1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE nis misionin ushtarak në Afrikën Qendrore

Zgjati me javë të tëra. Por tani misioni BE-së për stabilizimin e Republikës së Afrikës Qendrore ka ushtarë dhe mjete të mjaftueshme ushtarake. Ndihma është e nevojshme: Në kryeqytet u vranë përsëri disa njerëz.

Me vonesë Bashkimi Evropian i ka hapur rrugën misionit të tij ushtarak në Afrikën Qendrore. Falë pjesëmarrjes shtesë të Gjermanisë dhe një kontributi nga Franca, komandanti i misionit rekomandoi fillimin e tij, deklaroi një zëdhënës i përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton në Bruksel. Plani parasheh një "rritje progresive" të trupave deri në 1000 ushtarë në kryeqytetin e Afrikës Qendrore, Bangui.

Trupat franceze në Afrikën Qendrore

Trupat franceze në Afrikën Qendrore

Siç raportohet nga një burim evropian, stacionimi i trupave dhe data e fillimit të misionit duhet të vendoset deri të mërkurën. Në këtë ditë (2.4.2014) me iniciativën e presidentit francez François Hollande, në kuadër të samitit BE-Afrikë në Bruksel, mbahet edhe një takim i jashtëzakonshëm për krizën në Republikën e Afrikës Qendrore.

Misioni i BE-së ka qenë në rrezik të dështojë kryesisht për shkak të problemeve të transportit. Megjithatë, ato u arrit të tejkalohen në një konferencë ushtarake në Bruksel të premten, u mësua më vonë nga qarqet diplomatike. Sipas informacioneve të fundit Gjermania ka kontribuar shumë në rezultatin e arritur pasi që ra dakord për të financuar disa fluturime të transportit. Përveç një avioni ambulancë dhe dhjetë ushtarëve në selitë kryesore në Afrikën Qendrore dhe në Greqi në dispozicion do të vihen edhe dy avionë të transporti të marrë me qera të tipit Antonov (AN-124). Kështu kanë deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU) dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD). Gjithashtu edhe Franca do të dërgojë më shumë ushtarë për misionin e ri në Afrikën Qendrore.

Franca kishte ndërhyrë ushtarakisht në fillim të dhjetorit në Afrikën Qendrore, për t'i dhënë fund dhunës në mes të krishterëve dhe myslimanëve. Me kërkesë të qeverisë në Paris, shtetet e BE-së vendosën për dërgimin e një misioni ushtarak evropian në këtë vend. Megjithatë përgatitjet vazhduan me një ritëm shumë të ngadaltë. Vende si Polonia, Estonia, Letonia, Portugalia dhe Rumania kishin ofruar më shumë trupa për përforcim. Por për shkak të krizës së Krimesë, sipas burimeve ushtarake janë vënë në pikëpyetje premtimet fillestare. Gjermania ka përjashtuar gjthmonë një mision luftimi në Afrikën Qendrore por ka ofruar gjithnjë ndihmën e saj.

Situatë kërcënuese

Vala e refugjatëve ne Republikën e Afrikës Qendrore

Vala e refugjatëve ne Republikën e Afrikës Qendrore

Deri më tani, rreth 6000 trupa të Bashkimit Afrikan si dhe 2000 ushtarë francezë ndodhen në mision në Republikën e Afrikës Qendrore. Më vonë pritet që stabilizimin në vendin e tronditur nga dhuna dhe trazirat ta marrë përsipër një mision paqeruajtës i OKB-së. Forcat ndërkombëtare nuk kanë arritur deri tani që t'i japin fund spirales së dhunës mes myslimanëve dhe milicëve të krishterë.

Në një sulm ndaj civilëve në kryeqytetin e Afrikës Qendrore Bangui janë vrarë më shumë se 20 vetë. Autorët e krimit thuhet të jenë ushtarë nga Çadi, njoftuan anëtarët e misionit paqëruajtës afrikan Misca dhe dëshmitarë okularë. Njerëz të armatosur rëndë kanë kaluar të shtunën kufirin natën me automjete ushtarake dhe më pas kanë qëlluar në pjesë të ndryshme të qytetit pa dallim mbi popullsinë. Arsyeja e sulmit mbetet ende e paqartë.

Gjendja humanitare në vendin e përfshirë nga kriza është kritike. 650.000 nga 4.6 milionë banorë sa ka vendi ndodhen në arrati në pjesë të ndryshme të vendit. 280 mijë të tjerë kanë arritur të largohen jashtë Afrikës Qendrore.