1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE me mision ushtarak në mbrojtje të ndihmës humanitare për Libinë

Bashkimi Evropian ka vendosur konceptimin e një misioni të mundshëm ushtarak të BE-së në mbrojtje të ndihmës humanitare në Libi. Hapi tjetër është përpilimi i planit operativ për misionin e BE-së.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen në takimin e ministrave të jashtëm të Aleancës në Berlin. 14.4.2011

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen në takimin e ministrave të jashtëm të Aleancës në Berlin. 14.4.2011

Vendimi zyrtar për një plan konkret për një mision të tillë të BE-së u mor vetëm pasi Suedia dha miratimin e saj, pas kundërshtimeve të mëparshme, njoftuan diplomatët e BE-së të premten. Si hap tjetër shtetet e BE-së duhet të përgatisin një plan operativ, i cili gjithashtu duhet të miratohet nga shtetet e BE-së.

Kusht për një mision ushtarak nën flamurin e BE-së është një kerkesë e zyrës së OKB-së për ndihma humanitare, të cilën BE nuk e ka. Trupat e BE-së mund të shoqërojnë anije që çojnë ndihma humanitare në qytetin e pushtuar nga trupat e Gaddafit, Misrata. Gaddafi kishte bërë të ditur në fillim të javës një rezistencë të ashpër kundër "çdo lloj afrimi të territorit libian nën pretekstin e ndihmës humanitare".

Gjermania, ndryshe nga misioni ushtarak i NATO-s, do të jetë pjesë e misionit ushtarak të BE-së. BE dhe NATO duan t'i koordinojnë misionet e tyre.

Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë rreth politikës për Libinë

Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Berlin u ra dakord që të zhvillohet një takim i shpejtë në nivel ambasadorësh për të mënjanuar misionet e dyfishta, BE NATO. Për herë të parë që prej vitit 1966 Gjermania ishte mikpritëse e një takimi të tillë në Berlin, në të cilin erdhën 60 delegacione, edhe nga shtetet arabe si Jordania, Katari dhe Maroku.

Dy javë pas fillimit të operacionit të NATO-s "Unified Protector" në horizont nuk duket aspak mundësia e armëpushimit. Më shumë se 2.000 misione kanë kryer avionët ushtarakë të NATO-s deri tani. Ky është bilanci që paraqiti sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, 900 herë avionët kanë sulmuar infrastrukturën ushtarake të Gaddafit:

"Edhe dje bombarduam sërish bunkerë, raketahedhës dhe sisteme radarësh, madje në rajone kyç në afërsi të Misratës dhe jashtë Tripolit."

Takimi informal i ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin.

Takimi informal i ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin.

Sulmet do të vazhdojnë aq kohë sa trupat e Gaddafit të mos sulmojnë më civilët dhe të tërhiqen plotësisht në kazerma, theksoi Rasmussen duke iu referuar rezolutës së OKB-së 1973, baza e misionit të NATO-s sipas të drejtës ndërkombëtare. Ritmi i deritanishëm i operacionit do të vazhdojë, thanë ministrat e jashtëm të NATO-s. Pra sulmet nuk do të shtohen, siç kishin kërkuar Britania e Madhe dhe Franca. Por taktika do të ketë një riorientim, pasi ndërkohë edhe Gaddafi i ka ndryshuar veprimet ushtarake.

"Trupat e Gaddafit i fshehin tani armatimet e tyre të rënda në zona me dendësi banorësh. Më parë ishte më e lehtë për ne t'u afroheshim objektivave. Por m.q.s. duam të shmangim viktimat civile, na duhen më shumë avionë ushtarakë, të cilët mund të kryejnë me shumë saktësi sulme ndaj objektivave në tokë."

Kritika për Gjermaninë

Qendrime të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit në Libi - ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle dhe homologu i tij francez Juppé.

Qëndrime të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit në Libi - ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle dhe homologu i tij francez Juppé.

Vendet e tjera të NATO-s, si Franca apo Luksemburgu, shohin me sy kritik mospjesëmarrjen e ushtrisë gjermane në sulmet ajrore në Libi. Aq më e madhe ishte habia për gatishmërinë e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle për të marrë pjesë me ushtarë në një mision të mundshëm humanitar. Në takimin e Berlinit Westerwelle theksoi disa herë se Gjermania në asnjë mënyrë nuk është e izoluar në NATO.

"Në çështjen e Libisë ka në thelb një dallim të vetëm: kjo është çështja e rrugës drejt një objektivi të përbashkët. Ky është dallimi i vetëm. Gjermania ka vendosur që të mos marrë pjesë në një mision ushtarak në Libi. Por kjo nuk do të thotë që ne jemi neutralë. Ashtu si francezët dhe bashkësia ndërkombëtare, ne jemi të mendimit se Libia mund të ketë vetëm atëherë një të ardhme të mirë, nëse diktatori Gaddafi largohet."

Por aktualisht nuk duket se kjo do të ndodhë. Kështu durimi është motoja e momentit në NATO, edhe pse kritikët paralajmërojnë që tani se kjo luftë nuk mund të fitohet nga ajri. Por aleanca nuk ka një plan B, nëse operacioni ushtarak do të mbetej pa sukses të qendrueshëm.

Autor: Nina Werkhäuser / Eliana Xhani/AG/Arapi

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM