1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE i sugjeron Shqipërisë të diskutojë çështjen e imunitetit të politikanëve

I ngarkuari me punë i delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Brusa, tha për DW se një imunitet i plotë, i pakushtëzuar i anëtarëve të parlamentit, ministrave apo gjykatësve është pengesë në hetimin e korrupsionit

default

Sheshi qëndror në Tiranë

Niveli i lartë i korrupsionit dhe kriza politike janë dy shkaqet kryesore të refuzimit, që Komisioni Europian i bëri në fillim të muajit të kaluar kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Që të rrisë shanset për ta marrë këtë status vitin e ardhshëm 2011 veç daljes nga kriza politike, vazhdimit të reformave, Shqipërisë i duhen rezultate konkrete më të mëdha se deri më tani në luftën kundër korrupsionit. Fjala është për çuarjen para drejtësisë së zyrtarëve të lartë të administratës publike, ministra, apo deputetë, hetimet ndaj të cilëve për korrupsion ndërpriten për shkak të imunitetit, që ata gëzojnë. I ngarkuari me punë i delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Brusa, tha për programin shqip të DW: “Korrupsioni mbetet problem. Është e qartë që një imunitet i plotë, i pakushtëzuar është me siguri një pengesë për hetimet e sistemit të drejtësisë në rastet e korrupsionit. Kuadri rregullator lidhur me imunitetin mund të jetë subjekt i diskutimeve.”

Opozita kundër heqjes në tërësi të imunitetit

Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të Parlamentit u bë një çështje e nxehtë në verën e këtij viti. Nisma ligjore e kryeministrit Berisha dhe maxhorancës së djathtë pro kufizimit dhe heqjes së imunitetit nuk u përkrah nga opozita. Sipas saj heqja e imunitetit në tërësi nuk ndihmon luftën kundër korrupsionit, por rrezikon funksionimin normal të Parlamentit dhe vendos opozitën përballë pushtetit autoritarist. Për opozitën heqja e imunitetit për të gjithë deputetët sjell hetime selektive dhe të motivuara politikisht. Në bazë të Kushtetutës miratimi i nismës ligjore për heqjen e imunitetit kërkon votë të cilësuar, të cilën maxhoranca e djathtë nuk e arrin dot pa votën pro të opozitës. Kjo ka sjellë dështimin e nismës së maxhorancës për heqjen e imunitetit në tërësi. A është heqja e imunitetit një parakusht i domosdoshëm për të çuar përballë drejtësisë zyrtarë te lartë, ministra, apo deputetë, që hetohen për korrupsion?

Pavarësia e drejtësisë nga politika - faktori vendimtar

Juristi Niazi Jaho, konstitucionalist i njohur në Shqipëri, thotë për DW se për miratimin e nismës ligjore për heqjen e imunitetit duhet ndryshuar Kushtetuta, gjë që kërkon një konsensus të gjerë mes dy forcave politike kryesore PD-PS për të ndryshuar nenin përkatës, me Nr. 73, gjë që kërkon votën pro të 2/3 së deputetëve. Por gjithsesi për juristin me përvojë, heqja e imunitetit nuk është një parakusht për uljen e nivelit të korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar. “Edhe pa u kufizuar imuniteti Prokuroria e Përgjithshme, kur e quan të nevojshme, nuk ka ndonjë pengesë ligjore për t'iu drejtuar Parlamentit dhe për t'i kërkuar atij autorizim për fillimin e ndjekjes penale ndaj këtij, apo atij deputeti, këtij apo atij ministri. Kjo edhe për faktin se disa herë drejtues të maxhorancës qeverisëse kanë deklaruar se do të miratojnë çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit. Prandaj mendoj se në Shqipëri çështja më e rëndësishme është pavarësia e organeve të drejtësisë, shmangia e ndikimit politik mbi këto organe, sesa kufizimi, apo heqja e imunitetit. Nëse këto organe do të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin, atëhere edhe lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit do të jetë më efikase."

Ndërkohë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka bërë kohët e fundit kallëzim penal për 18 zyrtarë të lartë, që nuk kanë thënë të vërtetën për pasuritë e tyre. Kryeinspektori Adriatik Llalla thotw për DW se imuniteti nuk i mbron zyrtarët e lartë dhe deputetët nga verifikimi për deklarimin e pasurisë së tyre dhe kur sugjerimi i BE për të diskutuar kuadrin rregullator të imunitetit mbështetet në situatën konkrete të Shqipërisë. Sugjerimi i BE për të diskutuar kuadrin rregullator të imunitetit mbështetet në situatën konkrete të Shqipërisë. Sugjerimi i BE për të diskutuar kuadrin rregulator të imunitetit mbështetet në situatën konkrete të Shqipërisë. "Institucioni ynë nuk ka pengesë imunitetin" thotë. Z. Llalla.

Realiteti i Shqipërisë- bazë për rregullime të kuadrit ligjor për imunitetin.

Por imuniteti nis e bëhet problem, kur vjen puna tek përballja me drejtësinë, kur zyrtarë të lartë, për të cilët ka një kallëzim penal, nuk hetohen, ose hetimi ndërpritet për shkak të imunitetit. Vendet e BE kanë aplikuar rregullime te ndryshme ligjore lidhur me imunitetin në përputhje me realitetin konkret të secilit vend. Kjo vlen edhe për Shqipërinë.

“Rregullimet ligjore lidhur me imunitetin duhet të lidhen me realitetin përkatës të një vendi. Nuk ka një “recetë, apo medikament” të përgjithshëm, që mund t'u jepet të gjitha vendeve, që u duhet të përballen me korrupsionin, por sesi bëhen rregullimet ligjore varet nga veçoritë e vendit”, tha i dërguari i delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Brusa.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 13.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QX8L
  • Data 13.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QX8L