1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE: Jo azilim, por ndihma për integrimin e romëve në vendet e tyre

Në Gjermani është rritur numri i kërkesave për azilim i romëve nga Serbia dhe Maqedonia. Për BE nuk ka arësye për azilimin, por synohet që romët të ndihmohen në vendet prej nga vijnë për t'i bërë ballë varfërisë.

Autoritetet gjermane muajt e fundit kanë konstatuar rritje të numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia. Numri i tyre, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në shtator është rritur në 2450. Kjo shifër është dy herë më e lartë se në gusht. Në tetor shifrat do të zhvillohen ngjashëm, sipas një parashikimi. Shumica e azilkërkuesve i përkasin grupit etnik të romëve. Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich bën fjalë për "miq të paftuar" dhe "abuzim me të drejtën e azilimit". Ai deklaroi, se do të përforcojë Zyrën Federale të Migracionit me policë federalë, për të përshpejtuar procedurat e azilimit. Shumica e romëve nuk largohen nga vendet e tyre për shkak të përndjekjes politike, por për shkak të varfërisë dhe kushteve të vështira ekonomike.

Komisioni i BE-së: Romët nuk kërkojnë azilim

Udhëtimi për në Gjermani, Francë apo në vende të tjera evropiano-perëndimore është për romët nga Maqedonia dhe Serbia relativisht i lehtë. Qysh nga fundi i vitit 2009 qytetarët nga këto dy vende s'kanë nevojë për vizë, por mjafton që të paraqesin një pasaportë të rregullt dhe mund të udhëtojnë si turistë. Nëse romët paraqesin kërkesë për azilim ato i strehojnë në qendra azilkërkuesish dhe pas dy ose tri muajsh i kthejnë në atdhe. Zdhënësi i Komisionit të BE-së Michele Cercone tha të hënën(15.10.2012)në Bruksel, se për romët nga Serbia dhe Maqedonia nuk mund të bëhet fjalë për azilkërkues të mirëfilltë. "Ne flasim për njerëz, të cilët vijnë përmes qarkullimit pa vizë nga Ballkani në BE. Problemi është, se një numër i madh syresh kanë paraqitur kërkesë për azilim. Në fund pothuajse gjithnjë konstatohet, se kërkesat janë të paargumentuara. Pikërisht nga këto dy rajone ka shumë kërkesa. Ato krijojnë një ngërç dhe një problem të madh në sistemet e azilimit të vendeve të prekura."

Michele CERCONE

Zdhënësi i Komisionit të BE-së Michele Cercone

Strategjitë për integrimin e romëve ende të pazbatuara

BE-ja e ka të qartë, që romëve në vendin e tyre shpesh u duhet të jetojnë në kushte të vështira, por në thelb mjerimi ekonomik nuk përbën arësye për të fituar të drejtën e azilimit. Komisarja e BE-së për Drejtësinë dhe të Drejtat Civile, Vivian Reding, duke prezantuar politikën e përbashkët ndaj romëve në maj të këtij vitit publikoi shifra tronditëse. "45 përqind e romëve të anketuar jetojnë në apartamente pa kuzhinë, pa banja dhe pa elektricitet. Një në tre romë është i papunë. 20 përqind nuk kanë sigurim shëndetësor dhe 90 përqind jetojnë nën kufirin e varfërisë. Kjo është alarmuese." Në maj 27 vendet anëtare të BE-së pas shumë vite diskutimesh paraqitën planet kombëtare të aksionit për përmirësimin e gjendjes së romëve. Dhjetë deri në dymbëdhjetë milionë romë jetojnë në Evropë, ky është minoriteti më i madh në kontinent. Vendet anëtare të BE-së e pranojnë, se romët vuajnë nga diskriminimi dhe kanë akses të kufizuar në arsimim, punësim dhe në shëbrimet për përkujdesin shëndetësor. Deri në vitin 2020 romët duhet të integrohen më mirë. Kjo është parashikuar në një strategji të vendosur bashkarisht nga vendet anëtare të BE-së.

Deutschland EU EU-Kommissarin Viviane Reding

Komisarja e BE-së për Drejtësinë dhe të Drejtat Civile, Vivian Reding

Vendet e Ballkanit perëndimor nuk bëjnë përparime

Problemin më të madh në këtë drejtim e kanë shtetet e BE-së, të cilat krahasuar me vende të tjera anëtare janë të varfëra, pra Rumania dhe Bullgaria, thotë eurodeputetja Livia Jaroka. Konservatorja hungareze është vet rome dhe e angazhuar prej vitesh për integrimin e romëve. Në Rumani jetojnë rreth 535 000 romë, në Bullgari 370 000 dhe në Hungari 205 000. Livia Jaroka tërheq vëmendjen, se vendet kandidate për antarësim në BE nga Ballkani perëndimor nuk e ndjekin me vendosmëri çështjen e integrimit. "Ne shohim përpjekje të pakta në rajonin e ish-Jugosllavisë. Integrimi i romëve është në këto hapësira jo vetëm i ngadalshëm, por është i lënë krejt pasdore. Atje ka probleme të mëdha prej gati njëzet vjetësh." Deputetja kërkon, që vendet e Ballkanit t'i përdorin për romët paratë që u janë paguar atyre për këtë qëllim nga BE-ja gjatë bisedimeve të antarësimit. "Procesi i stabilizim-aoscijimit duhet të përdoret si levë për t'i integruar bashkësitë më të varfëra sa më shpejt në projektin evropian", thotë Livia Jaroka. Komisarja e BE-së për Drejtësinë Vivian Reding e mbështet atë: "Kur negociojmë me këto vende, çështja e romëve është gjithmonë në rendin e ditës. Kjo çështje duhet të zgjidhet, për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me BE-në."

Ministrat e Brendëshëm duan të rishqyrtojnë çështjen e vizave

Afatshkurtër bisedimet për integrimin e romëve nuk do ta ulin numrin e azilkërkuesve në Evropën perëndimore. Ndaj ministrat e brendshëm nga Franca, Austria, Luksemburgu, Belgjika dhe Gjermania i kanë kërkuar Komisionit të BE-së, që të shqyrtojnë çështjen e pezullimit të udhëtimit pa viza për Serbinë dhe Maqedoninë. Zëdhënësi i Komisionit të BE-së Michele Cercone konfirmoi, se ministrat e brendëshëm deri në fund të vitit duan të krijojnë një mekanizëm, për të rivendosur regjimin e vizave në situta "të jashtëzakonshme". Qeveria serbe të hënën (15.10 ofroi, që të marrë përsipër kostot për rreth 10.000 azilkërkuesit në mbarë Evropën. "Kjo është për ne më pak e kushtueshme se sa dëmi që krijohet, nëse nuk kemi më të drejtë të udhëtojmë pa viza", është shprehur sipas agjencisë BETA kryeminsitri serb Ivaca Dacic.

Të rinjië romë një potencial i pashfrytëzuar

Komisari i BE-së për Punën dhe Çështjet Sociale, Lazlo Andor, tërheq vëmendjen, se aktualisht politika e BE-së ndaj romëve është e shkruar vetëm në letër. Projektet për fushatat sensibilizuese dhe iniciativat konkrete nga 27 planet e aksionit në vendet anëtare duhet të vihen në zbatim. "Planet kombëtare të aksionit janë vetëm hapi i parë. Ne duhet të bashkëpunojmë shumë më mirë, për ta zvogëluar hendekun e dallimeve mes romëve dhe pjesës tjetër të popullsisë, në mënyrë që të mos lejojmë që ky hendek të thellohet dhe më shumë. " Në disa vende, si Rumania, romët e rinj përbëjnë rreth një të pestën e njerëzve, që janë në dispozicion në tregun e punës, thotë Lazlo Andor. Ky është një potencial i jashtëzakonshëm kreativiteti, që duhet të shfrytëzohet sot.