1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE e ndarë në politikën ndaj Kosovës

Ndarja në Bashkimin Evropian për çështjen e pavarësisë së Kosovës dobëson politikën e BE-së në rajon. Kryesuesja e radhës e BE-së Qiproja , e cila është gjithashtu kundërshtare e njohjes, po qëndron e tërhequr.

Kur Kosova shpalli në fillim të vitit 2008 pavarësinë Bashkimi Evropian u vu para një dileme: A ta njihte ish-provincën serbe si shtet të pavarur apo jo? Shumica e vendeve të BE-së, përfshi edhe Gjermaninë, e njohu pak më vonë Kosovën. Por deri sot qeveritë e Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros janë të një mendimi tjetër, pra nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. 

European Council President Herman Van Rompuy, right, welcomes Atifete Jahjaga, President of Kosovo, at the European Council building in Brussels, Wednesday, July 18, 2012. (Foto:Yves Logghe/AP/dapd)

Atifete Jahjaga dhe Herman Van Rompuy

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha në korrik të këtij viti, se qëndrimi i këtyre vendeve nuk ka të bëjë me Kosovën por "me arsye të brendshme politike" të tyre. Me sa duket ajo ka të drejtë, sepse të gjithë pesë vendet kundërshtuese kanë pakica të forta kombëtare dhe ato kanë frikë se këto pakica mund të kërkojnë pavarësinë.

Ndarja dobëson politikën e BE-së në Ballkan

Ndarja në Bashkimin Evropian për çështjen e pavarësisë së Kosovës dobëson politikën e BE-së në rajon. Ulrike Lunacek, eurodeputetja e të Gjelbërve austriakë në Parlamentin Evropian dhe raportuese për Kosovën, u bën thirrje "pesë shteteve kokëforta që ta njohin atë, sepse kjo do t'i bëjë përpjekjet e BE-së edhe më efektive." Megjithatë kjo një herë për një herë nuk pritet të ndodhë. Kryesuesja e radhës e BE-së Qiproja , e cila është gjithashtu kundërshtare e njohjes, po qëndron e tërhequr. Sipas zëvendësministrit qipriot për Evropën Andreas Mavroyiannis "BE-ja kërkon një qasje neutrale ndaj statusit".

Por në qoftë se BE-ja nuk është e një mendjeje në këtë çështje, atëherë BE-ja nuk mund të presë nga Serbia që të heqë dorë zyrtarisht nga Kosova si pjesë e territorit të saj. Presidenti i ri serb Tomisllav Nikoliq tha pas bisedimeve në qershor me Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, i kënaqur: "Mua më kanë siguruar se BE nuk do të na kërkojë të njohim Kosovën".

Por kjo nuk do të thotë se Bashkimi Evropian nuk pret asgjë në çështjen e Kosovës dhe të Serbisë, nëse vendi dëshiron t'i afrohet qëllimit të tij për t'u anëtarësuar në BE - përkundrazi. Serbia mori këtë vit statusin e kandidatit dhe pret për fillimin e negociatave për anëtarësim. Edhe gjatë vizitës së presidentit Nikoliq në qershor Barroso i tha qartë "se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën mbetet një kërkesë absolutishte kyçe për Komisionin, që t'u rekomandojë shteteve tona anëtare hapjen e negociatave për anëtarësim." Konkretisht, BE pret prej të dyja palëve sidomos kthimin e vendkalimeve kufitare në vendkalime normale.

Dialog dhe kompromis si "rrugë evropiane"

Kosova nuk e ka marrë deri tani statusin e kandidatit. Dhe nuk mund ta marrë për aq kohë sa të gjithë anëtarët e BE ta kenë njohur Kosovën si shtet. Por në thelb rruga e Kosovës për në Evropë, është e hapur thotë Komisioni. Prandaj Komisioni kërkon nga Kosova që të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe të respektojë pakicën e saj serbe, pavarësisht nga çështja e pazgjidhur e statusit. Presidenti Van Rompuy u shpreh për "rrugën evropiane të kompromisit, dialogut dhe konsensusit", prej së cilës të dyja palët vetëm se mund të fitojnë. Por në perspektivë afatgjatë duhet trajtuar edhe çështja e statusit sugjeroi të martën Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian. "Në fund të një rruge të gjatë duhet të jetë njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës" tha Schulz në prani të kryeministrit serb Ivica Daçiq.

Prania ndërkombëtare ende për një kohë të gjatë e nevojshme

Çfarë ndryshon me të vërtetë tani që Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë mbyll dyert e saj? Jo shumë, beson Marko Prelec, ekspert për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel. "Kosova është ende e paqëndrueshme, veçanërisht për sa i përket sundimit të ligjit dhe marrëdhënieve me serbët në veri të vendit dhe në Serbi." Po ashtu për momentin nuk pritet ndonjë ndryshim as sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe as anëtarësimit të saj në OKB. Prelec mendon se çdo tërheqje e pranisë ndërkombëtare do të thotë më shumë rrezik për serbët në Kosovë. "Kjo është ende një zonë e rrezikshme, ku prania ndërkombëtare do të jetë e nevojshme edhe për shumë vjet." BE dhe NATO mendojnë në të njëjtën mënyrë. Sie KFOR-i edhe misioni i policisë dhe i drejtësisë EULEX do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë.