1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja e ka merituar Çmimin Nobel

Komiteti i Çmimit Nobel i dorëzoi Çmimin Nobel për Paqen, Bashkimit Europian. Nga Komisioni Europian i pranishëm ishte Jose Manuel Barroso, nga Këshilli i BE-së, Herman van Rompuy, Martin Schulz nga Parlamenti Europian.

Kujt iu drejtua Komiteti për ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe,kur vendosi që ai të shkojë në duart e BE-së? Komisionit Evropian, kryetarit të Këshillit Evropian Herman van Rompuy apo kryetarit të Parlamentit Evropian? Bashkimi Evropian nuk ka një numër të përbashkë telefoni. Këtë nuk e kuptojnë shumë politikanë jashtë Evropës, por edhe shumllojshmëria është një element që tani shpërblehet. Një shembull tjetër si BE-ja s'ka askund në botë.

Evropa është bërë një normalitet megjithë dallimet e shumta

Bashkësia e shteteve me sovranitet nacional është një konstrukt i pashoq. Edhe Parlamenti Evropian është unikal, sepse deputetët e të gjitha 27 vendeve kanë të drejta të barabarta. Në Evropë ekziston e drejta e të jetuarit në cilin vend të duash, e drejta e udhëtimit kudo dhe tregu i përbashkët, i cili ofron mundësi të shumta. Fjalën kryesore megjithatë ende e kanë vendet anëtare, që shkakton edhe konflikte të përhershme interesash mes BE-së dhe vendeve anëtare.

BE-ja është një projekt paqësor. Ata që tregtojnë në paqë nuk qëllojnë kundër njëri tjetrit. Kjo është baza e politikës së vendosur në vitet 50-të, nga ata të cilët edhe vunë themelet e Bashkimit Evropian. Evropianët së pari në pjesën perëndimore e më vonë edhe lindore kanë nxjerrë mësimet e duhura nga katastrofat dhe luftërat botërore.

BE-ja ka sot 27 vende anëtare. Ndërkohë që pritet të pranohen edhe vende të tjera si Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia, Islanda dhe Turqia. Evropianët kanë dëshmuar gjatë historisë një vullnet të jashtëzakonshëm për integrime. Pas fillimit me vetëm gjashtë vende, BE-ja përfshinë sot gati të gjitha vendet evropiane. Në këtë organizëm janë integruar vendet që dikur kanë vuajtur nën diktatura ushtarake si Spanja, Greqia apo Poprtugalia si dhe ish - vendet e bllokut lindor. Projekti tani duhet të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Por suksesi më i madh me siguri që është futja në të e Gjermanisë. Kush mund ta ketë menduar se Gjermania e shndërruar në gërmadha gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të jetë sot një prej bartësve kryesor ekonomik të BE-së? Ajo ka marrë në kohën e krizës madje edhe rolin udhëheqës, për shkak të fuqisë së saj ekonomike.

Në kohën e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe BE-ja gjendet në krizën më të madhe financiare dhe buxhetore, thotë Komisioneri Jose Manuel Barroso. Por kriza ka qenë një përcjellës besnik i rrugës evropiane. Deri tani BE-ja gjithmonë ka dalë më e fuqishme prej krizave.

Kritikët thonë se BE-ja është tepër burokratike, jodemokratike, një monster pa fëtyrë. E vërteta është që në procesin e marrjes së vendimeve ende ka probleme serioze. Por të shumtën e rasteve nxirren ligje të cilat nxisin procesin e integrimeve. Ai që nuk është i kënaqur, mund të ankohet para gjykatave. Edhe Gjykata Evropiane është e vetmja e këtij lloji në botë.

Angazhimet e shumta të evropianëve tani shpërblehen edhe nga Komiteti i Nobelit. Po kush ka fituar në fakt këtë Çmim? Katër presidentët e institucioneve të BE-së, Këshillit, Parlamentit, Komisionit dhe Eurogrupit? Apo të gjithë evropianët? Shumë gjëra të cilat për gjyshërit tanë kanë qenë vetëm ëndërra, sot në Evropë janë të vetkuptueshme. Evropa është bërë një normalitet. Evropa jeton, megjithë dallimet e shumta. Sot të gjithë ne jemi evropianë.