1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja pa koncept të përbashkët për refugjatët

BE-ja është shumë larg një politike të përbashkët për refugjatët, për të mos folur pastaj për një politikë transparente.

Refugjatë në plazhin Kato Zacro në Kretë

Refugjatë në plazhin Kato Zacro në Kretë

Komisioneri evropian Jacques Barrot ka kërkuar prej vendeve anëtare një integrim më të mirë të refugjatëve brenda dhe jashtë vendeve të BE-së. Malta, Greqia, Italia dhe Spanja kanë nevojë për ndihma në këtë drejtim, deklaroi Barrot javën e kaluar në Bruksel. Propozimet për zgjidhjen e problemeve duhet të paraqiten deri më 2 shtator. Vendet e BE-së janë të interesuara që të ndalojnë futjen e refugjatëve në territorin e tyre, por deri tani nuk kanë paraqitur ndonjë koncept të përbashkët.

Italia, Malta dhe Greqia kërkojnë nga vendet më pak të prekura që të marrin një pjesë të refugjatëve

Shifrat ndryshojnë sikur edhe rrugët e kalimit, por fakt është që për vite të tëra me mijëra refugjatë arrijnë në territorin e BE-së përmes ujit dhe tokës. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 2005, kur komisioneri i atëhershëm, ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini deklaroi: “Një qëllim i rëndësishëm është parandalimi i krimeve të tmerrshme dhe i tregtisë me njerëz dhe natyrisht emigrimit ilegal. Me rëndësi është gjithashtu edhe solidariteti që duhet treguar ndaj njerëzve në gjendje të vështirë, të cilët përpiqen të vijnë në Evropë.“

Kohë të vështira për refugjatët në Itali

Kohë të vështira për refugjatët në Itali

Disa vende jugore, në veçanti Italia, Malta dhe Greqia pohojnë se janë të tejmbushura me refugjatë. Ato kërkojnë nga vendet më pak të prekura që të marrin një pjesë të refugjatëve. Por gatishmëria është e vogël, ndërkohë që çështja është e rregulluar në nivelin e vendeve anëtare. Ekziston agjencia e përbashkët e sigurimit të kufijve Frontex, por ajo ka vetëm rolin e koordinatorit dhe një buxhet modest.

Jo vetëm kontroll më i mirë i kufirit, por dhe luftimi i shkaqeve

Konsens ekziston në radhë të parë në përpjekjet për parandalimin e futjes së refugjatëve në territorin e BE-së, siç deklaroi edhe ministri i Brendshëm gjerman, Wolfgang Schäuble: “Përveç kontrollit më të mirë të kufirit, ata kanë nevojë edhe për luftimin e shkaqeve si dhe bashkëpunimin me vendet fqinje.”

Në vitin 2006 komisioneri i OKB-së për refugjatët, António Guterres, kërkoi prej BE-së më shumë transparencë: "Mbrotja më e mirë dhe gjetja e zgjidhjes së qëndrueshme në vendet nga vijnë është qëllimi kryesor. Por Evropa nuk duhet t'i shmanget përgjegjësisë, që atyre që kanë nevojë t'u ofrojë azil. Evropa është kontinenti i azilit dhe kështu duhet të mbetet."

Autoritetet italiane përpiqen t'i trajtojnë të gjithë refugjatët si emigrantë ilegalë

Eurodeputeti social-demokrat gjerman, Wolfgang Kreissl-Dörfler, ishte vetë për vizitë në kampin e refugjatëve në Lampedusa të Italisë, ku autoritetet përpiqen që të gjithë t'i trajtojnë si emigrantë ilegalë: "Tani të gjithë ata futen në një thes. Kjo është një dramë, sepse njëri është refugjat ekonomik, tjetri ka të drejtën e azilit. Në Greqi dhe Itali këto gjëra pjesërisht nuk lejohen fare. Ata nuk informohen për të drejtën e azilit, por menjëherë dërgohen në vendstrehimet për dëbime dhe largohen.“

Refugjatë në kampin e Lampedusës

Refugjatë në kampin e Lampedusës

Kreissl-Dörfler kritikon jo vetëm Italinë dhe Greqinë. Sipas tij, përvoja e Gjermanisë dëshmon një moral të dyfishtë të vendeve tjera: "Kur ne në Gjermani përjetuam valën e refugjatëve, në fillim të viteve 90-të me nga 280.000 refugjatë në vit, nga vendet tjera nuk erdhi asgjë. Vendet jugore kërkojnë tani solidaritet, ndërkohë që më parë nuk kanë treguar kurrë një gjë të tillë.“

Duket se BE-ja është shumë larg një politike të përbashkët për refugjatët, të mos flasim pastaj për një politikë transparente.

Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 02.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNbZ
  • Data 02.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNbZ