1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE - "Masa nukleare" ndaj Polonisë

Komisioni Evropian i kërkon Polonisë në formë ultimative që ta ndalë reformën e gjyqësorit duke kërcënuar me heqjen e së drejtës së votës si vend anëtar.

Koha e formulimeve të kujdesshme ka marrë fund. Në qoftë se kjo reformë gjyqësore do të zbatohet "gjyqtarët do të punojnë sipas dëshirës së lidershipit politik". Me këtë paketë legjislative, e cila si zgjedhjen e gjyqtarëve më të lartë edhe mbikëqyrjen e juridiksionit të tyre ia kalon si kompetencë qeverisë, "pavarësia e gjyqësorit në Poloni po shfuqizohet", thotë zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.

Thirrja e fundit për të ndryshuar drejtim

Komisioni i BE-së në Bruksel ka rreth një vit e gjysmë që merret me kursin e qeverisë polake, që konsiderohet gjithnjë e më tepër si anti-demokratik. Pas paralajmërimeve pasoi një procedurë verifikimi për reformën e gjyqësorit në Poloni. Rekomandimet e bëra Varshava nuk i mori para sysh. Tani po reagon Komisioni i BE-së.

Belgien-EU Vize-Präsident der EU-Kommission Frans Timmerman (Getty Images/AFP/E. Dunand)

Frans Timmermans

"Këto reforma janë të papajtueshme me kushtetutën polake. Por me heqjen e Gjykatës Kushtetuese të pavarur, kjo gjë tani nuk mund të verifikohet më", tha Frans Timmermans. Sipas tij është e qartë se paketa legjislative nuk është në përputhje as me vlerat dhe parimet evropiane, sipas të cilave shtetet anëtare duhet të kenë me detyrim strukturat demokratike. Dhe në të bëjnë pjesë edhe ndarja e pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë.

Masa nukleare

Në rast se të gjitha përpjekjet për ta detyruar qeverinë polake të heqë dorë prej qëndrimit të saj dështojnë, Komisioni kërcënon me "masa nukleare”. Në gjuhën e Brukselit me këtë nënkuptohen sanksionet më të rënda ndaj një vendi anëtar. Fjala është për heqjen e së drejtës së votës në Këshillin Evropian. Kjo parashikohet në nenin 7 të Marrëveshjes së Amsterdamit. Kjo masë ndaj vendeve që devijojnë nga rruga demokratike u përfshi në këtë marrëveshje në vitin 1999, me rastin e zgjerimit të BE-së drejt lindjes. Deri tani kjo masë nuk është zbatuar ndaj asnjë vendi.

Procesi për heqjen e së drejtës së votës në Këshillin Evropian një vendi anëtar kalon në dy faza. Së pari këtë duhet ta miratojë Parlamenti Evropian, më pas Këshilli Evropian. Por në këshill nevojitet vendim unanim dhe presidenti i Hungarisë Viktor Orban ka deklaruar se do të votojë kundër, sepse e konsideron qeverinë polake si mike politike.

Sanksion me vend?

Nëse sanksionet me të cilat kërcënohet Polonia do të zbatohen, është e paqartë. Parlamenti Evropian i dënoi në një letër të hapur projektligjet polake që i konsiderojnë si dobësim të drejtësisë.

Polens Oberstes Gerichtshof (Picture alliance/PAP/M. Obara)

Gjykata Kushtetuese polake

Por Marc Pierini nga fondacioni Carnegie Europe dyshon në rezultatin e një procesi ligio në BE. Sipas tij luftimi i populizimit është detyrë e qytetarëve të një vendi. Vendimtare sipas tij janë votat e qytetarëve. Dhe rezultati pozitiv në Holandë dhe në Francë duhet t'u japë zemër politikanëve. Por meqë në Hungari dhe në më pas në Poloni liria e shtypit është kufizuar së tepërmi, në zgjedhjet e ardhshme shtrohet vërtet pyetja nëse ato do të jenë të lira.

Një mundësi tjetër është që Varshavës t'i shkurtohen paratë që merr nga Brukseli. Komisionerja e BE-së për drejtësinë Vera Jourova tha në një intervistë për Neue Osnabrücker Zeitung" se kusht për marrjen e mbështetjes financiare nga Brukseli duhet të jetë respektimi i të drejtave themelore dhe parimeve të shtetit ligjor. Sipas saj „taksapaguesit gjermanë apo suedezë nuk duan që me paratë e tyre të paguajnë vendosjen e një lloj diktature në një vend tjetër të BE-së."

Edhe kancelarja Angela Merkel u shpreh në samitin e fundit në Bruksel se shkurtimi i parave për Varshavën është një mundësi.