1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE mund të shkurtojë ndihmën për zhvillim

Negociatat për planin financiar të BE-së deri në 2020 dështuan. Tani diskutohen propozimet për kursime. Në shënjestër: ndihma për zhvillim për vendet më të varfra.

Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, në samitin e BE-së për buxhetin javën e kaluar, propozoi shkurtimin me 11 për qind të buxhetit për ndihmën për zhvillim. Në krahasim me zërat e tjerë të buxhetit ky shkurtim do të ishte shumë i lartë. Për këtë propozim Van Rompuy mori kritika të ashpra nga organizatat profesioniste të ndihmës por edhe nga kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker. Nuk është aspak mirë për imazhin e BE-së të kursejë në kurriz të më të varfërve në botë, u shpreh Juncker për Deutsche Welle-n.

Kundër shkurtimeve në ndihmën për zhvillim - kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker.

Kundër shkurtimeve në ndihmën për zhvillim - kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker.

"Unë nuk arrij të kuptoj se si mund t'i shpjegohet pjesës tjetër të botës se për politikën për zhvillim tani vëmë më pak para në dispozicion. Unë e di se shumë vende anëtare po ulin në buxhetet kombëtare ndihmën për zhvillim. Ne luksemburgasit nuk e bëjmë këtë", tha Juncker pas samitit të dështuar për buxhetin në Bruksel. Evropa nuk duhet të largohet nga detyrat e saj në politikën për zhvillim. Është shumë e thjeshtë të kursesh në kurriz të më të varfërve, tha Juncker: "Kjo është e thjeshtë pasi ata nuk janë këtu. 24.000 fëmijët që vdesin çdo ditë nga uria në botë nuk janë në sallën e negociatave."

Ende gjithçka është e hapur

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së nuk i kanë miratuar ende shkurtimet në ndihmën për zhvillim, pasi plani financiar i BE-së nga viti 2014 deri 2020 nuk u aprovua. Kontribuesit neto dhe përfituesit neto në BE do të takohen përsëri në Bruksel në fund të janarit ose fillim të shkurtit vitin e ardhshën, për të arritur një kompromis për buxhetin. Deri atëherë grupi i lobiimit "Concord", një bashkim i një numri të madh organizatash joqeveritare në Bruksel, do të mbrojë me forcë buxhetin e ndihmës për zhvillim. "Dy muajt e ardhshëm do të t'i drejtohemi qeverive dhe shpresojmë që ato të cilat kontribuojnë më shumë në ndihmën për zhvillim të angazhohen më fort dhe t'u drejtohen edhe të tjerëve duke e vënë gishtin në plagë", thotë Lars Bosselmann, përgjegjës për buxhetin e BE-së në shoqatën "Concord". Kryeministrat e Suedisë apo Luksemburgut, të cilët angazhohen për ndihmën për zhvillim, duhet të shpjegojnë se kursimet këtu nuk janë të mundura dhe se në të vërtetë nuk bëhet fjalë për shumë para.

Një pjesëz e vogël nga torta e madhe

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy

Duhet të gjejë një kompromis për buxhetin - Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy

Nga rreth 1000 miliardë eurot që BE-ja planifikon të shpenzojë nga buxheti i përbashkët nga 2014 deri 2020, vetëm rreth 34 miliardë shkojnë për fondin e përbashkët të ndihmës për zhvillim. Ky fond special zhvillimi është i rezervuar për projekte ndihme në shtetet më të varfra në Afrikë, Karaibe dhe hapësirën e Paqësorit. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë dikur koloni të shteteve të BE-së. Për këtë arsye në këtë fond kontribuojnë më shumë ish-shtetet koloniale në perëndim dhe jug të Evropës.

Krahas fondit për zhvillimin për vendet më të prapambetura në buxhetin e përbashkët të BE-së ka edhe një numër fondesh të tjera të cilat kanë të bëjnë me politikën e zhvillimit. Më i madhi është "Instrumenti për bashkëpunim" me 23 miliardë euro për shtatë vjet. Ky fond është parashikuar për projekte në të gjitha vendet në zhvillim. Krahas këtij fondi ekzistojnë një fond për bashkëpunimin me fqinjët direktë në Evropën Lindore dhe Afrikën Veriore, një fond për kandidatët për anëtarësim në BE, një për të drejtat e njeriut e madje edhe një buxhet special për Grënlandën. Të gjitha së bashku ato grumbullohen në zërin e buxhetit "Marrëdhënie me jashtë", i cili ka një vëllim prej 66 miliardë eurosh për shtatë vjet.

Komisioneri i BE-së politikën e zhvillimit në Haiti.

Jetike për miliona njerëz -Ndihma e BE-së në vendet në zhvillim

Edhe shkurtimet më të vogla në fondin për politikën e zhvillimit mund të kenë efekte direkte në jetën e njerëzve, pranoi presidenti i Komisionit të BE-së Jose Barroso në një fjalim në Parlamentin Evropian. "Pyetjet që ngrihen janë: sa fëmijë shkojnë në shkollë me ndihmën evropiane? Sa fëmijë në vendet në zhvillim mund të vaksinohen ose jo?", u shpreh për Deutsche Welle-n Lars Bosselmann nga shoqata "Concord" në Bruksel. Natyrisht bëhet fjalë edhe për besueshmërinë e BE-së si një partner në politikën e jashtme. Vendeve në zhvillim u është premtuar se mjetet financiare do të shtohen në periudhë afatgjatë.

Shtetet e BE-së nuk e kanë arritur objektivin e tyre për të kontribuar me 0,7 për qind të produktit ekonomik vjetor në ndihmën për zhvillim. Për të arritur këtë objektiv deri në vitin 2015, siç planifikohet, ndihma duhet të rritet. Por për këtë nuk u dëgjua asgjë në diskutimet për buxhetin e BE-së.