1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE, NATO shumë pranë, e prapë të paarritshme - Maqedonia 20 vjet pas pavarësisë

Më 8. shtator 1991 maqedonasit votuan me referendum për pavarësinë. Që atëherë rruga e shtetit të ri drejt integrimit evropian nuk ka qenë e lehtë. Konflikti për emrin me Greqinë e pengon ende sot Maqedoninë.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Maqedonia vendosi për pavarësinë më 8. Shtator 1991, por njohja e shtetit të ri nga shtetet perëndimore zgjati me vite. Një komision i ngritur nga Bashkimi Evropian arriti në fillim të vitit 1992 në konkluzionin se nga republikat e ish-Jugosllavisë, vetëm Sllovenia dhe Maqedonia përmbushnin të gjitha kushtet për t'u njohur në shkallë ndërkombëtare. Gjermania e njohu shumë shpejt Kroacinë dhe Slloveninë me një vendim të sajin, pa pritur BE-në, por Maqedoninë e njohu në vitin 1996. Vetëm në vitin 1993, Maqedonia u bë anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara. Por ky anëtarësim u bë vetëm nën emrin FYROM (Former Yugoslav Republic of Macedonia) për shkak të pretendimit të Greqisë ndaj emrit zyrtar të Republikës së Maqedonisë.

Parlamenti maqedonas

Parlamenti maqedonas

Rruga e vështirë pas pavarësisë

Maqedonia vuajti pasojat ekonomike të luftës në pjesë të tëra të ish-Jugosllavisë, embargon kundër Serbisë, por edhe atë që vendosi Greqia kundër saj. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, vendi i varfër pranoi gati 300.000 refugjatë nga Kosova. Në vitin 2001 vetë Maqedonia ishte në pragun e një lufte civile. Vetëm pas zgjidhjes së konfliktit u shënuan hapa në drejtim të integrimit. Në vitin 2005, Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, por ende nuk është përcaktuar data për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Nga viti 2008 Maqedonia konsiderohet e aftë për t'u anëtarësuar në NATO, megjithatë kjo aspiratë ende nuk është bërë realitet.

Dy probleme themelore ka përballur Maqedonia në këto vite. Konflikti i emrit me Greqinë dhe marrëdhëniet ndëretnike në një shtet multietnik. Me çështjen e dytë, atë të marrëdhënieve ndëretnike, maqedonasit ditën të veprojnë shumë më mirë, se sa vende të tjera në rajon.

Gernot Erler, politikan socialdemokrat

Gernot Erler, politikan socialdemokrat

Pas konfliktit të armatosur në vitin 2001, Marrëveshja e Ohrit krijoi bazën për bashkëjetesën jo vetëm me shqiptarët, por me të gjitha grupet etnike në vend. Një bazë, e cila nuk është një pamje idilike, por ka krijuar marrëdhënie të pranueshme ndërtetnike, me potencial për zhvillim të mëtejshëm.

Greqia e patundshme në konfliktin e emrit - Gjermania me pozicion pritës

Konflikti me Greqinë përbën ende një problem të pazgjidhur. Në marrëdhëniet ndërkombëtare konsiderohet një rast unikal që një shtet i refuzon një tjetri të drejtën e emrit. Greqia trembet se me emrin Republika e Maqedonisë, mund të ngrihen pretendime territoriale për provincën me të njëjtin emër në Veriun grek. Parlamenti gjerman në një rekomandim të vitit 2004 ka pranuar se do të njohë emrin Republika e Maqedonisë, por deri më sot Berlini i ka mbetur besnik politikës së BE-së.

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle (djathtas) me Nikola Poposkin, ministrin e Jashtëm maqedonas në Berlin këtë javë, 5. Shtator 2011

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle (djathtas) me Nikola Poposkin, ministrin e Jashtëm maqedonas në Berlin këtë javë, 5. Shtator 2011

Gernot Erler, politikan gjerman socialdemokrat, e bëri të qartë: "Berlini nuk mund të bëjë praktikisht asgjë, derisa të zgjidhet problemi me emrin." Mbi konfliktin me emrin, ministri i Jashtëm gjerman. Guido Westerwelle u shpreh në fillim të kësaj jave. "Ne shpresojmë në suksesin e bisedimeve, që zhvillohen mes Greqisë dhe Maqedonisë nën ndërmjetësimin e OKB-së. Unë shpresoj shumë, shpresoj vërtet nga zemra, në interes të maqedonasve por edhe të Evropës që vështirësitë aktuale të tejkalohen. "

Autor: Zoran Jordanovski/Lindita Arapi

Redaktoi: E. Xhani