1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE para reformave të shumta në 2013

BE-ja ka parashikuar masa të shumta për vitin 2013. Unioni monetar duhet të forcohet në mënyrë që të përballojë krizat. Ndëkrohë që interesat dhe përfytyrimet ende dallojnë shumë.

Viti 2012 ka sjellë disa njohuri të hidhura për Bashkimin Evropian: problemin kryesor me krizën e euros nuk e kanë zgjidhur ndihmat e mëdha apo ombrellat e shpëtimit. Vendet e BE-së ende janë shumë larg nga njëra - tjetra. Euro është dashur të jetë projekti më i madh i afrimit mes vendeve të BE-së. Vet Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, ka pranuar se forma e tanishme e një monedhe të përbashkët "nuk është e qëndrueshme, nëse nuk ndërmerren edhe hapa të tjerë të domosdoshëm". Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur për një "gabim elementar", sepse ende mungon afrimi ekonomik mes vendeve të BE-së. BE-ja tani dëshiron ta ndryshojë këtë gjendje. "Besoj se vendet anëtare dhe BE-ja si tërësi duhet të bëjnë reforma të thella", deklaroi ajo.

EU Gipfel in Brüssel Deutschland Angela Merkel

Samiti BE-së më 14.12.2012 në Bruksel

Katër sdhtyllat kryesore

Ekzistojnë shtylla të cilat konsiderohen si kryesore për stabilizimin e gjendjes: rregullimi i tregut financiar, mbikqyrja e bankave, disciplina financiare dhe koordinimi ekonomik. Tek rregullimi financiar BE-ja po përparon vetëm me hapa të vegjël, sepse në veçanti britanikët kanë frikë nga konkurrenca ndërkombëtare në treg. Mbikqyrja e bankave është një propozim shumë i ri, i miratuar në dhjetor dhe duhet të fillojë të aplikohet në mars të vitit 2014. Detajet e këtij propozimi duhet të saktësohen gjatë vitit 2013. Një problem shumë i rëndë është disiplina buxhetore në BE. Kaherë aplikohet një plan stabiliteti në BE, por gati asnjë vend nuk po i përmbahet këtij plani.

Borxhlinjtë deri tani pa ndëshkime

Pakti i miratuar fiskal duhet të sjellë më shumë rregull në sistemin financiar, por nuk ëshë e sigurt nëse do të ketë sukses. Franca, për shembull, e cila nga shumëkush konsiderohet si "pacienti i ardhshëm i Evropës", po përpiqet që t'i zbusë krieteriet e miratuara. Presidenti socialist François Hollande ka bërë përpjekje që në llogaritë e deificiteve të futen edhe sasitë e parave të investuara, gjë që Gjermania e ka kundërshtuar. Komisioni Evropian tani duhet të gjejë zgjidhje. Por ende nuk dihet nëse Franca do t'ia dalë që brenda nëntë vitesh të arrijë ta ulë nën nivelin e pragut prej 3 % të deficitit buxhetor, sa lejohet në paktin e stabilitetit monetar. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Franca dhe Gjermania, të cilat konsiderohen si motorët kryesorë të BE-së, edhe më tej në disa çështje janë shumë larg mes vete. Hollande pak pas samitit të fundit në dhjetor tha se "vitin e ardhshëm do të kemi një Evropë më të fuqishme dhe më shumë solidare". Ndërsa Angela Merkel bëri të qartë para Parlamentit Evropian se edhe viti i ardhshëm do të jetë i vështirë, duke shtuar se kërkohet vazhdimi i masave të kursimit dhe reforma.

Van Rompuy und Barroso PK beim EU Gipfel in Brüssel

Samiti për të ardhmen e BE-së - Van Rompuy dhe Barroso në konferencë shtypi, më 14.12.2012 në Bruksel

Ardhmëria evropiane

Dallimet themelore mes vendeve në Veri dhe në Jug të Evropës do të vazhdojnë të dominojnë edhe debatin për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Këshillimet e fundit për buxhetin kanë dështuar. Ndërkohë që deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet sqaruar se si mund të zvoglohen dallimet e mëdha në politikën ekonomike mes vendeve anëtare të BE-së. Kjo ka prekur edhe sovranitetin e vendeve anëtare, si për shembull, në tregun e punës apo në çështjet fiskale. Kancelarja Merkel beson se situata nuk mund të zgjidhet pa ndryshime në Marrëveshjen për BE-në. Ajo ëshë e mendimit se shumë kompetenca të vendeve anëtare duhet të kalojnë në duart e Komisionit Evropian, i cili duhet të shndërrohet në një qeveri të vërtetë të BE-së. Ndërkohë që Këshilli i vendeve anëtare duhet të shndërrohet në një lloj dhome të dytë të Parlamentit Evropian. Pas samitit të dhjetorit ajo u detyrua ta pranojë se këto ide aktualisht nuk kanë ndonjë mbështetje tepër të madhe tek vendet tjera anëtare. Por në BE shumë gjëra janë dukur si të pamundura e megjithatë në fund janë realizuar.