1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor

Barbara Wesel26 Tetor 2015

Së paku vendet e Ballkanit Perëndimor u ulën të bisedojnë së bashku në Bruksel. BE ia doli të marrë premtimin që këto vende të mbajnë 100.000 refugjatë në qendrat e pranimit përgjatë itinerarit ballkanik.

https://p.dw.com/p/1Gu7b
Balkan-Gipfel in Brüssel am 25.10.2015
Samiti i BE-së me Ballkanin PerëndimorFotografi: picture-alliance/dpa/Olivier Hoslet

Angela Merkel nuk lodhet së përsërituri pas samitit të jashtëzakonshëm të BE-së të dielën në Bruksel (25.10) se: Kriza e refugjatëve është “njëra nga sprovat më të mëdha për Bashkimin Europian“. Por ajo e mënjanon përgjigjen e pyetjes, nëse ajo gjatë bisedimeve tetëorëshe në Bruksel me vendet e Ballkanit Perëndimor ka paralajmëruar rrezikun e fundit të BE-së. Sidoqoftë bisedimet kanë qenë „të vështira“ thuhet pas samitit.

Më hapur u shpreh kryeministri slloven, Miro Cerar kur tha se kërcënon fundi i Bashkimit Europian, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bashkëpunojnë më mirë. Në fund atij i mbeti shpresa që vendi fqinj, Kroacia, të mbajë premtimet që bëri në Bruksel, që të informojë sllovenët në rast të lëizjeve të karvaneve të rinj me refugjatë. Cerar formuloi qartë edhe frikën e tij më të madhe: Në rast se Gjermania dhe Austria mbyllin kufijtë dhe kjo mund të sjellë një bllokim të jashtëzakonshëm në Ballkan. „Kjo do të ishte një katastrofë“, tha Cerar.

Brüssel Belgien Flüchtlingsgipfel Sondergipfel Angela Merkel Jean-Claude Juncker
Merkel me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude JunckerFotografi: Reuters/E.Vidal

Juncker ia doli mbanë me planin 17 pikësh

Politika e shtyrjes së problemit tek tjetri duhet të marrë fund. “Pa regjistrim, asnjë e drejtë”, e bëri të qartë konkluzionin më të rëndësishëm nga ky takim, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Informimi i vendeve fqinje për lëvizjen e fluksit të refugjatëve ishte një tjetër pikë ku ranë dakord krerët e qeverive pjesëmarrëse në takim. Po ashtu përgjatë itinerarit ballkanik do të ngrihen 50.000 vende strehimi në çadrat e organizatës së OKB-së, UNHCR.

Komisioneri i OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres bëri fjalë për një situatë kaotike në një kohë që dimri po afron. Nuk ka dyshim që fluksi i refugjatëve duhet kontrolluar, dhe në plan afatmesëm, BE mund ta garantojë azilin, vetëm po qe se ruhet solidariteti. Por “një shpërndarje e drejtë” ashtu si e kërkon Angela Merkel nuk ishte në rendin e ditës në Bruksel.

50.000 vende të reja strehimi në qendrat e pranimit duhet të ngrihen në Greqi. Sllovenia dhe Hungaria sulmuan grekët që nuk i ruajnë si duhet kufijtë e tyre me Turqinë dhe i lejojnë refugjatët të kalojnë tranzit pa i regjistruar. Po ashtu ashpër u kritikua edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, sepse ai deklaroi hapur se është në pozicionin e vëzhguesit në këtë takim. Hungaria, me mbylljen e kufijve bëri që fluksi i refugjatëve të marrë drejtimin e Kroacisë dhe Sllovenisë.

Ndërsa kryeministri grek, Aleksis Tsipras duhet ta ketë ndjerë në Bruksel presionin e fortë vendeve të tjera të BE-së. Për herë të parë ai bëri fjalë për pesë qendra të reja regjistrimi, të gatshme deri në fund të vitit. Por duke kujtuar se si ka vepruar Athina deri më tani lidhur me këtë çështje, nuk është e qartë nëse Tsipras do t'u qëndrojë ujdive. Vetë kryeministri grek kritikoi që në këtë takim nuk ishte e ftuar qeveria turke. Pa Turqinë nuk ka asnjë zgjidhje, tha Tsipras. Me këtë ai është i një mendimi me kancelaren Merkel, e cila ka shumë shpresa tek bashkëpunimi me Ankaranë. Por Merkel pranoi se një marrëveshje emigracioni do të kërkojë ende shumë kohë.

Brüsseler Flüchtlings-Gipfel Alexis Tsipras Angela Merkel
Merkel me kryeministrin grek, TsiprasFotografi: Getty Images/AFP/J. Thys

Plan për zbutjen e krizës emergjente

Kancelarja Merkel kritikoi qëndrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor se „pamjet e ditëve të fundit mbi gjendjen e refugjatëve nuk i përgjigjen vlerave europiane“. Ajo shpreson që pas takimit të së dielës, të gjitha vendet të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Kush nuk e përballon dot furnizimin e refugjatëve duhet të marrë ndihma nga fondi i mbrojtjes civile të BE-së, ofroi presidenti i KE-së, Juncker. Me këtë do të ofrohen së paku batanije dhe çadra, po ashtu 400 policë që do të ofrojnë ndihmë të posaçme në Slloveni.

Kthimi në Pakistan dhe Afganistan

„Tani bëhet fjalë për të vendosur rregull në gjendjen aktuale“, deklaroi Merkel në fund. Në plan afatmesëm ajo shpreson në përmirësimin e pranimit të refugjatëve në Greqi dhe në bashkëpunimin me Turqinë. Përveç kësaj refugjatët nga Bangladeshi apo Pakistani, të cilëve nuk i është njohur e drejta e azilit do të kthehen më shpejt. Komisioni i BE-së duhet të negociojë për marrëveshje kthimi me Afganistanin. “Por ato, për të cilat kemi rënë dakord këtu, nuk i zgjidhin të gjitha problemet”, është e vetëdijshme kancelarja gjermane. Për një shpërndarje të drejtë të refugjatëve duhen hapa të tjerë. Ministrat e Brendshëm të BE-së do të takohen sërish pas dy javësh për të debatuar për këtë problem.

Angela Merkel nuk kthehet me shumë ujdi në valixhe në Gjermani. “Shqetësimi ynë më i madh”, e ndihmon Jean Claude Juncker kancelaren, “ishte që disa besonin se Gjermania, Suedia dhe Austria duhet t'i zgjidhnin vetë të gjitha problemet”. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë larguar tani nga ky pozicion, thotë në fund Juncker. Nëse edhe vendet e Ballkanit Perëndimor mendojnë kështu, këtë do ta shohim në ditët e ardhshme.