1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE paraqet rregullat për keqpërdoruesit e ndihmave

Bernd Riegert / Bahri Cani14 Janar 2014

Komisioni i BE-së pohon se disa pohime për migrantët që kërkojnë punë në BE janë "të pavërteta". A thua kjo me të vërtetë është vetëm fushatë paraelektorale nga Bavaria dhe Britania e Madhe?

https://p.dw.com/p/1AqNi
Fotografi: Georges Gobet/AFP/Getty Images

Për komisionerin për Çështje Sociale në BE Laszlo Andor, në debatin për migrantët po teprohen shumë gjëra. Kalendari i brendshëm politik i një vendi anëtar influencon në masë edhe debatin për ardhjen e punëtorëve nga vendet e tjera, thotë Andor, duke iu referuar zgjedhjeve komunave në landin gjerman Bavari. Qeveria e CSU në Bavari e ka nxitur debatin për ardhjen e punëtorëve nga Rumania dhe Bullgaria në këtë vend me slloganin: "Ai që mashtron, fluturon". Prej 1 janarit, punëtorët nga Rumania dhe Bullgaria kanë të drejtë të kërkojnë punë në të gjitha vendet e BE, pra edhe në Gjermani dhe Britani të Madhe, ku po debatohet më së shumti për kufizimet e mundshme.

Në foto, Horst Seehofer
Në foto, Horst SeehoferFotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta Süddeutsche Zeitung e Mynihut të premten (10.01.2014) njoftoi se Komisini i BE do që Gjermania të sigurojë më shumë ndihma sociale për të ardhurit nga vendet e tjera, gjë që ka shkaktuar kritika të reja nga radhët e CSU. Kryeministri bavarez Horst Seehofer ka deklaruar për revistën "Der Spiegel", se kjo dëshmon që "Komisioni i BE ka shumë pak njohuri për realitetin e jetës së njerëzve në Evropë".

Komisioni i BE e quan debatin emocional

Komisioneri Andor thotë se CSU dhe disa media janë duke e shtrembruar realitetin. "Nuk është e vërtetë që Brukseli po bën presion për ndihma sociale". Por Komisioni mendon se secili rast duhet të trajtohet si i veçantë dhe nuk duket të ketë zgjidhje të përgjithshme për refuzimin e ndihmave. "Agjenda politike në disa vende anëtare, ku përmendet madje edhe referendumi, ka bërë që të diskutohet në këtë mënyrë. Nuk ka informacione sa duhet dhe kjo ka çuar deri tek debatet emocionale në disa vendeanëtare", tha ai. Referendumi të cilin kryeministri britanik David Cameron do të mbajë në vitin 2017, për mbetjen apo jo të vendit të tij në BE, që tani po hedh hije mbi zhvillimet, mendon komisioneri. Komisioni i BE nuk sheh ndonjë konflikt mes të drejtës sociale në Gjermani dhe zgjidhjeve të tanishme juridike në BE. Por një rast do të trajtohet në Gjykatën Evropiane në Luksemburg.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Nikolay Doychinov/AFP/Getty Images

Kryetari i Shoqatës së juristëve për çështje sociale në Gjermani, Hans-Peter Jung, mendon se politika i ka sjellë gjykatat në një rol politik. "Politika e ka ditur se cilat do të jenë pasojat e pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE, sepse edhe atëherë është ditur se ka dallime të mëdha në standardin e jetës mes këtyre vendeve dhe Gjermanisë.

Rregullat komplekse

Gjykatat tani po përballen me këto probleme." Zgjidhjet juridike janë shumë komplekse. Komisioni i BE ka paraqitur të hënën (13.01.2014) një libër me udhëzime të reja për autoritetet se si të sillen në xhunglën e rregullave të shumta. Esenca e sugjerimeve është që të konstatohet nëse një qytetar i një vendi ka qëndrim legal në një vend tjetër ë BE. Ai që pas tre muajve nuk ka mundur të gjejë një punë të rregullt në një vend tjetër, duhet të kthehet në vendin e vet dhe nuk ka të drejtë të kërkojë ndihma sociale. Por ai që mund të dëshmojë se po kërkon punë dhe ka shansa ta gjejë një vend pune, atëherë mund të mbetet në vendin tjetër deri në gjashtë muaj. Vetëm ata që jetojnë pesë vjet legalisht në një vend, mund të kërkojnë ndihma sociale.

Për shumicën e migrantëve në BE, të cilët punojnë, gjërat janë shumë të qarta, tha Andor. "Ai që punon në një vend tjetër ka të drejtë të kërkojë mbështetje sociale, sikur edhe puntorët e vendit ku ka ardhur, sepse ai paguan tatime dhe të gjitha kontributet e tjera."

Në foto, Laszlo Andor
Në foto, Laszlo AndorFotografi: Getty Images

Rregullat nuk janë të reja, thuhet në një studim të Komisionit të BE. Të gjitha 28 vendet anëtare, pra edhe Gjermania dhe Britania e Madhe i kanë konfirmuar këto rregulla në nëntor të vitit 2013. Ato parashikojnë lirinë e të kërkuarit punë në vendet e tjera anëtare të BE. "Konsensusi nuk është cënuar", mendon Laszlo Andor. Debati për keqpërdorime apo nevojën e ashpërsimit të rregullave dotë qetësohet. "Propozimet e tilla dëgjohen gjithmonë dhe qetësohen pas një kohe. Nëse në Britani të Madhe për shembull, kuptohet se rumunët dhe bullgarët nuk i janë vërsulur këtij vendi, atëherë debati do të përfundojë", pohon ai.