1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE Kosovës: Mos nxitoni në shpalljen e pavarësisë!

Bernd Riegert19 Nëntor 2007

Gjatë takimit të MPJ në Bruksel nuk u arrit ndonjë qëndrim i përbashkët, në lidhje me çështjen nëse BE-ja do ta njihte apo jo një pavarësi të njëanshme të Kosovës.

https://p.dw.com/p/CJL5
Disa nga MPJ të BE-sëFotografi: AP

BE-ja ka një qëndrim të përbashkët në lidhje me Kosovën, u tha MPJ austriake Ursula Plassnik, reporterëve që po prisnin, por ajo nuk deshi të sqaronte, se cili është ky qëndrim. Ndërkohë edhe pse jozyrtarisht është e qartë se shumica e shteteve të BE-së do ta njihte pavarësinë e Kosovës, në rast se kryeministri i ri i saj Hashim Thaçi do ta shpallte atë pas 10 dhjetorit, shumë shtete të BE-së u kërkuan shqiptarëve të Kosovës që të mos nxitohen në shpalljen e pavarësisë.

"Një zgjidhje e arritur përmes bisedimeve dhe marrëveshjes është shumë më e mirë se sa shpallja e njëanshme e pavarësisë, e cila prej disa shteteve do të pranohej dhe prej disa shteteve të tjerë jo." - tha në Bruksel MPJ gjerman Frank-Valter Shtainmajer.

Kosovo Wahlen, Demo für Unabhängigkeit
Demonstratë për pavarësinëFotografi: AP

Thaçi duhet të ketë kujdes

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, i kërkoi kryeministrit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm për njohjen e pavarësisë: "Kosova është de facto e pavarur prej Serbisë dhe unë nuk mendoj se tani ajo do të bëhet e pavarur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Kosovarët e duan mbështetjen e NATO-s dhe të BE-së në çdo drejtim. Ai, pra Hashim Thaçi, nuk duhet ta ndajë Kosovën prej bashkësisë ndërkombëtare. Unë i rekomandoj atij që të kujdeset për unitetin e Kosovës dhe ata që nuk morën pjesë në votime."

Carl Bildt
MPJ i Suedisë, Carl BildtFotografi: AP

Në lidhje me njoftimet se në rajon po krijohen grupe milicësh dhe se serbë të gatshëm për dhunë mund të shkaktojnë trazira në Kosovë, MPJ i Luksemburgut Jean Asselborn tha: "Në një rast të tillë projeti i paqes për Evropën do të dështonte. Nuk e besoj një gjë të tillë, dhe mendoj se tetë milionë serbët do të vendosin për Perëndimin, për të ardhmen, për një integrim në Evropë dhe jo për armët."

Qipro dhe Greqia më rezistentet kundër pavarësisë

Jean Asselborn, kërkoi që problemi i Kosovës të mos reduktohet vetëm në çështjen e statusit. E rëndësishme është që t'u ofrohet një perspektivë të rinjve të Kosovës, që vuajnë nga papunësia.

Takimi i tanishëm në Bruksel nuk solli ndonjë përfundim. Por deri më 10 dhjetor, ditën kur MPJ të BE-së do të takohen sërish, ata duhet të arrijnë në një emërues të përbashkët në lidhje me statusin e Kosovës. Rezistencën më të madhe ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës prej BE-së e bëjnë Qiproja dhe Greqia.