1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja gjatë 2008 - një vit plot sfida

Përpjekjet për ratifikimin e marrëveshjes së Lisbonës, lufta për mbrojtjen e klimës, Gjeorgjia e kriza financiare - për BE-në viti 2008 ishte një vit plot ngjarje.

default

Për shkak të veprimeve energjike gjatë presidencës, presidenti francez, Sarkozi mori emrin Turbosarkozi

Presidenca slovene e gjysmës së parë të këtij viti ishte relativisht e qetë, por ajo përfundoi me një goditje të rëndë: Me referendum Irlanda hodhi poshtë marrëveshjen e Lisbonës për reformimin e brendshëm të BE-së. Ishte një shok për të gjithë bashkësinë.

Kur Franca erdhi në krye të BE-së, fillimisht u mor me projekte të tjera. Presidenti Nikola Sarkozi krijoi Unionin e Mesdheut dhe u bë ithtar i zjarrtë i mbrojtjes së klimës: „Ne jemi brezi i fundit që mund të pengojë katastrofën, i fundit. Në se nuk ndërmarrim asgjë menjëherë, për brezat e ardhshëm do të mbetet vetëm zvogëlimi i dëmit, por jo zhdukja e tij".

Sfidat e BE-së

Bildgalerie Jahresrückblick 2008 August Georgien

Lufta në Gjeorgji shkaktoi valë refugjatësh

As dy muaj nuk ishin mbushur nga fillimi i presidencës franceze, kur në gusht plasi lufta e Kaukazit mes Gjeorgjisë dhe Rusisë. Trupat ruse marshuan në Gjeorgji. President i Komisionit Zhoze Manuel Barrozo (José Manuel Barroso) do të thoshte atëherë: „Nuk mund të vazhdojmë punën tonë si të mos ketë ndodhur asgjë."

Bashkimi Evropian reagon dhe pezullon negociatat e partneritetit me Rusinë, ndërsa presidenti Sarkozi arrin të negociojë një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Brukseli sapo kishte filluar të merrte frymë nga kriza e Kaukazit, kur një krizë tjetër u shfaq në anën tjetër të botës: Kriza financiare në SHBA, e cila më vonë do të transportohej edhe në Evropë e gjithë botën. Kriza në fillim kapi disa banka të veçanta, pastaj ekonomi të tëra kombëtare dhe së fundi ekonomitë reale. Mbas disa hapave fillestare në nivel kombëtar, qeveritë evropiane e kuptuan se duhet të vepronin bashkarisht për shpëtimin e bankave dhe masat për mbrojtjen konjukturale.

Symbolbild Rezession Finanzkrise Weltwirtschaft Bauindustrie Depression

Kriza financiare tronditi BE-në

Komisioneri i BE-së për çështje monetare Zhoakin Almunia (Joaquín Almunia) u përpoq t'i shpjegonte përparasitë e veprimeve të përbashkëta me një ushtrim aritmetikor origjinal: „1+1 mund të bëjë 3, në se masat për konjukturën koordinohen ashtu siç duhen. 1+1 mund të japë edhe -1 ose zero ose më pak se 2, po të mos ketë koordinim dhe të vazhdojë ndikimi i pasojave negative."

Kriza ekonomike sundon opinionin botëror që nga vjeshta

Për javë me radhë në vjeshtë nuk kishte temë tjetër, përveç krizës financiare dhe ekonomike. Por gradualisht filluan të dilnin edhe gjëra të tjera në planin e parë. BE-ja për shembull nisi misionin e parë detar, për të luftuar piraterinë në brigjet verilindore të Afrikës. Kryediplomati Havier Solana (Javier Solana) pak para fillimit të misionit: „Do të jetë një operacion shumë solid dhe robust. Qëllimi i tij është që të trembë, të pengojë, të mbrojë, por para së gjithash të përkrahë masat e OKB-së."

Kompromise për mbrojtjen e klimës

Bundeskanzlerin Angela Merkel in Manheim

Angela Merkel mbetet luftëtare për ruajtjen e klimës

Edhe mbrojtja e klimës u bë sërish temë e madhe. Në samitin e BE-së në dhjetor të 27 shtetet më në fund e miratuan pakon e masave për ruajtjen e klimës. Kancelarja gjermane Angela Merkel u tregua e kënaqur. „Ne, gjermanët, gëzohemi veçanërisht, pasi piketat e kësaj pakoje i kemi vendosur ne gjatë presidencës gjermane. Tani këto piketa do të plotësohen edhe me direktivën pasuese dhe unë gëzohem shumë që ia dolëm dhe që arritëm të gjenim masën e duhur për kompromis." Por mbrojtësit e ambjentit e kanë kritikuar pakon, për shkak të koncensioneve të shumta për industrinë.

Me lehtësim të madh u prit në samit edhe premtimi i qeverisë irlandeze për të bërë edhe një referendum të dytë për marrëveshjen e Lisbonës. Presidenti Sarkozi gjithsesi në fund të presidencës ishte krenar: „Unë besoj se sot askush nuk mund të dyshojë se duhet një presidencë e aftë, se nevojitet një udhëheqje e vërtetë."

Presidenca çeke - problematike

Pra një kalim i vështirë tek presidenca pasardhëse çeke, problemet e së cilës duken që sot. Çekia nuk e ka ratifikuar marrëveshjen e Lisbonës. Presidenti Vaclav Klaus nuk e fsheh mospëlqimin e tij. Zëvendëskryeministri Aleksandër Vondra (Alexandr Vondra) e trajton këtë çështje me një dozlë humori: „Ndoshta nuk është keq kur s'e ke namin të mirë. Kështu është shumë e thjeshtë t'i befasosh të tjerët pozitivisht."


  • Data 29.12.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GMRf
  • Data 29.12.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GMRf