1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE do t'i besojë më shumë: qytetarëve shqiptarë, apo politikanëve të tyre?

Disa javë para vendimmarrjes së Brukselit për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, vëzhguesit e pavarur janë kritikë për sjelljen e klasës politike.

Tirana

Është e sigurtë se në muajin qershor Komisioni Europian do të shprehet zyrtarisht, pas disa refuzimesh, nëse Shqipëria përmbush kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE. Por ende nuk është e sigurtë, se si do të jetë vendimarrja e Brukselit. Situata e polarizuar politike dhe fryma mosbesuese mes mazhorancës dhe opozitës u reflektua qartë dhe në takimin e parlamentarëve nga i gjithë spektri politik, ku nuk pati një kompromis për të nënshkruar një rezolute të përbashkët. Pas kthimit në Tiranë përfaqësues të të majtëve në qeverisje dhe të djathtëve në opozitë fajësuan njeri tjetrin për pafuqinë e nënshkrimit të rezulutës, që ishte hartuar në thelb nga europarlamentarët, si një gjest pozitiv paraprak për atë, që do të vendoset në muajin qershor.

Jo çdo politikan është i interesuar për standardet europiane

Frank Hantke, drejtor i Zyrës për Shqipërinë i fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert”, shprehet se që nga viti 1991 vijon të punojë në ose me vendet në tranzicion. Por në të njëjtën kohë Hantke nuk e fsheh se kurrë nuk ka hasur një situatë të ngjashme, si ajo e para pak kohe në Bruksel, ku shqiptarët nuk ishin në gjendje që të flisnin me një zë të vetëm. Kjo ishte unike dhe tregon qartë papjekurinë e disa politikanëve shqiptarë, thotë ai për DW.

“Ose, akoma më keq, kjo ngre pyetjen për disa prej politikanëve, nëse ata janë realisht të interesuar për integrimin europian. Mbase për disa në fakt duket se më tepër e pershtatshme është të ruajnë statu quo-në mes dy etapave integruese. Mbase jo secili politikan realisht është i interesuar për standardet europiane për një administratë funksionale dhe të pavarur, për drejtësinë dhe kontrollin e sistemit etj.

Frank Hantke: Është koha për ta bërë të qartë që disa prej politikanëve duket se kanë tradhëtuar votuesit e tyre.

Frank Hantke: "Është koha për ta bërë të qartë që disa prej politikanëve duket se kanë tradhëtuar votuesit e tyre."

Për ata kjo mund të jetë vetëm fasadë në fjalime të bukura për votuesit. Nëse të gjithë politikanët kryesorë realisht do të donin të mbështesnin dëshirën e popullatës që të jenë europianë në BE, kjo do të kishte qenë e shumë e thjeshtë për ta treguar në Bruksel, edhe duke pasur disa diferenca brenda vendit. Pak kohë më pare unë kam shkruar në një artikull, që qytetarët shqiptarë e kanë treguar pjekurinë e tyre për hapat e mëpasëm drejt BE-së. Pse ata kanë ende disa politikanë, të cilët realisht nuk luftojnë për interesin e njerëzve, por më shumë për interesat e veta? Është koha për ta bërë të qartë që disa prej politikanëve duket se kanë tradhëtuar votuesit e tyre.”

Janë ndryshuar pozicionet e aktorëve politike, por jo sjellja

Dr. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike, nuk shikon ndonjë ndryshim thelbësor të gjendjes dhe të sjelljes politike aktuale me periudhën e mëparshme. Janë ndryshuar pozicionet e aktorëve politikö, por sjellja mbetet e njëjtë, thotë dr. Krasniqi për DW.

“Dy palët politike po bëjnë pak për të gjetur urat e komunikimit dhe bashkëpunimit, kryesisht për shkak të prioriteteve të veta politike, synimit për të përfituar politikisht nga procesi, si dhe keqkuptimeve, që kanë mbi përgjegjësitë e njëra-tjetrës. Mazhoranca ndjehet e flustruar nga vota dhe ende nuk ka gjetur ekuilibrin midis premtimeve e pritshmërive të mëdha dhe nevojës për akte politike e ligjore konkrete, opozita ende nuk e ka lexuar si duhet rezultatin poshtërues në zgjedhje dhe nuk ka gjetur ende ekuilibrin midis nevojës për reformim dhe reflektim nga gabimet e të kaluarës. Nga dhjetori 2013 deri tani ka përmirësime në klimën e funksionimit të institucioneve dhe biznesit, por ka pak, shumë pak arritje në drejtim të luftës antikorrupsion, të sundimit të ligjit dhe të nxitjes së komunikimit institucional politik.”

Krasniqi: Dy palët politike po bëjnë pak për të gjetur urat e komunikimit

Krasniqi: "Dy palët politike po bëjnë pak për të gjetur urat e komunikimit"

Eksperti i shkencave politike Afrim Krasniqi mbron mendimin se në këtë situatë dhe për shumë arsye të tjera vendimi për statutin në qershor nuk pritet të jetë produkt i vlerësimit të Tiranës politike, sa shihet si një proces gjeopolitik në kuadër të zhvillimeve të reja në lindje të Evropës, si edhe si produkt i një mesazhi inkurajues për reforma pavarësisht sjelljes së politikës në Tiranë.

“Me shqetësim vihet re gjithashtu se ka një rritje të pritshme të përceptimit qytetar, politik e publik se Shqipëria, edhe në raport me suksesin e ndonjë vendi tjetër rajonal, e meriton statutin dhe se BE duhet ta japë, dhe se çdo përgjigje tjetër negative, në një masë gjithnjë e më të madhe do lexohej si paragjykim perëndimor ndaj Shqipërisë dhe jo dështim i Shqipërisë. Kjo ndjesi viktimizimi dhe vlerësimi të njëanshëm është aq e dukshme në Tiranë, saqë dy palët politike e perifrazojnë publikisht dhe ndaj dy palët nuk po sakrifikojnë asgjë nga prioritetet e tyre në funksion të një imazhi tjetër më pozitiv.”

Frank Hantke, drejtor i Zyrës për Shqipërinë i fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert”, mendon se problemi në qershor do të jetë se kujt politikanët e BE-së, sipas tij, do ti besojnë më shumë: qytetarëve shqiptarë, apo politikanëve të tyre.

“Do të jetë për të ardhur keq, nëse Shqipëria me kaq potenciale të mëdha, njerëzore dhe natyrore, sërish do të qëndrojnë jashtë familjes europiane, vetëm sepse përfaqësuesit e tyre akoma nuk përfaqësojnë dëshirat e popullit më një zë të vetëm.”