1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E vetme në krye

22 Nëntor 2016

E rrethuar nga populizmi, Angela Merkel duhet t'i mbajë lart flamujt e BE. Të paktën për një periudhë kohe, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/2T2Qy
Angela Merkel kandidiert erneut
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Ajo ka një përparësi të madhe. Ka qenë gjithmonë aty ku është. Të paktën kjo është ndjesia. Asnjë kryetar tjetër qeverie evropiane nuk ka qendruar më gjatë në post se Angela Merkeli. May-t, Renzi-t, Rajoy-t, Tsipras-it dhe Hollande-t shkojnë e vijnë. Politikania më me ndikim e Evropës është gjithmonë aty.  Ajo qëndron si një shkëmb në furtunën e populizmit dhe të nacionalizmit në rritje në shtetet fqinjë. Ende. Edhe për katër vjet të tjera ajo do të luajë rolin e kështjellës mbrojtëse dhe të hartojë kompromise evropiane. Një aftësi që duhet vlerësuar pafundësisht në këto kohë krize.

Por edhe për sa kohë do të funksionojë kjo? Edhe për sa kohë do të mjaftojë mënyra e saj modeste, herë pas here edhe jopasionante, për ta drejtuar BE? Në Spanjë, në Itali, në Hollandë, në Danimarkë dhe madje edhe në Greqi, qeveritarët janë të të njëjtit mendim se pa Merkelin në Evropë nuk bëhet asgjë. Në Poloni, në Austri, në Hungari, në Britaninë e Madhe dhe ndoshta së shpejti edhe në Francë, mendojnë ndryshe. Atje Madame Merkeli shihet për shembull si pengesë për ta përfunduar krizën e refugjatëve me përsosjen e kështjellës Evropë.

Merkeli ende nevojitet

Populizmin në rritje, para së gjithash nga e djathta si në Francë dhe në Holandë, por edhe nga e majta, si në Itali, kancelarja e përjetshme nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë e vetme. Sepse ajo ka një problem në rritje edhe në vendin e saj. Për mbështetësit e "Alternativës për Gjermaninë" (AfD), Merkeli nuk është pa alternativë. Përkundrazi, për provokuesit e mallkuesit e djathtë ajo është objekti i urryer numër 1. Nëqoftëse ajo nuk do që "efekti Trump" të ketë sukses edhe në Gjermani dhe që pakënaqësitë antievropiane dhe nacionaliste të bëhen tepër të fuqishme, atëherë asaj duhet t'i lindin ide të reja. Dhe për këtë asaj i nevojiten evropianët e tjerë.

BE duhet të ofrojë një vlerë të shtuar të dallueshme, përndryshe për Merkelin ajo do të kthehet në fushatën elektorale jo në kënaqësi, por në barrë. Brexiti që ecën me pasiguri dhe kuturu, presidenti i paparashikueshëm në veprime i SHBA, Donald Trump dhe para së gjithash presidenti rus që duket i paparashikueshëm në veprime, Vladimir Putin mund ta kufizojnë shumë aftësinë për të vepruar të BE dhe ta vënë në një provë të rëndë solidaritetin e evropianëve. Kancelares i duhet të luftojë njëkohësisht në shumë fronte politike.

Bernd Riegert
Bernd Riegert

Në klubin e pashallarëve

Dhe nuk mungon as autokrati Recep Tayyip Erdogan, për bashkëpunimin e të cilit Merkeli ka nevojë. Vetëm me Turqinë funksionon frikësimi dhe sprapsja e refugjatëve në kufirin juglindor të Evropës. Prej kohësh kancelarja ka kaluar nga lejimi në mbyllje. Me ndihmën e Italisë dhe të shteteve afrikanoveriore ajo do ta zbatojë këtë së shpejti edhe në Mesdheun qendror. Vetëm në këtë mënyrë mund t'ia presë ajo ujin e mullirit Alternativës për Gjermaninë kundër migrantëve dhe të mbajë në linjë partinë simotër bavareze, CSU. Vetëm një "edhe më tej kështu" nuk do ta çojë përpara Angela Merkelin në pesë vitet e ardhshme, po t'i fitojë zgjedhjet. Ajo duhet të zhvillojë ide të reja, për të luftuar kundër pakënaqësisë, ksenofobisë, injorancës dhe klubit të pashallarëve nga Uashingtoni, në Moskë deri në Ankara. Ndoshta do të mund t'ia dalë mbanë. E sigurtë kjo nuk është. Nuk është kaq shumë fjala për Merkelin si person. E nevojshme është para së gjithash një spirancë stabile evropiane në qendër. Një Gjermani stabile, e suksesshme ekonomikisht, e hapur. Këtë ende e përfaqëson Angela Merkeli.

 

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE