1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE me 30 masa të reja për Greqinë

Iniciativa e re e BE-së për rritjen ekonomike dhe punësimin në Greqi pritej me mjaft interes. Prezantimi i presidentit të Komisionit të BE-së Barroso nuk solli të papritura.

Barroso flet para Parlamentit Evropian

Barroso flet para Parlamentit Evropian

Dokumenti i ri i BE-së përmban gjithsej 30 masa të menjëhershme për përmirësimin e aftësisë konkurruese të Greqisë, të cilat janë të parashikuara edhe në programin aktual të kursimeve për vendin e zhytur thellë në borxhe, por që nuk janë realizuar ende. Ato janë të kontestuara në fushatën elektorale në Greqi. Bëhet fjalë ndër të tjera për privatizimin e centraleve elektrike shtetërore, rikapitalizimin e bankave greke e deri tek reformat e pensioneve, të cilat nevojiten urgjentisht por që vazhdojë të shtyhen. Në iniciativën e BE-së nuk janë parashikuar ndihma të reja direkte për Greqinë. Edhe roli i Bankës Qendrore Evropiane si mbrojtëse e stabilitetit të monedhës së përbashkët, nuk vihen në pikëpyetje.

Dokument i ri, koncepte të vjetra

Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso tërhoqi vëmendjen në Strasburg se Greqia merr tashmë mjaft para nga Brukseli. Mjetet financiare që i kanë shkuar vendit nga fondi strukturor, nga huatë dhe falja e borxheve për pjesën private, sipas Barrosos arrijnë në 177 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Kjo është një shenjë e qartë e solidaritetit të Evropës, u shpreh Barroso para Parlamentit Evropian. Komisioni ndërmerr përpjekje gjigante për t'i ardhur në ndihmë Greqisë të mbahet në këmbët e veta. Ky kurs do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në raportin aktual të BE-së si problemi më i madh i Greqisë identifikohet administrata krejtësisht joefikase e vendit, e cila aktualisht nuk është në gjendje të zbatojë reformat, të mbledhë taksat dhe të hapë tregjet për më shumë konkurrencë. Para së gjithash firmat e vogla dhe të mëdha vuajnë nga burokracia dhe korrupsioni në administratë. "Reformimi i Greqisë duhet të fillojë me modernizimin e administratës", gjykojnë ekspertët e Komisionit.

Urgjente reformat në administratë

Por edhe të punësuarit në sektorin privat do të përballen me masa. Ekspertët e BE-së presin që marrëveshjet kolektive tarifore në Greqi të lihen mënjanë dhe që pagat në sektorin privat të ulen edhe 15 për qind më shumë deri në vitin 2014. Kështu synohet rritja e aftësisë konkurruese të ekonomisë greke.

Parlamenti Evropian në Strasburg

Parlamenti Evropian në Strasburg

Por Barroso pati edhe fjalë miqësore: "Greqia dhe populli i saj meritojnë mbështetje. Grekët kanë bërë sakrifica të mëdha për vënien në zbatim të programit të dytë të kursimeve." Nëse të gjithë në Greqi janë të vendosur dhe BE jep mbështetjen e tij, Greqia mund të realizojë një ndryshim pozitiv, u shpreh presidenti i Komisionit të BE-së.

Konsolidim i buxhetit dhe rritje ekonomike

Potenciali më i madh i rritjes në BE është përsosja e tregut të brendshëm, theksoi Barroso. "Ne kemi nxjerrë mësime nga e kaluara. Ne nuk mund t'i lejojmë vetes rritje të financuar nga borxhet, ku disa sektorë zhvillohen në kurriz të të tjerëve."

Olli Rehn, Bruksel

Olli Rehn, Bruksel

Komisioneri i BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, shtoi se duhet shmangur një debat shumë ideologjik për administrimin e buxhetit. Gjatë viteve të kaluara borxhi shtetëror i të gjitha shteteve anëtare të BE-së është rritur mesatarisht 60 deri 90 për qind të PBB. Për këtë arsye konsolidimi i buxhetit është sot po aq i rëndësishëm sa nxitja e rritjes ekonomike, tha Rehn.

Autor: Jani Papadimitriou/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi