1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE përshëndet miratimin që Serbia i bëri marrëveshjes me Prishtinën

BE vlerëson angazhimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve dhe shpreson në angazhimin e tyre për zbatimin konkret të saj.

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton ka përshëndetur miratimin që Serbia i bëri të Dielën planit për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit me Kosovën. "Marrëveshja do të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve në vend dhe do të sigurojë progresin e shpejtë të Serbisë dhe Kosovës në drejtim të Bashkimit Europian", shprehet Ashton në një deklaratë të publikuar nga zyra e saj ditën e Hënë në Bruksel.

Në foto, Daçiq, Ashton dhe Thaçi

Në foto, Daçiq, Ashton dhe Thaçi

Catherine Ashton ishte ndërmjetësuesja e marrëveshjes mes dy vendeve. Në deklaratën e saj ajo falënderon të dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq për vendosmërinë e tyre. "Angazhimi i tyre personal do të jetë edhe në të ardhmen vendimtar për zbatimin e shpejtë të planit", citon agjencia gjermane e lajmeve, DPA, deklaratën e Ashton-it.

Miratim në minutën e fundit

Vetëm pak para skadimit të afatit të vendosur nga BE për planin e zbatimit të marrëveshjes, ia doli Serbia të marrë vendimin miratues. Në një seancë të posaçme të Dielën në Beograd, kabineti i kryeministrit Daçiq miratoi planin për marrëveshjen duke ia kumtuar pas kësaj vendimin me shkrim, të ngarkuarës së BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton. Qeveria e Kosovës e miratoi disa ditë më parë planin e zbatimit, për të cilin kryeministrat e dy vendeve ranë dakord më 19. Prill në Bruksel. Më miratimin që Kosova dhe Serbia i bënë planit të zbatimit, nuk mbetet gjë tjetër veçse që marrëveshja të fillojë të zbatohet konkretisht - për t'i shërbyer konkretisht normalizimit të marrëdhëvnieve mes dy vendeve.

Disa pjesë të planit të zbatimit

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Deri në fund të majit ekspertët nga Beogradi dhe Prishtina do të formojnë një "ekip menaxhimi", i cili do të pajisë me statut "bashkësinë e komunave serbe" në veri të Kosovës. Kjo bashkësi do të jetë përgjegjëse për "zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë si dhe planifikimin urban dhe rural."

Bashkësia do të emërojë një shef të policisë për veriun e Kosovës, ku pakica serbe përbën shumicën e popullatës lokale. Në këtë mënyrë do të emërohen edhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Megjithatë ata do të punojnë në kuadër të policisë dhe sistemit gjyqësor të Kosovës. Kontrolli i deritanishëm i policisë dhe i gjyqësorit nga Beogradi do të ndërpritet.

Deri në fund të qershorit duhet të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe në sektorin e telekomunikacionit. Ndërsa në fund të tetorit në bazë të ligjeve të Kosovës Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE, pritet të organizojë zgjedhjet lokale për popullatën serbe.