1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE e nxit Ukrainën për reforma të shpejta

Pak para Krishtlindjeve Kievi dhe Brukseli po zhvillojnë një diplomaci intensive. Udhëheqja ukrainase shkon në Bruksel, e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme viziton Kievin. Fjala është për reformat.

Arka e shtetit është bosh, një fqinj i fuqishëm duhet ta shpëtojë vendin nga falimentimi. Kjo ishte gjendja e Ukrainës në mes të dhjetorit 2013, kur Presidenti i atëhershëm Viktor Janukoviç udhëton për në Moskë. Homologu i tij rus Vladimir Putin i akordon Ukrainës një kredi prej 15 miliardë dollarësh. Një vit më vonë Ukraina kërkon përsëri ndihmë jashtë vendit, këtë herë nga Evropa. Kur kryeministri Arseni Jazenjuk të udhëtojë për në Bruksel të hënën (15.12.) në radhë të parë do të bëhet fjalë për para.

Shkas për vizitën është takimi i parë i Këshillit të Asociimit. Organi i ri duhet të shoqërojë zbatimin e marrëveshjes së asociimit të nënshkruar në verë mes Ukrainës dhe BE-së. Thelbi i marrëveshjes, një zonë e lirë tregtie, është pezulluar deri në fund të 2015-s në sfondin e kritikës së ashpër nga Rusia.

Mirëkuptim dhe zhgënjim në Bruksel

Nevoja për para e Ukrainës së goditur rëndë nga lufta kundër separatistëve prorusë ndërkohë është dyfishuar. Vendi ka nëvojë vitin e ardhshëm krahas kredisë ekzistuese të FMN-së edhe rreth 15 miliardë dollarë amerikanë tha Jezenjuk gjatë prezantimit të programit qeveritar të enjten (11.12.2014) në Parlament. Ai iu referua vlerësimeve të "Financial Times". Nga FMN Ukraina do të marrë gjithsej 16,7 miliardë dollarë, një e katërta e shumës është transferuar ndërkohë.

Belgien EU Daniel Gros Pressekonferenz in Brüssel

Daniel Gros

Ukraina nuk është në gjendje të pengojë vetë falimentimin shtetëror, tha Jazenjuk: "Pa ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë është praktikisht e pamundur." Paratë që mungojë qeveria kërkon t'i mbledhë me një konferencë donatorësh. Një konferencë e tillë është prej muajsh në diskutim por një datë nuk është përcaktuar ende. Vëzhguesit mendojnë se qeveritë perëndimore donin të prisnin fillimisht zgjedhjet e parakohshme dhe krijimin e qeverisë. Ky proces përfundoi në fillim të dhjetorit.

Në Bruksel ka mirëkuptim për situatën e vështirë të Ukrainës, tha për DW Daniel Gros, drejtor i Qendrës për Studime politike evropiane në Bruksel (CEPS). "Kievi ka problemin e madh që nuk mundet njëkohësisht të ngrejë një ushtri të madhe, të reformojë ekonominë dhe të bëjë për vete popullsinë", mendon eksperti. Por Brukseli është "më shumë i zhgënjyer". "Nuk është parë një zbatim i vërtetë i reformave", tha Gros. "Kjo ka të bëjë jo vetëm me ekonominë por edhe me policinë dhe drejtësinë." BE do të shohë "reforma të thella në këto fusha".

Me dorën e zgjatur dhe program reformash

Kryeministri ukrainas duket se është në dijeni të skepticizmit. Ndihma nga jashtë për Ukrainën nuk është e mundur pa reforma, tha ai. Për këtë arsye Jazenjuk nuk shkon në Bruksel vetëm me dorën e zgjatur. Në dorën tjetër ai ka një valixhe plot me plane për reforma. Shteti ukrainas do të bëjë shkurtime drastike të shpenzimeve dhe do të heqë subvencionet. Tarifat për rrymë, ujë, gaz dhe ngrohje për ekonomitë shtëpiake do të shtohen dy deri tri herë. Mosha e daljes në pension mund të ngrihet nga 60 vjeç aktualisht në 63 vjeç. Përkujdesi shëndetësor falas do të zëvendësohet nga një sistem sigurimesh. Edhe subvencionet për kategoritë me të ardhura të ulëta do të shkurtohen ose hiqen plotësisht.

BE i ka premtuar Ukrainës në mars një paketë ndihme prej rreth 11 miliardë eurosh. Por deri tani vetëm një pjesë shumë e vogël e kësaj shumë është derdhur. Pagesat e tjera Brukseli i kushtëzon me reformat.

A duhet t'i financojë BE drejtpërdrejt ukrainasit në nevojë?

Ndëkohë pjesa kryesore e ndihmës së huaj për Ukrainën duket se del përsëri jashtë vendit. Vetëm gjatë këtij viti Ukraina "ka shlyer 14 miliardë dollarë amerikane borxhe dhe kredi", tha kryeministri Jazenjuk në Parlament. Daniel Gros mendon se kjo është e gabuar. Ukraina duhet më mirë të negociojë për shtyrjen e mëtejshme të shlyerjes së borxheve.

Ukraine Präsident Poroschenko spricht im Parlament

Presidenti Petro Poroschenko

Nga më shumë se 10 miliardë eurot nga paketa e premtuar e BE-së më pak se 100 milionë pra rreth 10 për qind shpenzohen për ndihmë humanitare dhe rindërtim të ekonomisë, shkruan Gros së bashku me kolegun e tij Steve Blockmans në një analizë. Në sfondin e korrupsionit në përmasa shqetësuese këto programe ndihme "janë një pikë uji në oqean".

Eksperti i rekomandon BE-së të ndjekë një rrugë të pazakontë. Në vend që të transferojë para si gjithnjë tek qeveria në Kiev, BE duhet të hapë zyra të vogla në provincat ukrainase dhe paratë t'ua japë direkt njerëzve në nevojë. "Për shembull pensionistëve apo familjeve të varfëra, të cilat tani duhet të paguajnë fatura të larta për ngrohjen", thotë Gros.

Ofensivë diplomatike para fundit të vitit

Kur është fjala për kredi të reja kryeministri ukrainas Jazenjuk në vizitën e tij në Bruksel do të përpiqet t'i bindë donatorët evropianë me emërimet e reja në kabinet. Tri ministra në qeverinë e tij, ndër ta ministrja e Financave e lindur në SHBA Natalia Jaresko dhe ministri i Ekonomisë me origjinë nga Lituania Ajvaras Abromaviçus vijnë nga jashtë. Kjo duhet të ndihmojë ndër të tjera për të luftuar korrupsionin, shpresohet në Kiev.

Vizita e kryeministrit ukrainas Jazenjuk në Bruksel hap një javë veçanërisht intensive në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe BE-së. Të martën e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Federica Mogherini shkon në Kiev. Të enjten dhe të premten sipas medieve ukrainase do të shkojë në Bruksel Presidenti ukrainas Poroshenko për të marrë pjesë në samitin e BE-së. Edhe në këtë vizitë do të diskutohet për ndihmat për Ukrainën.