1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE kërcënon Rusinë me sanksione ekonomike

Ministrat e Jashtëm të BE-së i kërkojnë Rusisë bashkëpunim me Ukrainën. BE-ja mund të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë që të premten.

BE pret që Rusia që të mos e destabilizojë më tej Ukrainën dhe të mbështesë planin e paqes të presidentit të sapozgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko. Ky është mesazhi i ministrave të Jashtëm të BE-së prej takimit të tyre në Luksemburg. I ftuar në takim ishte edhe ministri i jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin. Në se Rusia nuk tregohet e gatëshme që të bashkëpunojnë, krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mund të vendosin sanksione ekonomike ndaj Rusisë në takimin e tyre, që zhvillohet në Bruksel të premten.

Ministri i Jashtëm britanik, William Hague, tha: "Ne jemi të gatshëm për zgjerimin e sanksioneve, për këtë nuk duhet të dyshojë askush në Moskë." Masa të tilla do t'i prekin ndjeshëm të gjithë sektorët e Rusisë, por edhe vendet e BE-së . Gjermania, për shembull, ka marrëdhënie të gjera tregtare me Rusinë; Franca dëshiron t'i shesë dy anije luftarake Rusisë. Prandaj BE-ja mundohet të mbajë një lloj balance: ajo do ta paralajmërojë udhëheqjen ruse në mënyrë të qartë, por për interesat e saj do ta shmangë shkallën e tretë të sanksioneve, nëse është disi e mundur.

Marrëveshje asociimi me Ukrainë n

Ndërsa BE-ja i tregon Rusisë kartonin e kuq, ajo është duke u përgatitur nga ana tjetër, për një afrim të më tejshëm me Ukrainën, por edhe me Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Në rastin e Ukrainës, marrëveshja e asociimit me BE-në qe bërë gati që në kohën e presidenti Viktor Janukoviç, por ajo shkaktoi tensione me Rusinë. Tani që Ukraina zgjodhi një president të ri, BE-ja mendon se ka ardhur koha për ta bërë këtë hap dhe nënshkrimi do të bëhet në samitin e Brukselit ditën e premte.

BE-ja planifikon gjithashtu të dërgojë këshilltarë për policinë në Ukrainë. Por në të tria vendet shumë politikanë evropianë presin hakmarrje nga pala ruse, si në rastet e tjera kur ish-republikat sovjetike janë përpjekur për të dalë nga kthetrat e Rusisë. Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt tha në Luksemburg: "Rusia ka kërcënuar me të gjitha llojet e sanksioneve tregtare Kjo minon të drejtën e shteteve për ta përcaktuar vetë të ardhmen e tyre.".

Frikë nga zhvillimet në Lindjen e Mesme

Për sanksionet e mëtejshme ndaj Sirisë ministrat ishin të një mendjeje. Të 28 vendet ranë dakord në Luksemburg për të mos lejuar 12 ministra të qeverisë siriane që të udhëtojnë në vendet e BE-së, si dhe u bllokuan llogaritë bankare "për shkak të përgjegjësisë së tyre për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut." Pas një serie të gjatë e vendimesh për sanksione, tani në listën e sanksioneve ka rreth 200 persona nga rrethi i presidentit Bashar al-Asad me më shumë se 50 kompani dhe organizata. Megjithatë deri tani ato nuk kanë sjellë asgjë.

Megjithatë Assad duket gjithsesi tani se është thuajse problemi më i vogël në rajon. BE-ja ende nuk e ka të qartë se si do veprojë në lidhje me veprimet e rebelëve sunitë islamike ISIS në Irak. Aty ata mund të shkaktojnë një seri të re dhune dhe refugjatësh. Për Ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier qeveria e Irakut i ka marrë shumë pak në konsideratë pakicat: "Ajo që ka rëndësi tani, është formimi i një qeverie në Irak, që përfshin të gjitha rajonet dhe fetë."