1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja kërkon koordinim më të ngushtë në luftë kundër terrorizmit

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë në takimin e tyre të hënën (19.01) nëse masat kundër terrorizmit duhen forcuar më tej.

Baza e ligjeve aktuale evropiane kundër terrorit është një direktivë e BE-së e qershorit të vitit 2002. Kjo ofron një përkufizim relativisht uniform të veprave penale që koniderohen si terrorizëm në të cilat përfshihet edhe financimi dhe mbështetja e terrorizmit.

Gjermania e ka zgjeruar legjislacionin e vet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ajo ka krijuar një qendër të përbashkët kundër terrorizmit në të cilën bëjnë pjesë shërbimet sekrete si dhe një bankë të dhënash për islamistët e dhunshëm. Megjithatë për përgjimin e telefonave dhe të komunikimit në internet ka kufizime relativisht të rrepta. Pas sulmeve të Parisit edhe në Gjermani po diskutohet për ruajtjen e të dhënave të telekomunikacionit.

Që nga shfaqja e organizatës terroriste "Shtetit islamik" (IS), janë marrë një numër masash të reja mbrojtëse: Ministria e Brendshme e ndalon plotësisht pjesëmarrjen në veprimtaritë e IS-it. Një ligj i ri do të lejojë bllokimin e pasaportave si dhe ndalimin e udhëtimit për persona që duan t'i bashkohen IS-it. Po ashtu pritet të ashpërsohen rregullat kundër financimit të terrorizmit.

Britania e Madhe ka ndoshta legjislacionin më të gjerë anti-terror në Evropë. Pas 11 shtatorit 2001, u ashpërsuan ligjet ekzistuese nga koha e sulmeve të IRA-s (Ushtrisë Republikane Irlandeze). Kështu, një i dyshuar mund të ndalohet pa shqyrtim gjyqësor për 14 ditë, mundësia e arrestit të shtëpisë për terroristët e dyshuar është zgjeruar, policia mund të ndalojë persona të dyshuarit dhe t'i kontrollojë, të drejtat për kontrollin e telefonave dhe të internetit dhe përdorimin e kamerave të vëzhgimit në vende publike janë të gjera.

Në nëtor 2014 pati një ashpërsim të mëtejshëm të ligjeve. Kështu personave që mund të bashkohen me IS-in mund t'u bllokohen pasaportat dhe nuk u lejohet të largohen nga vendi. Po ashtu firmat e telekomunikacionit janë të detyruara që në raste dyshimi t'u japin hetuesve të dhënat e klientëve.

Franca ka reguar gjithashtu me ashpërsimin e ligjeve. Pas atentatit në metronë e Parisit në vitin 1995 personave që dënohen për terrorizëm mund t'u hiqet nënshtetësia franceze. Përdorimi i kamerave të vëzhgimit në vende publike është zgjeruar. Xhihadistëve apo personave që mund të bashkohen me IS-in mund t'u bllokohen pasaportat dhe nuk u lejohet të largohen nga vendi. Autoritetet mund të ndalojnë faqe interneti që propagandojnë dhunën.

Pas sulmeve të fundit në Paris po diskutohet për kufizime të mëtejshme. Megjithatë, kryeministri Manuel Valls u shpreh kundër thirrjeve për një "Patriot Act" francez sipas modelit amerikan që do t'u jepte dorë të lirë shërbimeve sekrete për veprimet e tyre.

Edhe në Itali ka shumë ligje anti-terror. Ato datojnë nga vitet 1970 nga koha e luftës kundër Brigadave të Kuqe. Pas vitit 2001 rregullat u përmblodhën dhe intensifikuan në disa paketa ligjore. Në të konsiderohet si vepër penale edhe terrorizmi ndërkombëtar dhe parashikohen dënime më të larta. Po ashtu u janë dhënë më shumë kompetenca policisë dhe hetuesisë, edhe për kontrollin e të dhënave të komunikimit. Të dyshuarit mund të mbahen në disa raste deri në 60 ditë në burgim hetimor.

Edhe Spanja po planifikon ndërkohë ashpërsimin dhe përmbledhjen e ligjeve anti-terror, që ishin miratuar për luftimin e lëvizjes separatiste baske ETA.

Në nivel evropian po kërkohet një bashkëpunim më i mirë teknik i shërbimeve sekrete. Një kontroll dhe cenzurim i rrjeteve sociale në nivel evropian. Përmirësimi i kontrollit financiar të burimeve për terroristët, përmirësimi i bashkëpunimit me vende të treta. Një rrjet i gjerë OJQ-sh, përfaqësuesish të policisë, shkencëtarësh, etj duhet të bashkëpunojnë në BE për të identifikuar më shpejt kërcënimet e ardhshme. Kërkohen forcimi i kontrollove kufitare dhe i Agjencisë FRONTEX. Si dhe kontrolle më të mira për tregtinë e armëve dhe të lëndëve shpërthyes.