1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja para sfidash të mëdha në Ballkan

Si do të vazhdohet më tej me Ballkanin? Kjo ishte çështja që i preokupoi më së shumti të 27 Ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e tyre në Bërdo të Sllovenisë. Pa ndonjë rezultat të dukshëm.

Pamje nga takimi i Bërdos

Pamje nga takimi i Bërdos

Ministrat e Jashtëm të BE-së vazhdojnë ta mbështesin anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, por se si do të arrihet kjo në rastin e Serbisë dhe të Kosovës, mbetet me pikëpyetje edhe pas këtij takimi joformal. Serbia shikohet nga Bashkimi Evropian me të drejtë si një element i pashmangshëm i një Ballkani të qëndrueshëm. Çështja, ndaj të cilës, ministrat e jashtëm nuk kanë gjetur ende përgjigje, është se si mund të bindet Serbia për të mos vazhduar të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Sepse vetëm kështu të dy shtetet mund të pranohen dikur në bashkësinë evropiane.

Ministri i jashtëm serb pretendon që çështja e pranimit në BE është e shkëputur nga ajo e Kosovës, por kjo tezë nuk do të funksionojë gjatë. Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, në se ky nuk i njeh anëtarët aktualë ose të ardhshëm të tij. E kundërta vlen për Kosovën, e cila nga një pakicë vendesh anëtare nuk njihet si subjekt i pavarur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në se kjo nuk do të ndryshojë, atëherë edhe për këtë shtet më të ri të Ballkanit rruga për BE do të jetë e bllokuar.

Asnjë recetë magjike për Serbinë

Për Serbinë ministrat nuk gjetën ndonjë recetë magjike. Ata e joshin me marrëveshje për lehtësime vizash përkundër qëndresës nga ana e Holandës dhe Belgjikës, të cilët ngulin këmbë që të dorëzohen kriminelët e luftës. Në thelb mbetet vetëm një fije shprese, që në zgjedhjet parlamentare të majti të fitojnë partitë proevropiane dhe jo nacionalistët radikalë. Por as kjo nuk do ta ndryshonte qëndrimin e përgjithshëm ndaj Kosovës. Pavarësia refuzohet pothuajse nga të gjitha partitë.

Sllovenia nuk ia doli t'i ulte në një tryezë Thaçin dhe Jeremiçin Se sa qesharake është situata për dikë që nuk merret me diplomaci, e nxori në pah takimi i Bërdos. Kryesia sllovene nuk arriti t'i ulte në një tryezë kryeministrin e Kosovës dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë. Madje u shmangën edhe vetë takimet brenda ndërtesës. Vuk Jeremiçi takoi pikërisht ata ministra, ndaj vendeve të të cilëve i ka tërhequr ambasadorët, në shenjë proteste ndaj njohjes së Kosovës, dhe u kërkoi atyre që të mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE. Ministrat e jashtëm të BE-së, që nuk e njohën Kosovën, dëgjuan sqarimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për ta nga ana ligjore nuk ka asnjë post. Delegacioni i Kosovës përfaqësohej nga flamuri i OKB-së, ashtu siç e parasheh rezoluta 1244, për të shmangur kështu refuzimin e pjesëmarrjes serbe.
Nuk ka nevojë të jesh profet për të konstatuar që BE-ja duhet të punojë shumë për të shkoklavitur këtë gogël. Çështja ende e pazgjidhur mes Maqedonisë, që është kandidate për anëtarësim, dhe anëtares së vjetër, Greqisë, për çështjen e emrit, është vetëm maja e fundit e malit të problemeve. Po të përfshish edhe problemet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, shikon se BE-ja rrezikon t'i hapë vetes një sërë problemesh të brendshme, në se vendos t'i antarësojë ato më herët. Ballkanit duhet t'i thuhet: Vetëm kur të jenë zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve, ka ardhur koha për anëtarësim. Përndryshe BE-ja nuk do të ishte në gjendje të vepronte, sepse çdo vend anëtar do të bllokonte marrjen e vendimeve. Grindja disavjeçare mes Qipros dhe Turqisë, që është një vend kandidat, duhet të bëhet mësim.

  • Data 30.03.2008
  • Autor Bernd Riegert / Bërdo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DXBX
  • Data 30.03.2008
  • Autor Bernd Riegert / Bërdo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DXBX