1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE preferon të përgatisë ushtarët në Mali

Ministrat e jashtëm të BE ngulin këmbë më tej për një fillim të shpejtë të misionit trajnues në Mali. Ata përshëndetën Francën. Por trupa luftarake ata nuk ofruan.

Oficer francez flet me nje koleg malias

Oficer francez flet me nje koleg malias

Evropianët janë shumë të lumtur që Franca veproi kaq shpejt në Mali. Por luftën ata duan t'ua lënë edhe më tej francezëve dhe afrikanëve. Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn tha për këtë të enjten (17.01.2013) në Bruksel: "Po të mos kish ndodhur asgjë javën e shkuar, atëherë Bamako do të kish rënë dhe Mali nuk do të ekzistonte më. Dhe pas Malit, në rrezik do të kishte qenë edhe Nigeria dhe shumë shtete të tjera."

Asselborni, i cili erdhi në Bruksel nga OKB-ja në Nju Jork e vlerëson si të jashtëzakonshme edhe situatën diplomatike për misionin: "Unë besoj se asnjëherë më parë në historinë e KS të OKB-së nuk ka gjetur një mbështetje të tillë një mision si ai i Francës, që gjithsesi ishte një vendim i njëanshëm." Edhe në Bruksel angazhimin francez nuk e kritikoi askush.

Kërcënim terrorist për Evropën?

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius e sheh vendin e tij në një "pozicion pararojë", por të gjithë duhet të jenë të shqetësuar për terrorizmin, thotë ai. Edhe ministri i Jashtëm i Malit, Tiemann Coulibaly mori pjesë në mbledhje dhe kërkoi mbështetje: një vend në zhvillim me mundësi kaq të kufizuara si Mali ka nevojë për ndihmë. Terrorizmi "mund të godasë secilin, në çdo kohë dhe kundër të gjithëve. Prandaj ne duhet të organizohemi dhe t'i bashkojmë forcat", tha ai.

Por mbështetja, me përjashtim të fjalëve është modeste: BE do të dërgojë 200 deri 250 instruktorë, që do ta aftësojnë ushtrinë e Malit dhe ushtarët e Bashkësisë Afrikanoveriore të shteteve, ECOWAS që të mbrohen vetë nga kryengritësit. Sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm të Italisë, Giulio Terzo, "në rast nevoje numri mund të arrijë deri në 500 vetë". Shpenzimet i merr përsipër BE. Ky mision do të fillojë në mes të shkurtit.

Guido Westerwelle dhe Tieman Coulibaly

Guido Westerwelle dhe Tieman Coulibaly

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle e quajti misionin "më të rëndësishmin". Në perspektivë "në Mali nuk do të ketë një zgjidhje evropiane ose ushtarake; në perspektivë fjala është që forcat afrikane t'ia dalin mbanë vetë".

Gjermanët do të marrin pjesë gjithsesi me dy avionë transporti, të cilët do t'i transportojnë trupat në vendet e misionit. Trupa ndërhyrjeje askush nuk premtoi. Westerwelle e hodhi poshtë kritikën që Gjermania bën shumë pak: Gjermania vazhdon të jetë e angazhuar fort në Afganistan, në një kohë që Franca preferoi të tërhiqet që atje. "Kështu që është e kuptueshme që mundësitë tona janë të kufizuara", tha Westerwelle.

BE i bën thirrje qeverisë së Malit, e cila është një qeveri tranzitore pas një puçi ushtarak, që të kthehet në rrugën e demokracisë. Në shenjë besimi, bashkësia e shteteve do të rifillojë ndihmën për zhvillimin për Malin, të cilën e kish suspenduar më parë.