1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: për Shqipërinë dhe Malin e Zi po përgatiten një vlerësim e rekomandimet për negociatat e pranimit

30 Mars 2010
https://p.dw.com/p/Mi57
Komisioneri i ri për Zgjerimin e BE, Stefan Füle
Komisioneri i ri për Zgjerimin e BE, Stefan FüleFotografi: AP

DW: Po ta hedhësh vështrimin në një portofol vendesh që duan të bashkohen me BE, si do t'i klasifikonit këto vende përsa i përket përparimeve? Kush është në radhë dhe kush duhet të bëjë më shumë?

Füle: "Unë mendoj se ne jemi në një fazë, ku gjithë kanë ende për të bërë disa detyra të shtëpisë. Dhe në veçanti në rajonin e Ballkanit Perëndimor vështirë se mund të gjeni dy vende që janë në pozitë të njëjtë, edhe pse Komisioni aktualisht është duke përgatitur një vlerësim dhe gjithashtu rekomandimet për Këshillin Evropian, që më vonë të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kroacia ka bërë përparime fantastike në muajt e fundit dhe kroatët tani janë në fazën përfundimtare. Por kjo nuk do të thotë se hapi i fundit do të jetë i lehtë."

"Ne shpresojmë gjithashtu shumë se do të jemi në gjendje për të filluar negociatat edhe për pranimin e Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë. Vendi ka bërë përparime fantastike vitin e kaluar prandaj Komisioni i ka rekomanduar në fund të vitit të kaluar Këshillit Evropian për të filluar bisedimet e pranimit. Dhe unë shpresoj që kohën e mbetur deri në fund të presidencës spanjolle qeveria maqedonase dhe qeveria greke do ta shfrytëzojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit. Zgjidhja e kësaj çështjeje do t'iu mundësonte shteteve anëtare që të japin dritën jeshile."

"Dhe ka rëndësi që këto vende të mos lihen jashtë. Mendoj se vendet anëtare janë shprehur qartë se perspektiva evropiane është e ndarë për secilin vend veç e veç në Ballkanin Perëndimor. Pra, ne duhet të gjejmë rrugën për të ndihmuar Bosnje-Hercegovinën, për të mos mbetur një shtet i dobët në hapësirën evropiane dhe gjithashtu të shikojmë se si të angazhohemi në Kosovë.

DW: Nëse shikoni përpara: BE tani ka 27 anëtarë, sipas mendimit tuaj sa do të ketë pas pesë vitesh?

Füle: Nuk e di. Ajo nuk varet nga Komisioni dhe përfundimisht jo pse e dëshiron komisioneri, ajo varet se sa serioze janë vendet kandidate dhe sa janë të gatshme vendet anëtare të vlerësojnë seriozitetin e tyre dhe do të jenë të gatshme për pranuar këto vende. Unë shpresoj se do të kemi anëtarë të rinj. Unë shpresoj se Bashkimi Evropian do të jetë më i madh. Unë fuqimisht besoj se ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ai të jetë jo vetëm më i madh, por edhe më i fuqishëm. Kjo ndoshta është aspirata ime modeste, gjatë katër vjet e gjysmë në të ardhmen. Për ta shndërruar procesin e pranimit në një proces ku cilësia do të jetë në mendjen e të gjithëve, ku cilësia do të jetë më e rëndësishme se koha."

Autor: Michael Knigge/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi