1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja merr frymë lirisht: "Spanja nuk ka nevojë për ndihma financiare"

Nga Bashkimi Evropian vijnë lajme qetësuese: Spanjës nuk i duhen para nga fondi evropian i stabilitetit. Ndërsa në konfliktin e Rripit të Gazës ka shenja shtensionimi.

Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Luksemburgut.

Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Luksemburgut.

Shqetësim i madh u krijua gjatë ditës së hënë (14 qershor) nga një konferencë telefonike e organizuar shpejt e shpejt midis ministrave të financave të vendeve të G-7. Pyetja ishte a do të kërkonte edhe Spanja pas Greqisë ndihma dhe a do të kërkonte të përfitonte nga paketa e shpëtimit? Sistemi financiar spanjoll është rënduar jashtëzakonisht shumë pas shpërthimit të skandalit të pasurive të patundshme, prej mospagimit të kredive.

Ekonomi e rrënuar në Spanjë

Ekonomi e rrënuar në Spanjë

Jean-Claude Juncker, Presidenti i grupit të euros dhe presidenti i Komisionit José Manuel Barroso, hodhën poshtë në një konferencë të përbashkët shtypi të dhënë në Luksemburg, njoftimet se janë duke u bërë përgatitjet për një aksion shpëtimi. „Për grupin e euros, plani i shpëtimit për Spanjën nuk është në rend të ditës.“ – „Për Komisionin po ashtu jo. Komisioni nuk ka ndër mend të përgatisë një plan të posaçëm për Spanjën.“

Ndërkohë ministrat e Jashtëm të BE-së, këshillohen për gjendjen në Lindjen e Afërme. Pas sulmit izraelit në Rripin e Gazës, ministrat e jashtëm i kërkuan Izraelit që të sqarojë ngjarjen në mënyrë të "paanshme". Megjithatë Izraeli nuk pranon hetime ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, tha se është në interes të Izraelit nëse rezultatet e hetimeve do të ishin të pranueshme për të gjithë.

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt shtoi se bllokada izraelite e Rripit të Gazës të kontrolluar nga Hamasi radikal islamik ka krijuar një tunel për lidhjet me botën e jashtme. „Bllokada është kontraproduktive për palën izraelite, sepse ajo shfrytëzohet nga Hamasi. Hamasi përfiton nga tuneli i tregtisë, dhe tuneli është produkt i bllokadës. Kjo do të thotë se bllokada të çon në tunelin e tregtisë dhe kjo mbush xhepat e Hamasit."

Tony Blair dhe Benjamin Netanyahu

Tony Blair dhe Benjamin Netanyahu

Tony Blair, i dërguari i posacëm i Kuartetit për Lindjen e Afërme, të përbërë nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Rusia, ishte po ashtu i pranishëm në Luksemburg. Ai foli i sigurt se Izraeli do të hapë shumë shpejt pikat e bllokuara në Rripin e Gazës për kalimin e mallrave të jetës së përditshme. Tregtinë me armë, sigurisht që Izraeli do të vazhdojë ta ndalojë.

Ideja është që të mos ekzistojnë më listat me mallrat që lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës, por anasjelltas, të krijohen listat me mallrat që nuk lejohet të hyjnë. Çdo gjë tjetër do të lejohet të futet në Rripin e Gazës.

Ndërkohë Serbia i është afruar edhe me një hap tjetër Bashkimit Evropian. Ministrat e jashtëm të BE-së aprovuan marrëveshjen e stabilizim asociimit me Serbinë. Ky është hapi paraprak për tu pranuar më vonë në BE. Kusht për këtë ishte raporti i kryegjykatësit të Kombevë të Bashkuara, Serge Brammertz, i cili duhet të ishte pozitiv. Sipas raportit, qeveria serbe bën gjithshka përtë kapur kriminelin e akuzuar të luftës, Ratko Mladiç.

Autor: Christoph Hasselbach/ Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nqju
  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nqju