1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja kërkon konferencë donatorësh për Pakistanin - Komisarja e BE-së viziton zonat e përmbytura

Tri javë pas fillimit të përmbytjeve në Pakistan ka nisur të vihet në lëvizje makineria e ndihmës në BE. Komisioni i BE-së do të organizojë një konferencë donatorësh dhe të lëvrojë 70 milionë euro ndihmë të menjëhershme

default

Kristalina Georgieva, Komisarja e BE-së për Ndihmat në raste Katastrofash, të hënën (23.08.2010) udhëton për në Pakistan, ku do të vizitojë zonat e përmbytura për t' u njohur nga afër me gjendjen. Kjo katastrofë e përmasave të papara duhet të përballohet tani me ndihma në një volum të jashtëzakonshëm, deklaroi ajo në Bruksel. Në intervistë për Deutsche Welle-n Georgieva theksoi, se detyrë e rëndësishme është që të kujdesemi për të garantuar ujë të pijshëm dhe ushqime.

Kristalina Georgieva, Komisarja e BE-së për Ndihmat në raste Katastrofash

Kristalina Georgieva, Komisarja e BE-së për Ndihmat në raste Katastrofash

Komisioni i BE-së i ka rritur në 70 milionë euro ndihmat për Pakistanin. Kësaj shume i shtohen edhe premtimet nga vendet anëtare të BE-së. Gjithsej nga Evropa janë vënë tani në dispozicion rreth 110 milionë euro. Gjermania, sipas ministrit të Zhvillimit, Dirk Niebel, afatgjatë do të paguajë rreth 52 milionë euro. Presidenti Christian Wulff bëri thirrje në Gjermani për donacione të mëtejshme të qytetarëve.

Minstrja e Jashtme e BE-së, Catherine Ashton premtoi, se Evropa do të angazhohet afatgjatë për rindërtimin në Pakistan: "Një Pakistan i sigurtë, i qëndrueshëm dhe i zhvilluar është në interesin e BE-së dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare."

Catherine Ashton, ministre e Jashtme e BE-së

Catherine Ashton, ministre e Jashtme e BE-së

Komisarja Georgieva nuk deshi ta komentojë propozimin e presidentit të Francës Nicolas Sarkozy, sipas të cilit BE-ja duhet të krijojë një trupë të ndërhyrjes së shpejtë, për përballimin e ndihmave në rastet e katastrofave natyrore. Tani për tani duhet të kujdesemi që mjetet e ndihmave të depozitohen përpara se të ndodhin krizat. Në rast katastrofe duhet të rregullohet shpërndarja e tyre. Nëse BE-ja duhet ta realizojë këtë në mënyrë të centralizuar apo përmes një rrjeti, lidhur me këtë mund të diskutohet.

Vonesa në lëvrimin e ndihmave - Konferencë donatorësh për Pakistanin

Më 10 shtator ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në takimin e rregullt të tyre duan të vendosin një plan për ndihmat dhe rindërtimin e Pakistanit. Deri atëherë Komisioni i BE-së do të përpilojë një katalog me masat dhe projektet konkrete. Elise Ford, zëdhënësja e organizatës për zhvillimin OXFAM, tha në Bruksel, se vendet anëtare të BE-së, që do të duhej të marrin pjesë në ndihmat, duhet që t' i lëvrojnë ato sa më shpejt. Paratë e vlerësuara nga OKB-ja si ndihmë e parë, ende nuk janë mbledhur: "Ne kemi nevojë për më shumë, për të parandaluar epidemitë e mundshme."

Nga takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së më 10.05.2010

Nga takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së më 10.05.2010

Kryesuesi i radhës së presidencës së Këshillit të BE-së, belgu Steven Vanackere, do të ftojë në tetor për një konferencë ndërkombëtare donatorësh për viktimat e përmbytjeve në Pakistan. Edhe presidenti i Komisionit Jose Barroso është shprehur për një konferencë ndërkombëtare donatorësh. Në Bruksel do të konsultohen 22 anëtarët e grupit të shteteve "miqtë e Pakistanit" si dhe përfaqësues të OKB-së, të Bankës Botërore dhe të FMN-së për mbledhjen e donacioneve dhe për programet e rindërtimit. Sipas vlerësimeve të para nga Pakistani për përballimin e situatës janë të nevojshme të paktën 12 miliardë euro.

Autor: Bernd Riegert / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 23.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Otdm
  • Data 23.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Otdm