1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja kërkon dialog edhe për veriun e Kosovës

Bahri Cani19 Korrik 2012

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua në Bruksel me Presidentin e Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuell Barroso. Ndër temat e trajtuara ishte edhe veriu´.

https://p.dw.com/p/15ZXP
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Van Rompuy dhe presidentja e Kosovës, Afitete Jahjaga
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Van Rompuy dhe Presidentja e Kosovës, Afitete Jahjaga- shtator 2011Fotografi: DW

Në një takim të përbashkët shtypi pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, presidenti i Këshillit të BE-së theksoi se “palët duhet t’u adresohen çështjeve në veri, për të mirën e qytetarëve që jetojnë atje". Ai u shpreh i bindur se vazhdimi i dialogut i shërben forcimit të stabilitetit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm në rajon. Van Rompuy se qëllimi i Brukselit është vendosja e stabilitetit, progresi dhe zhvillimi i vendeve ballkanike. Rruga më e mirë, siç u shpreh ai, për realizimin e këtyre qëllimeve është dialogu. „Dialogu ka sjellë rezultate konkrete, por marrëveshjet duhet të realizohen shpejt dhe në tërësi. Kjo në veçanti ka të bëjë me marrëveshjet për kontrollin e përbashkët të kufijve dhe bashkëpunimin rajonal“, theksoi van Rompuy. Dialog për veriun ka kërkuar edhe Jose Manuell Barroso, por sipas tij, zgjidhja "mund të gjendet vetëm në raportet e mira fqinjësore".

"Problemet mund të zgjidhen vetëm në frymën e raporteve të mira ndërfqinjësore. Këtë iam kam thënë hapur dhe prerë edhe presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq", tha Barroso.

Presidentja e Kosovës tha se Prishtina pret “normalizimin e marrëdhënieve mes Repulikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës, sepse kjo është në interesin e të dy vendeve. Normalizimi i raporteve do t'i kontribuonte edhe vendosjes së paqes dhe do të ndikonte në heqjen e strukturave paralele serbe në tri komunat e veriut të banuara me shumicë serbe.” Sipas presidentes Jahjaga, autoritetet e Kosovës janë të gatshme që nga shtatori, kur zyrtarisht përfundon faza e mbikqyrjes së pavarësisë, të zbatojnë të gjitha reformat, të vazhdojë procesin e demokratizimit dhe që minoriteteve t'u sigurojë liritë dhe të gjitha të drejtat që u takojnë.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Van Rompuy dhe presidentja e Kosovës, Afitete Jahjaga
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Van Rompuy dhe Presidentja e Kosovës, Afitete JahjagaFotografi: DW

Presidentja e Kosovës ka shprehur pakënaqësinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo kërkoi nga BE-ja që të gjejë mekanizma për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. “Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejnë mekanizmat për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e tyre”, theksoi Jahjaga duke shtuar se Prishtina zyrtare "pret, që Serbia t'i normalizojë marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën, sepse ky është një faktor paqeje që do të ndikojë drejtpërdrejt në eliminimin e strukturave kriminale që vazhdojnë ta mbajnë peng integrimin e tri komunave veriore të Kosovës."

Presidentja e Kosovës theksoi se institucionet e këtij vendi po vazhdojnë edhe me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë të gjitha procedurat që dalin nga ato," nënvizoi Jahjaga. Ndërsa Herman Von Rompuy theksoi "përkushtimin e BE-së për perspektiven evropiane të Kosovës". Sipas tij, në Kosovë do të vazhdohet me prezencë edhe më të fuqishme të EULEX-it.

Presidentja e Kosovës, Afitete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Afitete JahjagaFotografi: DW

Presidentja e Kosovës gjatë vizitës dyditore në Bruksel do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndër tjera janë parashikuar takime edhe me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian Stefan Fyle, si dhe Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.