1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE futet i përçarë thellë në takimin për buxhetin

Për herë të dytë, shefat e shteteve dhe të qeverive do të mblidhen të enjten dhe të premten në Bruksel, për të vendosur për buxhetin e BE në vitet 2014-2020. Edhe këtë herë, suksesi nuk është i sigurtë.

Barroso para Parlamentit Evropian flet për buxhetin

Barroso para Parlamentit Evropian flet për buxhetin

Shpresat janë të mëdha. Në nëntor, shefat e shteteve dhe të qeverive u larguan në mosmarrëveshje për buxhetin e shtatë viteve të ardhshme. Ishte një dështim para publikut. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso u bëri thirrje qeverive në një fjalim para Parlamentit Evropian që të bien dakord:" Zvarritje të reja do të dërgonin një mesazh shumë negativ në këtë kohë të një shlodhjeje të brishtë ekonomike." Përndryshe, frontet do të ngurtësohen edhe më tej dhe një rënie dakord do të bëhet gjithnjë e më e vështirë, tha ai. Por linjat e konfliktit kanë mbetur. Edhe më tej, disa prej vendeve të pasura të Veriut të BE, midis tyre Gjermania, Hollanda apo Suedia kërkojnë shkurtime të mëtejshme të buxhetit. Argumenti i tyre: nëse kudo në nivel nacional bëhen kursime, atëherë buxheti i BE nuk mund të mbetet i paprekur.

Fronti kalon mes për mes palëve

Të tjerë e kthejnë argumentin e kursimit në të kundërtën: pikërisht meqenëse politika e kursimit në shtetet anëtare dhe para së gjithash në vendet e dobëta në jug lë pas kaq shumë papunësi dhe vuajtje, prandaj duhet të krijojë buxheti evropian një kompensim. Njëri ndër personat që e mbron më fort këtë argumentim është presidenti i Francës, François Hollande. "Kursim po, dobësim të ekonomisë, jo." Me këto fjalë iu drejtua ai edhe të martën (05.02.) deputetëve të Parlamentit Evropian.

Parlamenti Evropian në Strasburg: deputetët dëgjojnë argumentat për buxhetin

Parlamenti Evropian në Strasburg: deputetët dëgjojnë argumentat për buxhetin

Shumicën e tyre ai i ka me këtë qendrim në anën e tij. Shefi i Grupit Parlamentar Socialist, Hannes Swoboda deklaroi "Kemi të bëjmë me një buxhet shumë, shumë të vogël." Me këtë ai ka parasysh faktin që buxheti i BE përbën vetëm një përqind të produktit social bruto të BE. Shumë kristjandemokratë u kujtojnë qeverive të tyre të së njëjtës familje politike fjalimet për Evropën të të dielave, në të cilat ata kërkojnë më shumë kompetenca evropiane, por për të refuzuar pastaj dhënien e parave.

Presidenti i Komisionit Barroso është që para takimit i sigurtë, "se për fat të keq, çdo dakordim i shefave të shteteve dhe të qeverive do të jetë nën atë që kanë shpresuar Komisioni dhe Parlamenti". Komisioni kish kërkuar më parë më shumë se një bilion, pra një mijë miliarda euro. Ndërkohë përmenden shuma që variojnë nga 950 deri në 970 miliardë.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti