1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE nuk mbështet Italinë për refugjatët

Shtetet e BE i refuzojnë Italisë çdo ndihmë të drejtpërdrejtë për furnizimin e mijëra refugjatëve nga Afrika e Veriut. Ministrat e Brendshëm të BE nuk ranë dakord të hënën për një aksion të përbashkët mbështetjeje

Refugjatë në Lampeduza

Refugjatë në Lampeduza

Me kërkesën e saj, për një ndarje të refugjatëve në BE, Italia është e izoluar. Kjo u bë e qartë në takimin e ministrave të Brendshëm të BE. Ministri i Brendshëm, Friedrich tha se Italia nuk është e mbingarkuar për shkak të rreth 23.000 refugjatëve:

"Duhet parë se ka shumë shtete, shtete anëtare në Evropë që kanë shifra krejt të tjera përsa i përket numrit të azilantëve. Mjafton të kujtosh Belgjikën e vogël, e cila ka shifra gjigante edhe në bashkimin familjar. Kështu që kudo në Evropë ne e shohim veten të përballur me barra të ndryshme. Kështu Italia nuk mund të thotë se është vendi i vetëm i mbingarkuar."

Por ja që kështu e sheh qeveria italiane. Dhe ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni pati thënë në fillim të takimit se tani do të dalë në pah nëse ekziston një Evropë e bashkuar apo nëse Evropa është vetëm një shprehje gjeografike. Më shumë solidaritet përmes një shpërndarjeje automatike, këtë ministri Federal i Brendshëm, Friedrich e refuzon:

"Në thelb është pikërisht kjo ajo që duam të pengojmë, pikërisht një ndarje e automatizuar. Sapo lejon të ndërhyjnë mekanizma automatikë, ti natyrisht dërgon një sinjal edhe jashtë, se në njëfarë mënyrë vetëm duhet arritur në Evropë, pastaj ka një mekanizëm që funksionon dhe kujdeset që askund të mos krijohet presion i pabarabartë."

Presionin ndaj partnerëve të BE, Italia tani e shton përmes dhënies së lejeve të qëndrimit, që ky vend dëshiron t'u japë tani refugjatëve. Këto dokumenta u lejojnë tani refugjatëve një qëndrim të kufizuar në zonën Shengen. Ky nuk është më tepër se një mjet presioni, thotë një diplomat. Në Francë, këto deklarata kanë bërë që të vijnë që tani kundërreagime. Autoritetet urdhëruan të ndërmerren më shumë kontrolle. Edhe Gjermania do të jetë më e vëmendshme:

"Për momentin nuk ka ndonjë udhëzim për të kryer në mënyrë sistematike kontrolle kufiri. Ne nuk duam ta relativizojmë në ndonjë mënyrë Shengenin."

Në mënyrë kritike për sjelljen italiane u shpreh edhe ministrja e Brendshme e Austrisë, Fekter. Ajo tha se dhënia e lejeve të qendrimit është një akt jo solidar.

Ministrat e Brendshëm të BE ranë dakord që ta përmirësojnë mbrojtjen e kufirit. Për këtë do të zhvillohen negociata me Tunizinë. Synimi është që anijet e BE të lejohet të hyjnë në ujërat tuniziane, për t'i penguar refugjatët që në nisje.

Autor: Christoff Prössl/Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 12.04.2011
  • Fjalët kyç italia
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10rcX
  • Data 12.04.2011
  • Fjalët kyç italia
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10rcX