyeja?

Ettore Sequi: Njësimi i mesazheve vjen nga synimi i njëjtë lidhur me këto zgjedhje, që mbeshtetet tek vlerat e përbashkëta. Dhe vlerat janë në thelb, do të thoja, të “ndërtesës europiane dhe euro- atlantike”. Unë e kam zakon te them që Europa është një sistem vlerash të përbashkëta. Mesazhet e BE, të përbashkëta me vendet e tij anëtare dhe partnerët ndërkomnbëtarë, veçanërisht me SHBA, mbështeten pikërisht në këto vlera: demokracia, të drejtat themelore, pjesëmarrje në jetën demokratike të vendit. Ashtu si thashë pak më parë, zgjedhjet janë “përkthimi më i mirë” i vënies në jete të këtyre parimeve.

DW: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga administrata zgjedhore, partitë politike, shoqëria civile?

Ettore Sequi: Kemi pritshmëri të larta kundrejt partive politike, shoqërisë civile e kështu me rradhë. Pritshmëritë tona janë në radhë të parë për një proces të qetë, që nga njëra anë të sigurojë besimin e qytetarëve të Shqipërisë tek institucionet e tyre demokratike dhe nga ana tjetër të sigurojë një bazë të shëndoshë për pranimin dhe respektimin e rezultatit. Në këtë kuptim, roli i administratës zgjedhore, i partive politike, i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është kyç. Presim një pjesëmarrje të lartë në votime, pjesëmarrje të lartë të shoqerisë civile në monitorimin e procesit elektoral,presim një administratë zgjedhore të pavarur, profesionale, të shpejtë, presim që politikanët të marrin përgjegjësinë dhe të sigurojnë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek procesi dhe të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Natyrisht, që BE pret që gjithë aktorët politikë dhe mbështetësit e tyre të sigurojnë zhvillimin paqësor të zgjedhjeve.

DW: Ambasador Sequi, ju po flisni për besim të zgjedhësve, të qytetarëve tek institucionet demokratike të procesit zgjedhor. Ndër më kryesorët mes tyre është KQZ, që vazhdon të jetë në krizë nga mosfunksionimi i tij me gjithë anëtarët por vetëm me 4 në vend të 7 syresh. A ka ndonjë shpresë, sado të vogël, që deri të dielën, mosbesimi që gjeneron tek votuesit funksionim i mangët i KQZ te mund të rikuperohet nga kompletim me gjithë anëtarët e tij, të paktën për sa i përket pikërisht besimit të votuesive pa u ndalur tek respektim i ligji, Kodit etj?

Ettore Sequi: Faleminderit shumë, kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, thelbësore. KQZ duhet të marrë vendime me shumicë të cilësuar prej 5 votash q ë nuk i ka. Nuk është kurrë vonë që KQZ të funksionojë i kompletuar , me gjithë anëtarët e saj.Dhe besoj se kjo çështje duhet zgjidhur pikërisht për të siguruar më tepër besim tek procesi. Ndërkohë duhet të pranojmë që situata aktuale përmban në vetvete disa sfida lidhur me vendimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Plotësimi KQZ me të gjithë anëtarët e saj është në mënyrë shumë të qartë thelbësor perkundrejt besimit dhe mirëbesimit të votuesve ndaj institucioneve zgjedhore. Gjithsesi,përsëris : nuk është kurrë vonë të zgjidhet ky problem.

DW: Keni shpresë, keni ndonjë sinjal nga palët?

Ettore Sequi: Më tepër se sinjale kam pritshmëri.

DW: A mund të arrijë amplituda e mosbesimit te i votuesve deri në mospranim të rezultatit,ne kontestim të tij nga njëra apo tjetra palë, në fakt nga ajo që do të humbasë zgjedhjet?

Ettore Sequi: Ashtu si thashë pak më parë situata në fjalë paraqet disa sfida. Ashtu si deklaroi para disa ditësh Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i shtetit, Philip Reeke, - deklaratë me të cilën jam plotësisht dakort- se “ mënyra si partitë politike po zhvillojnë fushatën elektorale, si KQZ menaxhon dhe administron procesin, si do të regjistrohen votat, si do të të zgjidhin mosmarrveshjet dhe ankesat, si do te bëhet numërimi, si partitë politike dhe publiku do të presin rezultatin final – të gjitha këto do të dërgojnë një mezazh shumë të rendesishem për të ardhmen e Shqipërisë, unë do të thoja për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Jam shumë i sigurtë se të gjithë e dinë, e kuptojnë këtë.

DW: E diela, dita e zgjedhjeve është shumë afër. Më falni që po kembëngul: a ka ndonjë gjasë që BE të ushtrojë ndikim që ky mesazh të përkthehet në veprime konkrete. Çfarë do të bëjë delegacioni i BE të dielën?

Ettore Sequi: Para së gjithash ne po monitorojmë nga shumë afër procesin zgjedhor,përgatitjet per diten e votimit dhe do të vazhdojmë të monitorojmë. Kemi qënë shumë të qartë për nevojën që zgjedhjet e së dielës të jenë në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare. Kemi vepruar dhe po veprojmë edhe tani me deklaratat, zotimet tona, kontributin në misionin vëzhgues të ODIHR-it, BE ka vënë në dispozicion fonde për të financuar 32 vëzhgues afatshkurtër dhe 6 afatgjatë. Do të mbulojmë edhe një numër shumë të madh qëndrash të numërimit të votes,do të marrim pjesë aktivisht në procesin e vëzhgimit, në procesin e votimit dhe të regjistrimit, të dyja këto segmente të procesit të votimit jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo do të injektojë më shumë besim dhe mirëbesim tek procesi. Sinqerisht , besimi dhe mirëbesimi në Shqipëri nganjëherë është “një mall që mungon”. Nga ana tjetër, besojmë që besimi dhe mirëbesimi tek procesi është një përgjegjësi e drejtuesve politikë dhe partive politike të Shqipërisë. Do të doja të shtoja për të rinjtë dhe të rejat që votojnë për herë të parë se këto zgjedhje janë një mundeësi shumë e mirë për ta që zërat e tyre të dëgjohen, është fjala për të ardhmen e tyre. Pres një pjesëmarrje të madhe në votime por sidomos nga rinia. Nga përvoja e qëndrimit tim në Shqipëri- tani më bëhen 8 vjet- admiroj vitalitetin, entuziazmin, madje edhe idealizmin e rinisë . Rinia e Shqipërisë meriton shumë. Nëse jemi dakort që zgjedhjet e mira do ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Europës, mendoj qe të rinjtë dhetë rejat janë ata qe do të përfitojnë më shumë nga procesi i integrimit europian, prandaj duhet të marrin pjesë aktivisht në zgjedhjet e të dielës, pasi është fjala për të ardhmen europiane të vendit të tyre.

Intervistoi: Ani Ruci