1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja në modus kaosi: Çdokush bën atë që do!

Debati për pranimin dhe shpërndarjen e refugjatëve në BE ka mbetur në vend. Por të paktën BE-ja bie dakord për ruajtjen e të dhënave të pasagjerëve të avionëve.

Gjendja është e keqe në Bruksel. Vendet anëtare të BE janë të zemëruar me Greqinë, sepse Athina as nuk mbron kufijtë e jashtëm me Turqinë, as nuk regjistron siç duhet emigrantët. Përveç kësaj debati për pranimin dhe shpërndarjen e refugjatëve ka mbetur në vend, për shkak se dallimet mes evropianolindorëve dhe Gjermanisë dhe Suedisë duken të patejkalueshme. Dhe qëkurse Sllovakia dhe Hungaria janë ankuar në Gjykatën Evropiane kundër vendimit për shpërndarjen e refugjatëve, situata është plotësisht e ngrirë. Qëndrimi sllovak është i papranueshëm në thelb dhe ton, thotë pala gjermane. Më keq se kaq vështirë se mund të bëhet.

Sukses në luftën kundër terrorizmit

Duke pasur parasysh frontet e ashpërsuara ministrat e brendshëm janë edhe më shumë mirënjohës për një sukses. Nën presionin e sulmeve të Parisit ata arritën të bien dakord pas shumë vitesh diskutimi për një marrëveshje për ruajtjen e të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Parashikohet që në të ardhmen të dhënat e të gjithë udhëtarëve që hyjnë dalin nga BE-ja të ruhen për gjashtë muaj. Pas kësaj ato kodohen dhe mund të ruhen deri në një maksimum prej pesë vjetësh. Këmbimi i të dhënave bëhet përmes bazave të të dhënave kombëtare që do të ngrihen për këtë qëllim në të gjitha shtetet anëtare.

Greqia dorëzohet

Në prag të takimit të ministrave të Brendshëm Athina më në fund u dorëzua dhe kërkoi ndihmë nga BE-ja për regjistrimin, pritjen e refugjatëve dhe menaxhimin e kufijve të jashtëm. Deri në këtë moment qeveria e Tsipras i kishte injoruar të gjitha kërkesat e Brukselit për krijimin e të ashtuquajturave pika të nxehta dhe nuk i kishte përdorur pajisjet që i ishin dërguar për regjistrimin e shenjave të gishtave.

Me ndihmën e Komisionit të BE-së, ministrat e Punëve të Brendshme bënë në fund një përpjekje kreative për shantazh. Greqia duhej të përjashtohej për deri në dy vjet nga zona Shengen, në qoftë se nuk mbron kufijtë e saj të jashtëm ndaj fluksit të pakontrolluar të refugjatëve. Alexis Tsipras e kuptoi mesazhin dhe më në fund e pranoi ndihmën e ofruar. Por se sa do të përmirësohet pas kësaj kontrolli i kufirit detar me Turqinë, mbetet për t'u parë. "Situata është e mangët", kritikoi përsëri ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere.

Çfarë do Donald Tusk me intervistën e tij?

Donald Tusk

Donald Tusk

Në situatën e tensionuar në Bruksel intervista e presidentit Donald Tusk për një gazetë goditi si një meteor. Aty ai bën thirrje për një ndryshim në politikën e refugjatëve dhe do t'i mbyllë dyert për në Evropë sa më shumë të jetë e mundur. Kritikët e shohin këtë qëndrim të pazakontë të Tuskut si një fyerje për kancelaren Merkel dhe forcimin e kundërshtarëve në Evropën Lindore. Pala gjermane tha në mënyrë lapidare, se nuk diskutojmë çdo intervistë. Megjithatë akoma vazhdojnë mëdyshje se pse presidenti u ekspozua kaq shumë.

Një version tjetër prezanton Judy Dempsey nga Instituti për Kërkime Politike Carnegie Europe: "Politikisht dhe moralisht Tusku bën punën e ndyrë. Ai reagon me fjalët e tij ai reagon ndaj një presion të madh nga shtetet anëtare, ndaj të cilave Gjermania e ka të vështirë të konkurrojë". Duke i dhënë frontit të rezistencës kuazi një zë institucional, ai i jep kancelares pak kohë dhe fushë veprimi. Tusku thotë si presidenti gjëra që Angela Merkel nuk mund t'i thotë. Intervista duhet të kuptohet sipas saj si një lloj sulmi lehtësues, dhe jo si fyerje për pozicionin gjerman, sikurse mendojnë shumë kritikë.

Megjithatë në përgjithësi BE-ja prezantohet në krizën e refugjatëve gjithnjë e më e paaftë, mendon politologia. Edhe Tusku theksoi në intervistën e tij vetëm aspektet e sigurisë. Ana humanitare e qindra e mijëra njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi duket se nuk i intereson askujt. Të vetmet vende që mbajnë lart flamurin e humanizmit për Evropën janë Gjermania dhe Suedia.