1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE jo unik për armët e Ukrainës

Për të mos e rënduar takimin për krizën e Ukrainës në Minsk, BE nuk vendos sanksione të tjera kundër Rusisë. Por shtyrja e tyre nuk do të thotë anulim.

Ministrat e jashtëm

Ministrat e jashtëm

Ministrat e jashtëm të BE e kanë hedhur vështrimin të përqendruar drejt Rusisë. Në këto ditë, presidentët e Rusisë dhe të Ukrainës do të takohen së bashku me kancelaren gjermane dhe me presidentin francez për një takim të nivelit të lartë në Minsk të Bjellorusisë. Deri atëherë, ministrat do të tregohen të moderuar, për të mos e rrezikuar një sukses të mundshëm të takimit të nivelit të lartë. Lista për sanksionet e tjera të mundshme të Rusisë ndodhet në tryezë, por do të trajtohet vetëm të enjten, kur të takohen në Bruksel shefat e shteteve dhe të qeverive të BE në Bruksel. Vendimin formal, për të vënë persona të tjerë në listën e ndëshkimit, ministrat e jashtëm e kanë hartuar sipas planit, por hë për hë nuk do ta venë në jetë, bëri të ditur ministri francez i punëve të Jashtme, Laurent Fabius.

Vesna Pusic dhe Philip Hammond

Vesna Pusic dhe Philip Hammond

BE e akuzon Rusinë se mbështet separatistët prorusë në Ukrainën Lindore me armë dhe personel. Ministri i jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Garcia-Margallo bëri të ditur në Bruksel këtë llogari: BE humbi vitin e kaluar rreth 21 miliardë euro në tregti me Rusinë. Spanja vuan veçanërisht nga ndalimi i importit rus për produktet agrare dhe nga mungesa e turistëve rusë. Prandaj, oreksi i Spanjës është i kufizuar për të vendosur sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat mund të tërheqin kundërsanksione të Rusisë. Edhe shtete të tjera, si Italia ose Austria, janë skeptikë ndaj sanksioneve të reja.

Ndërsa ministri i Jashtëm britanik, Philipp Hammond tha se presioni ndaj Rusisë tani nuk duhet pakësuar. Ai tha se Britania e Madhe ka luftuar në anën e SHBA gjithmonë për sanksione të ashpra. Ministri i jashtëm i Lituanisë bën pjesë në BE në kampin e skifterëve. Linkas Linkevicius tha në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel se duhet të vazhdojë përgatitja e sanksioneve dhe duhet të jetë e mundur që ato të vendosen edhe brenda një kohe të shkurtër. "Puna duhet të vazhdojë. Komisioni Evropian i përgatit dhe kur të piqen kushtet, sanksionet do të zgjerohen. Vendimet duhet të merren në momentin e duhur, jo më vonë. Nganjëherë ato janë marrë me shumë vonesë", thotë Linkevicius.

Qendrim jo i njësuar për furnizimin me armë

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

Jo vetëm në çështjen e sanksioneve, por edhe në çështjen e furnizimeve të mundshme me armë për ushtrinë e Ukrainës po del në pah një lloj ndarjeje në BE. Shumica e ministrave të Jashtëm të BE i përjashton furnizimet me armë nga vendet e tyre, por nëse SHBA do të vendosin ta ndërmarrin këtë hap, ai do ta përshëndeste këtë, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë Linas Linkevicius. "Nëse do ta mbështesim këtë hap apo jo, këtë e vendosin SHBA. Unë do të thosha se ky do të ishte një hap logjik." Edhe dy republikat e tjera e tjera baltike, Estoni dhe Letoni si dhe Polonia nuk kanë gjë kundër dërgimit të armëve, po këtë çdo shtet duhet ta vendosë për veten e vet, thonë diplomatët e BE në Bruksel.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelarja Angela Merkel, ministri i Jashtëm Frank- Walter Steinmeier dhe ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e përjashtuan dërgimin e armëve në zonën e konfliktit. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz e përmblodhi kështu mendimin e shumicës së ministrave të Jashtëm në Bruksel: "E qartë duhet të jetë për mendimin tim se dërgimet e armëve nuk janë përgjigje, pavarësisht si do të kalojnë të mërkurën bisedimet. Më shumë armë në rajon janë përshpejtuese të zjarrit dhe do të çonin në një shkallëzim të mëtejshëm të situatës dhe definitivisht jo në qetësimin e saj. Sido që të përfundojë takimi të mërkurën, dërgimi i armëve nuk mund të jetë opsion."