1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE duhet të vendosë rregulla më të ashpra për lobiizmin

Institucionet e BE-së shpesh përshkruhen nga qytetarët si jotransparentë dhe të korruptuar. Një studim nga TI tregon se luftimi i korrupsionit në Evropë është më i mirë nga sa mendohet edhe pse ka ende disa mangësi.

Transparency International

Transparency International

Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij kanë shumë rregulla shembullorë në luftimin e korrupsionit, të cilat nga vetë ata nuk zbatohen me konsekuencë. Në këtë rezultat mbërrin një studim i prezantuar të enjten (24.4.) në Bruksel dhe Berlin, nga organizata antikorrupsion Transparency International. Për studimin është shqyrtuar se si veprojnë kundër korrupsionit dhe konflikteve të interesit në radhët e tyre, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe tetë institucione të tjera të BE-së.

Rezultati, thotë kryetarja eTI për Gjermaninë Edda Müller, ka shkaktuar habi. "BE është shumë më mirë se sa përshtypja që ekziston për të".

Edda Mueller

Edda Mueller

Në shumë fusha rregullat për transparencën janë mjaft më lart se standardet gjermane: kështu të gjithë protokollet e mbledhjeve të komisioneve të Parlamentit Evropian duhet të bëhen publikë. Po kështu në çdo moment është e kuptueshme se në çfarë stadi gjenden konsultimet e komplikuara për ligjet e BE-së dhe çfarë interesash mbron respektivisht secili shtet i BE-së, shpjegon Müller. Megjithatë rregullat ekzistues për transparencën në praktikë nuk gjejnë zbatimin e duhur, çka përbën mangësinë më të madhe në praktikë për BE-në, konstaton TI. "Për një BE të sigurtë nga korrupsioni duhet bërë më shumë", tha Müller, e cila për vite me radhë ka punuar vetë si mbrojtëse konsumatorëve në rrjetën e interesave të botës së lobiistëve në Bruksel.

Një regjistër i detyrueshëm për lobiizmin me mundësi sanksionesh

Lobiizmi si problem

Lobiizmi si problem

Probleme ka veçanërisht sa i takon lobiizmit pa fre dhe kufizimeve të vëna kundër tij, citoi Müller nga studimi prej 240 faqesh me titullin "Studim për integritetin e BE-së", financuar nga një fondacion holandez. Veçanërisht instrumenti ekzistues në Bruksel i një regjistri për lobiistët u kritikua ashpër në formën e tij aktuale nga TI. Vërtet në Bruksel ekziston një regjistër i tillë ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare përfshirë Gjermaninë, tha Müller. Por regjistrimi i përfaqësuesve të interesave deri tani nuk është i detyrueshëm dhe nuk parashikohen as sanksione për të gjithë ata që nuk duan të regjistrohen.

"Aktualisht janë të regjistruar reth 6000 lobiistë", shpjegon Müller. Nëse kjo shifër krahasohet me numrin e supozuar të lobiistëve që janë aktivë në Bruksel, atëherë rezulton se është më pak se gjysma. TI kërkon për këtë arsye futjen e një detyrimi për regjistrim për lobiistët. Veç kësaj edhe procesi i përgatitjeve për ligjet e BE-së nga Komisioni i BE-së duhet të bëhet më publik. Këtu shpesh përfshihen ekspertë të jashtëm. "Ekspertët e thirrur duhet të paraqesin qartë për kë punojnë, nga kush paguhen dhe interesat e kujt përfaqësojnë", kërkoi Müller.

Kërkesë për një prokurori evropiane

Për të luftuar me efikasitet shkeljet e ligjeve përtej kufijve si p.sh. pastrimin e parave apo korrupsionin, sipas mendimit të TI duhet të themelohet një prokurori evropiane, e cila do të mbyllte boshllëkun ekzistues në ndjekjen penale. Aktualisht BE me institucionet Europol (policia evropiane) dhe Eurojust (autoriteti evropian i drejtësisë), BE ka dy institucione, të cilat në radhë të parë kanë si detyrë të përmirësojnë dhe koordinojnë shkëmbimin e informacionit mes autoriteteve të 28 shteteve anëtare. "Ne mendojmë se Eurojust me funksionin e tij koordinues nuk është aktualisht aq efikas sa duhet, për të vepruar kundër veprave të tilla penale". Studimi për integritetin e BE-së u krye në një interval kohor 9 mujor nga zyra e IT për BE-në. Bazë e studimit kanë publikimet dhe intervistat me përfaqësues të institucioneve të BE-së.