1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Masa për kufizimin e bizneseve të rrezikshme bankare

dpa/reuters/dw30 Janar 2014

Komisioni Evropian synon t'i detyrojë bankat më të mëdha të Evropës që t'i ndajnë rreptësisht transaksionet e rrezikshme financiare prej kursimeve të klientëve të tyre.

https://p.dw.com/p/1AzD5
Fotografi: picture-alliance/dpa

Propozimet e komisionerit të BE-së Michel Barnier për rregullimin bankar lidhen me ndalimin e tregtisë individuale të bankave me produkte te tilla si deviza, letra me vlerë, metale të çmuara etj. si dhe ndarjen e disa bizneseve të caktuara.

Sidomos përmes tregtisë individuale shumë banka kanë pësuar humbje të mëdha në miliarda gjatë krizës financiare duke shkuar thuajse në buzë të greminës. Banka gjermane Deutsche Bank , e cila sipas Barnier do të preket prej rregullores së BE-së për shkak të madhësisë së saj, e ka ulur sipas të dhënave të saj tregtinë individuale në masë të madhe. "Kjo është pjesa e fundit e masave për rregullimin e madh të sektorit tonë financiar, " tha Barnier , duke iu referuar përparimeve në ndërtimin e Bashkimit Bankar. Gjermania , e cila tashmë i ka miratuar rregullat kombëtare për ndarjen bankare, nuk ka nevojë t'i ndryshojë ligjet e saj . Megjithë këto masa nuk mungojnë zërat kritikë që thonë se planet e Komisionit Evropian janë më pak të forta nga sa ishte planifikuar fillimisht dhe u lënë bankave shumë liri veprimi.

Michel Barnier Pressekonferenz zur Regulierung von Großbanken Brüssel 29.01.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rregullat kufizuese në Gjermani

Në Gjermani bankat janë të detyruara që deri në korrik 2015 ta delegojnë nga një nivel i caktuar e lart tregtinë individuale tek një filiale e tyre, në mënyrë që ky biznes të jetë ekonomikisht i pavarur nga biznesi tradicional i depozitave bankare. Propozimi i Barnier parashikon që t'ua ndalojë bankave të mëdha krejtësisht tregtinë inidividuale, në qoftë se qëllimi i vetëm i kësaj tregtie është maksimizimi i fitimeve. Megjithatë sipas kritikëve ky kusht është formuluar aq ngushtë, saqë zor se prej tij do të preket ndonjë bankë.

Përveç kësaj , sipas ideve të Barnier autoritetet mbikëqyrëse kombëtare duhet të kenë të drejtë të kërkojnë prej bankave që ta transferojnë tek një institucion tjetër përkujdesjen për tregun dhe tregtinë me derivate komplekse nëse kapërcehet një shumë e caktuar. Nëse banka mund të dëshmojë se është në gjendje t'i minimizojë rreziqet në mënyra të tjera, ajo nuk ka nevojë t'i ndajë sipas planeve të Barnier këto transaksione. Autoritetet duhet të kenë të drejtë të fillojnë me këtë zbatimin e ndarjes në vitin 2018 , kurse ndalimi i tregtisë individuale të bankave që një vit më parë. Tregtia në obligacione qeveritare të vendeve të BE-së nuk preket nga kjo rregullore.

Rregullore placebo

Këto rregulla do të vlejnë për bankat që kanë një bilanc të përgjithshëm që shkon në më shumë se 30 miliardë euro dhe kanë një vëllimit tregtimi prej më shumë se 70 miliardë euro ose dhjetë për qind të pasurisë së tyre të përgjithshme. Sipas Komisionit Evropian të prekura nga këtë masa do të jenë rreth 30 banka në Evropë. Barnier përmendi shembullin e bankës gjermane Deutsche Bank, asetet e përgjithshme dhe shuma e bilancit të së cilës janë sa 80 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë. Ekspertët besojnë se edhe banka Commerzbank dhe disa banka rajonale gjermane do të preken nga rregullat e BE-së.

Se ç'formë do të kenë në fund rregullat e BE-së nuk dihet ende. Parlamenti aktual i BE-së nuk mund të votojë më për to përpara zgjedhjeve të majit. "Ne nuk do të lejojmë që Parlamenti Evropian të miratojë këtë propozim të zbutur, " deklaroi eurodeputeti gjerman i CSU-së Markus Ferber. Ai është për një ndarje të qartë të biznesit të investimeve. Europarlamentari i të Gjelbërve Sven Giegold i quajti propozimet e Barnier një "rregullore placebo".

Markus Ferber CSU
Fotografi: picture-alliance/dpa

Bankat universale

Propozimet e Komisionit të BE-së bazohen në propzimet e guvernatorit të Bankës së Finlandës Erkki Liikanen. Ministria gjermane e Financave i quajti pozitive propozimet e komisionerit Barnier, sepse vazhdon të ruhet sistemi i bankave universale. Guvernatori i Bankës së Francës Christian Noyer i quajti propozimet e Barnier të papërgjegjëshme dhe që drejtohen kundër intersave evropiane. Edhe Lidhja e Bankave Gjermane mendon se propozimet e Komisionin përbëjne rrezik për bankat, sepse ato nuk mund t'u ofrojnë klientëve atë vëllim shërbimesh si deri tani.