1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE nxit politikanët shqiptarë të zgjidhin krizën

BE nxit drejtuesit politikë të Tiranës të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje të qëndrueshmë të krizës aktuale politike. Por marrëdhëniet mes dy palëve njohën dje një ashpërsim të mëtejshëm.

default

Takimi, që zhvilluan dje në Luksemburg 27 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE, u mbyll me disa konlukzione për situatën politike në Shqipëri. Në krye të tyre qëndron domosdoshmëria e zgjidhjes së krizës politike aktuale sa më shpejt dhe mbi një bazë që t'i qëndrojë provës së kohës.

Në këtë kontekst, shefja e diplomacisë së BE, Kathrin Ashton (Catherine Ashton) vlerësoi dje në Luksemburg nismën e Parlamentit Europian për arritjen e kompromisit qeveri- opozitë. “Lidhur me Shqipërinë ne (BE), kemi qënë së pari shumë të interesuar për nismën e Z. Doul dhe Z. Schulz, e cila është më se e mirëpritur dhe e konsideruar si një lëvizje shumë e rëndësishme. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të gjejmë zgjidhje të dobishme, që nxisin palët drejt një marrëveshjeje me qëllim për ta vendosur Shqipërinë në rrugën e antarësimit në BE,” tha dje në Luksemburg, Z. Ashton.

Bashkë me nxitjen për të gjetur sa më parë një zgjidhje të krizës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së shprehu dje në Luksemburg, edhe shqetësimin që nisma e dy europarlametareve, Joseph Doul, kryetar i partive popullore dhe Martin Schultz, kryetar i partive socialiste në Parlamentin Evropian nuk ka gjetur ende një mbështetje të mjaftueshme që “qeveria dhe opozita të tejkalojnë ndryshimet në qëndrimet e tyre lidhur me transparencen e zgjedhjeve parlamentare te 28 qershorit te kaluar”.

Nisma Doul & Schultz

Kompromisi që evroparlamentarët Doul dhe Schulz, u ofrojnë palëve është hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe hetimi i tyre nga një komision parlamentar me shumicë dhe të drejtuar nga opozita. Draft- marrëveshja e kompromisit Doul & Schultz ofron gjithashtu bllokimin e fletëve të votimit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që gëzon të drejtën që për fletët e votimit t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Pro kësaj zgjidhjeve u shpreh, në prag të takimit të Luksemburgut kreu i opozitës Edi Rama. "Rikonfirmoj se opozita është gati për kompromis dhe për të nënshkruar këtë draft marrëveshje,” tha ai. Por, ndaj saj ende vazhdon heshtja nga ana e kryeministrit Berisha, pa miratimin e të cilit nuk mund të arrihet marrëveshja politike e shumëpritur.

Luksemburgu- rikonfirmim i perspektivës europiane të Shqipërisë por …me plotësim kushtesh

Në një situatë të tillë pritej që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, të paralajmëronte nga Luksemburgu rrezikimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë në rast të mosarritjes së marrëveshjes politike Berisha-Rama. Kjo do të kishte qenë një përforcim i paralajmërimeve të javës së kaluar të Parlamentit Evropian, sa për të përmendur më të fundit. Por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton rikonformoi perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të krejt Ballkanit Perëndimor. “Dëshirojmë të shohim progres nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që është një zonë shumë e rëndësishme. Për mua është një objektiv i rëndësishëm ndihma ndaj saj dhe vendeve të rajonit, që të bëhen pjesë e BE-së,” tha ajo dje në Luksemburg.

Por 27 ministrat e Jashtëm të BE, në konkluzionet e takimit të djeshëm, në Luksemburg, qartësuan një perspektivë europiane te kushtezuar. Sipas tyre aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE do të vlerësohet sipas kritereve të Kopenhagës. Mes tyre stabiliteti politik është një ndër kryesorët. Situata aktuale në Shqipëri dhe mungesa e bashkëpunimit qeveri- opozitë vështirë se ndihmon në krijimin e imazhit të saj si një vend me stabilitet politik.

Ashpërsim i mëtejshëm i marrdhënieve qeveri – opozitë

Ndërkohë që BE nxiti dje përsëri palët për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të krizës, mundësia për arritjen pa humbur kohe te saj u ul ndjeshëm kur marrëdhëniet mes tyre shënuan një ashpërsim të mëtejshëm. Partia Socialiste dorëzoi dje në prokurori një kallëzim penal ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se ka kërcënuar me vdekje deputetin socialist Taulant Balla, në legjislaturën e kaluar. Vetëm pak ditë më parë PD bëri të njëjtin kallëzim për ndjekje penale ndaj deputetit socialist Tom Doshi, për kërcënim me vdekje të deputetit demokrat Gent Strazimiri. Ajo që pritet pas zhvilimeve të tilla është rritja e presionit nga BE dhe imponimi i formulës së gjetur prej politikanëve evropianë.

Sipas ambasadës së Spanjës në Tiranë, pritet që të enjten, më 17 qershor, BE të dalë me një deklaratë të formës së prerë lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zgjedhja për ta pranuar ose refuzuar është gjithsesi në dorë të politikanëve drejtues të Tiranës.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nqzj
  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nqzj