1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja dëshiron ta mbajë Greqinë në eurozonë

Partia Syriza dëshiron që Greqia të mbetet në eurozonë dhe në Bruksel thuhet se BE-ja do të punojë me çdo qeveri të zgjedhur në Athinë.

Pavarësisht se si do të përfundojnë zgjedhjet parlamentare të dielën (25.01) në Greqi, BE-ja ngul këmbë që grekët duhet të vazhdojnë të paguajnë me euro. Dhe nëse fiton partia radikale e majtë Syriza, e cila përcakton pastaj dhe kreun e ri të qeverisë, ky gjithashtu duhet të respektojë detyrimet kontraktuale të Greqisë, thuhet në Bruksel. Një dalje të Greqisë nga eurozona shefi i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker e përjashton. "Kjo çështje nuk shtrohet fare. Greqia nuk do të dalë nga eurozona dhe nuk do të inkurajohet për të braktisur euron," tha Juncker gjatë një vizite së fundi në Paris. I vendosur që Greqia të mos dalë nga eurozona është edhe komisari i BE-së për euron Pierre Moscovici.

Kreditorët ngurrojnë faljen e borxhit

Guntram Wolff

Guntram Wolff

Në Bruksel thuhet se BE-ja do të punojë me çdo qeveri të zgjedhur në Athinë. Meqë edhe partia Syriza dëshiron që Greqia të mbetet në eurozonë ka edhe disa pika të ngjashme në qëndrime. Kërkesa e politikanëve të Syrizës, si deputeti George Katrougalos, për t'i falur Greqisë disa prej borxheve të saj dhe për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për neutralizimin e kërkesave reciproke, ka ndeshur në skepticizëm të madh tek shumë politikanë dhe ekonomistë. "Falja e borxheve është gjithmonë e bukur kur je debitor, se prej saj Greqia do të përfitojë. Por në qoftë se Greqia do ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme, atëherë vendi do të humbasë aksesin në financimet ndërkombëtare dhe kjo do të jetë përsëri negative për vendin", paralajmëron Guntram Wolff ekonomist pranë think-tankut "Bruegel" në Bruksel.

Kryeministri finlandez Alexander Stubb e hedh me forcë faljen e borxheve për Greqinë. Edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, thotë që falja e borxheve nuk shtrohet për diskutim dhe tha për revistën "Der Spiegel": "Politikanët grekë nuk duhet të premtojnë para zgjedhjeve, më tepër se sa mund të mbajnë." Kreditorët privatë i kanë falur Greqisë në mars rreth 100 miliardë euro borxh. Borxhi i mbetur prej 320 miliardë eurosh u përket sot kryesisht kreditorëve publikë dhe shteteve.

Pasoja të paparashikueshme

Alexis Tsipras

Alexis Tsipras

Partia Syriza dëshiron që të negociojë me shtetet e eurozonës, po se për çfarë është e paqartë. Ministri francez i Financave Michel Sapin mendon ndryshe nga ai gjerman apo finlandez. Sapin u shpreh se shtetet e eurozonës duhet të jenë të gatshme për të diskutuar pas zgjedhjeve për ristrukturimin e borxhit të Greqisë. Ministri irlandez i Financave Michael Noonan gjithashtu e sheh si pozitive një konferencë për borxhin grek, sepse në rast se bëhet një gjë e tillë, sipas mendimit të tij, duhet të negociohet edhe për reduktimin e borxhit irlandez dhe atij spanjoll.

Ekonomisti Guntram Wolff tha se në rast se Greqia nuk do t'i shlyejë më borxhet, kjo do të ketë pasoja të thella, sepse ajo nuk do të jetë më e besueshme tek bankat dhe Banka Qendrore Evropiane do ta mbyllte rubinetin për likuditetin e Greqisë dhe ajo de facto do të dilte jashtë eurozonës. Futja e një monedhe të re në Greqi do të ishte e lidhur me një zhvleftësim drastik të saj në krahasim me euron. Por Greqia nuk do të përfitonte nga një zhvleftësim i tillë, se eksportet e saj janë shumë të dobëta.

Por edhe për vendet e eurozonës dalja e Greqisë do të kishte pasoja që nuk mund të parashikohet nëse do të jenë apo jo të përballueshme. Prandaj Guntram Wolff mendon se në fund BE do të gjejë një kompromis me Greqinë duke zbutur kushtet për pagesën e kredive dhe afatin e shlyerjes së tyre edhe pas vitit 2050.

DW.COM