1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kritikon dhunën në fushatën elektorale në Shqipëri

11 Qershor 2013

Klima elektorale acarohet nga incidente të dhunshme. Përfaqësia e BE kujton se shmangia e dhunës është ndër standardet evropiane më të rëndësishme.

https://p.dw.com/p/18nvV
Fotografi: fotolia/macky_ch

Ushtrimi i dhunës që e ka lënë në një gjëndje të rëndë një kandidat për deputet nga Fryma e Re Demokratike në qarkun e Fierit, kërcënimi me jetë për kryetarin e Partisë Lidhja Demokristiane e Shqipërisë, janë incidentet e fundit që e kanë acaruar klimën fushatën elektorale në Shqipëri. Më herët janë raportuar dhe akte vandalizmi ndaj zyrave elektorale të subjekteve a kandidatëve të ndryshëm, heqje e dhunshme ose pengim për vendosjen e simboleve partiake në ambjente publike etj.

Përballë kësaj situate ka reaguar të martën pasdite dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Në një komunikatë për median shprehej se ishte në ndjekje nga afër të të gjithë dinamikës së procesit elektoral.

Zentrum von Tirana Albanien
Fotografi: Mimoza Dhima

"Ndër standardet evropiane dhe ndërkombëtare që presim të zbatohen, një ndër më të rëndësishmit është shmangia e dhunës, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve që zgjedhjet të zhvillohen në një mjedis të qetë dhe paqësor," thuhej në komunikatë, duke shtuar dhe apelin se "presim që partitë politike t'u japin udhëzime të rrepta anëtarëve dhe mbështetësve të tyre në lidhje me këtë".

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri priten të mbahen më 23 Qershor 2013 dhe krahas ekipit të vëzhguesve të misionit të OSBE/ODIHR-it prezent do të jetë dhe një delegacion i Parlamentit Europian, që mbulon çështjet e Europës Juglindore.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi