1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja në kërkim të një politike të pavarur mbrojtjeje

Doris Pundy
8 Qershor 2017

Komisioni Evropian paraqiti në Bruksel ide për një politikë të përbashkët evropiane në fushën e mbrojtjes.

https://p.dw.com/p/2eHzj
Belgien Donald Tusk und Donald Trump
Fotografi: Getty Images/AFP/E. Dunand

Pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në qendrën e NATO-s në Bruksel dhe ankesave të tij për shpenzimet e pakta të evropianëve për armatime, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje që Evropa ta marrë vetë në dorë fatin e saj.

Komisioni Evropian paraqiti tani në Bruksel ide për një politikë të përbashkët evropiane në fushën e mbrojtjes. Qëllimi është një bashkëpunim më i ngushtë mes shteteve anëtare deri në vitin 2025. Hapi i parë është krijimi i një fondi për kërkime dhe blerjen e pajisjeve të reja.

28 shtete anëtare, 178 sisteme të ndryshme armësh

Potencial për bashkëpunim mes vendeve të BE-së në fushën e mbrojtjes ka mjaft. Në dekadat e fundit vendet anëtare kanë ndjekur një politikë individuale në fushën e mbrojtjes. Kjo ka bërë që secili vend të kishte sistemin e vet të armatimeve dhe zhvillimit dhe kërkimeve në fushën e mbojtjes. Në 28 shtetet anëtare ka 178 sisteme të ndryshme armësh, shumë syresh jo kompatible me njëra-tjetrën.

deutsche Soldaten in Bosnien
Fotografi: picture alliance/AP Photo/H. Delic

Për të koordinuar më mirë politikat e mbrojtjes, Komisioni Evropian ka hartuar tre skenarë të ndryshëm: sipas variantit minimal, vendet anëtare duhet të synojnë më shumë bashkëpunim po jo të detyrueshëm me ligj. Rruga e mesme është e ashtuquajtura "siguri dhe mbrojtje e përbashkët", pra kontrolle kufitare të përbashkta dhe menaxhim i përbashkët i krizave. Propozimi i tretë është krijimi i një "Bashkimi të Sigurisë dhe të Mbrojtjes" në të cilin të punojnë së bashku sa më shumë ushtri dhe shërbime sekrete që të jetë e mundur.

Fond për mbrotjen

"Ne nuk duam të zëvendësojmë NATO-n, dhe as ta kopjojmë ose të konkurrojnë me të", tha me vendosmëri shefja e politikës së jashtme të BE-së Mogherini në Bruksel. Qëllimi është që të përdoret më mirë vlera e shtuar e Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë që të forcohet edhe më tej NATO-ja.

Për të krijuar stimuj për bashkëpunim më të ngushtë, Komisioni i BE-së do t'u vërë në dispozicion shteteve anëtare para për mbrotjen. Me to synohet të nxitet bashkëpunimi në fushën e kërkimeve ushtarake dhe blerjen e pajisjeve të reja. BE-ja dëshiron që në fillim të vitit 2019 të vërë në dispozicion deri në 500 milionë euro në vit. Më vonë madje kjo shumë do të jetë një miliardë euro në vit për projekte të përbashkëta. Politikani i partisë ekologjike gjermane, eurodeputeti Reinhard Bütikofer, e kritikon këtë ide dhe thotë që duhet të synohet një bashkëpunim më efektiv. Tani vendet anëtare pritet të vendosin se për cilin nga tre skenarët e propozuar do të bien dakord.