1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja do të nxisë rritjen ekonomike

Hollande do ta ratifikojë Paktin Fiskal të BE-së, pasi ai të jetë plotësuar me një pakt të rritjes ekonomike. Por si mund të nxitet rritja e ekonomisë dhe të fitojë impulse koniunktura?

Në shumë vende jugore anëtare të BE-së ekonomia po shënon rënie dhe po rritet papunësia. Këto shtete po i ulin shpenzimet për të rikuperuar deficitin buxhetor dhe për ta mbajtur atë nën kontroll. Për këtë shtetet e BE-së, veçanërisht 17 anëtarët e Unionit Monetar vazhdimisht janë zotuar për ruajtjen e euros. Presidenti i ri i Francës, Francois Hollande, në fushatën elektorale e dënoi kursin e masave të kursimeve duke premtuar programe të reja koniunkturore. Njëkohësisht socialisti Hollande deklaroi të premten (11.05.2012)në Paris, se ai do t'u përmbahet objektivave për buxhetin dhe do ta ulë në 3% të produktit bruto në vend kuotën e borxheve të reja të Francës.

"Pakti i rritjes ekonomike" duhet të zëvendësojë vendimet e mëparshme

Hollande do ta ratifikojë Paktin Fiskal të BE-së, pasi ai të jetë plotësuar me një pakt të rritjes ekonomike. Këtë pakt tani do ta mbështesë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, siç deklaroi ajo pas zgjedhjes së Hollandes në fund të prillit. Kësisoj ajo u referohet vendimeve të samiit të BE-së në mars të këtij viti, në të cilin u gjet formula e kursimeve, që njëkohësisht nxit edhe zhvillimin. Ndër të tjera kjo nënkupton kryesisht reformat strukturore në tregun e punes dhe në sistemin arsimor në vendet anëtare të BE-së, por këto masa nuk duhet të kenë kosto shtesë. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso, tha lidhur me diskutimin pë rprogramet koniunkturore: "S'ka nevojë që ne të bëjmë shpikje gjithnjë nga e para". Me rastin e 9 Majit, ditës së Evropës Barroso foli përpara studentëve të Universitetit të Firences: "Për të nxitur rritjen ekonomike, ne kemi nevojë për konsolidimin e buxhetit, reformat strukturore dhe investimet. Nuk bëhet fjalë vetëm për kursime, apo investime, por për: konsolidim, reformë dhe investime."

Jose Barrosso EU Kommission Straßburg Frankreich

Jose Barrosso Presidenti i Komisionit të BE-së

Projekt-Obligacionet duhet të nxisin zhvillimin

Përpara disa muajsh Komisioni i BE-së propozoi obligacionet e përbashkëta të shteteve të zonës së Euros për projekte të posaçme në sektorin e furnizimit me energji. "Ne kemi propozuar Projekt-Bonde, për të nxitur kapitalin privat për investime të rëndësishme strategjike. Në këtë drejtim ne duam të punojmë me Bankën Evropiane të Investimeve", tha Barroso në Firence. "Ky propozim është bërë shtatorin e kaluar. Tani e kuptoj, që këtë e propozojnë edhe shumë të tjerë. Në politikë kopimi i ideve është një kompliment, ma do mendja. Propozimet prej kohe janë parashtruar në tryezë për të gjithë!" Francois Hollande në fushatën elektorale në Francë parashtroi çështjen e obligacioneve në eurozonë, gjë që Angela Merkel e sheh si fundin e rrugës së reformave. Edhe presidenti i Parlamentit Evropian socialdmeokrati Martin Schulz e ka mbështetur një masterplan evropian për rritjen ekonomike. Më 23 maj në një samit të jashtëzakonshëm të BE-së, ku për herë të parë do të marrë pjesë presidenti i ri francez, do të zhvillohen konsultime për strategjinë e rritjes ekonomike.

Guntram B. Wolff

Guntram B. Wolff, Instituti Studimor i Brukselit "Bruegel"

"Jugu duhet të kursejë dhe Veriu të konsumojë më shumë"

Ekonomisti Guntram Wolff nga Instituti Studimor i Brukselit "Bruegel" i tha DW-së, se shtetet e eurozonës nuk mund t'i shmangen kursimeve për konsolidimin e buxheteve të tyre. "Ajo që ne duhet të kutpjmë është, se në eurozonë duhet të aplikojmë përshtatjen strukturore. Jugu i Evropës duhet të përshtatët në strukturë. Por edhe Veriu i Evropës duhet të përshtatet. Çështja është, se si do të realizohen këto procese përshtatjeje?" Në radhë të parë Jugut i duhet të kursejë, thekson për DW Guntram Wolff. Por nga ana tjetër vlen, që edhe Veriu duhet të konsumojë më shumë. "Unë besoj, se kemi disa sinjale inkurajuese nga ministri i Financnave Schäuble, i cili u ka bërë thirrje palëve që negociojnë kontratat e punës, ta pasqyrojnë situatën e mirë të tregut të punës me paga më të larta. Kësisoj do të kemi kërkesë më të lartë. Ne do të kemi më shumë të ardhura dhe në Veri do të na duhet të kursejmë më pak për ta penguar në përgjithësi recesionin në eurozonë. "

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës federale të Bankave gjermane, Michael Kemmer, e konsideron të arësyeshme, që të nxiten investimet private në Evropë. Megjithatë sipas tij, duhet të gjykohet saktë, se si mund të nxiten këto investime. Por një nga pengesat e mëdha për investime sipas ekonomistit Guntram Wolff në Bruksel, është reziku i prekjes së bankave Në Evropë nga kriza: "Na duhet të kutptojmë, se koordinimi i politikës ekonomike ende nuk është i mjaftueshëm. Veçanërisht në sektorin e bankave kemi nevojë për një autoritet shumë më të fuqishëm evropian", i tha ai DW-së. "Kemi nevojë për një sistem të përbashkët mbikqyrjeje të bankave, i cili mund të veprojë kudo në Evropë. Për aq kohë sa në Evropë nuk rregullohet sistemi i mbikqyrjes së bankave, do të ketë mungesë stabiliteti. Tregjet financiare vazhdimisht do të vazhdojnë ta testojnë eurozonën, thekson eksperti Wolff nga instituti Bruegel.

Autor: Bernd Riegert / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Elert Ajazaj