1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja i bën thirrje Cameronit për bashkëpunim - Shpresa për zbutje të qendrimit euroskeptik të konservatorëve nga liberal-demokratët

Me marrjen e postit të kryeministrit nga David Cameroni në Britaninë e Madhe, zyrtarët evropianë shpresojnë që liberal-demokratët në koalicionin e ri ta zbusin qëndrimin euroskeptik të konservatorëve.

Kryeministri i ri britanik David Cameron zv/kryeministri Nick Clegg .

Në pjesë kyç e manifestit zgjedhor të konservatorëve britanikë bën fjalë për rimarrjen e fuqive nga Brukseli. Por, askush në Bruksel nuk është krejt i sigurt, se sa larg do të shkojë qeveria e re britanike për të mbrojtur këto interesa kombëtare, veçanërisht tani që liberal-demokratët janë pjesë e udhëheqjes së re të saj.

Drejtori i Qendrës për Studime të Politikave Evropiane (EPC), John Wyles, thotë se për momentin nuk ka gjasa të ketë përplasje të mëdha politike midis konservatorëve dhe liberal-demokratëve, sepse liberal-demokratët kanë qenë mjaft të papërcaktuar në lidhje me Evropën. Ai beson gjithashtu se qeveria e re britanike do të jetë tepër e zënë me problemet e brendshme.

"Koha dhe energjia e Cameronit do të jenë shumë të pakta për të nisur një betejë me Evropën. Dhe po qe se nuk do të ketë zhvillime politike madhore, ai me siguri që nuk do të kërkojë të krijojë të tilla."

John Wyles nga EPC, thotë se mesazhi që po mbërrin në Bruksel nga Londra është se qasja e David Cameronit kundrejt Evropës do të jetë plotësisht pragmatike dhe relativisht e përmbajtur.

Dhe deri tani qeveria e re britanike ka sinjalizuar se për sa i takon Bashkimit Evropian, punët do të vazhdojnë normalisht. Megjithatë, zyrtarët e BE-së janë duke e parë me kujdes ministrin e ri të Jashtëm britanik, William Hague, i cili më parë ua uli rëndësinë dallimeve politike mbi Bashkimin Evropian. Por, ai e përjashtoi mundësinë e integrimit të mëtejshëm evropian.

Ministri i Jashtëm britanik William Hague.

Ministri i Jashtëm britanik William Hague.

"Po, ne kemi thënë se ky është kufiri i asaj deri ku mund të shkojmë, por nuk mendoj se ka pasur mospajtime themelore në këto negociata. Liberal-demokratët kanë qenë të gatshëm të pajtohen me ne për atë që hyrja në monedhën euro apo propozimi për t'iu bashkuar euros gjatë legjislaturës nuk do të jetë politikë qeveritare."

John Wyles i EPC-së paralajmëron ndaj rrezikut të një kthimi në politikat e vijës së ashpër të qeverisë së fundit konservatore. Ai thotë se David Cameroni nuk fitoi miq në Bruksel kur vendosi që t'i nxirrte konservatorët nga grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane, të cilin konservatorët e vijës së ashpër e konsideronin tepër pro-evropian.

Disa në Bruksel besojnë se konservatorët do ta gjejnë rrugën e kthimit në Partinë Popullore Evropiane. Nuk ka të ngjarë thotë John Wyles, i cili këmbëngul se kryeministri i ri britanik do të duhet të arrijë një ekuilibër në lidhje me Evropën, duke siguruar mbështetjen e euro-skeptikëve të vijës së ashpër dhe në të njëtën kohë duke qëndruar pragmatik sa duhet për të çuar përpara interesat britanike në Evropë.

Autor: Nina-Maria Potts / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 15.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NOiC
  • Data 15.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NOiC