1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

BE do ta detyrojë Gjermaninë të memorizojë telekomunikimin

Një direktivë e Bashkimit Evropian i detyron kompanitë telefonike të mbledhin dhe të memorizojnë të dhënat e bisedave telefonike dhe lidhjeve të internetit. Tani Komisioni Evropan do të rishikojë këtë direktivë.

Gjermania detyrohet për memorizimin e telekomunikimit?

Gjermania detyrohet për memorizimin e telekomunikimit?

Sipas pikëpamjeve të autoritetit të BE-së mbledhja dhe memorizimi i të dhënave të bisedave telefonike, lidhjeve të internetit dhe postës elektronike është një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e qytetarëve për shembull nga terroristët por jo vetëm prej tyre. Falë të dhënave telefonike së fundi ndër të tjera është zbuluar një rrjet i trafikantëve të heroinës dhe një rreth i pedofilëve në Bashkimin Evropian. Për direktivën e BE-së është vendosur pas sulmeve terroriste të Madridit në vitin 2004 dhe të Londrës në vitin 2005. Por gjatë një rishikimi të direktivës Komisioni Evropian ka vërejtur mangësi të konsiderueshme të cilat nuk garantojnë sigurinë e mjaftueshme për ruajtjen e të dhënave. Prandaj deri në fund të vitit 2011 Komisioni i BE-së do të paraqesë propozimet për ndryshimin e direktivës.

Aktivistët e rrjetit të internetit ka kohë që janë kundër mbledhjes së të dhënave dhe memorizimit të tyre. Ata protestojnë kundër siç thonë ata "manisë e shtetit për të mbledhur të dhëna". Ndër të tjera edhe meë një video ku shihet se çfarë mund të memorizojnë krejt autoritetet policore.

"Për shembull nëse ti thërret, dhe kur. Kur e ke përdorur celularin tënd dhe ku. Kur dhe ku je kyçur në internet dhe çfarë faqesh viziton. Kujt i shkruan E-maile dhe përse."

Kjo video deri tani është klikuar me miliona herë në internet. Jo vetëm në Gjermani por në mbarë Evropën. Kjo për faktin se mbledhja dhe memorizimi i të dhënave është i diskutueshëm në krejt kontinentin. Megjithë kritikat e ashpra Komisioni Evropian nuk lëshon pe. Mbledhja dhe memorizimi i të dhënave ka ofruar dëshmi të rëndësishme dhe ka ndikuar në ngritjen e shkallës së zbardhjes të rasteve kriminale, thekson komisionerja e BE-së për politikën e Brendshme, Cecilia Malmström.

Belgien EU Innenkommissarin Cecilia Malmström will Flüchtlinge verteilen

Komisionerja e BE-së për politikën e Brendshme, Cecilia Malmström.

"Në Hungari dhe Poloni në vitin 2009 dhe 2010 mashtruesit telefononin njerëzit e moshuar dhe prezantoheshin si të afërm të tyre. Në disa prej këtyre rasteve viktimat janë dëmtuar me disa mijëra euro. Policia ka arritur të zbulojë keqbërësit pasi ka hetuar të dhënat nga bisedat telefonike."

Prandaj të dhënat e lidhjeve telefonike dhe të internetit do të vazhdohet të mblidhen dhe memorizohen ende në mënyrë që qytetarët të mbrohen nga terrori dhe krimet e tjera. Por Komisioni ka vendosur të përpunojë direktivën aktuale. Kjo për fakin se në vende të ndryshme anëtare janë në fuqi pjesërisht ligje të ndryshme për mbledhjen dhe memorizimin e të dhënave.

Gjatë rishikimit të direktivës do të mirret posaçërisht në konsideratë mbrojtja e sferës private. Komisioni Evropian do të kontrollojë saktë se cilat autoritetet përdorin të dhënat, cilat të dhëna kërkohen prej tyre dhe për çfarë qëllimesh. Se si do të duket direktiva e ardhshme është ende çështje e hapur por ajo duhet të respektohet nga të gjithë, për këtë Cecilia Malmstöm nuk ka aspak dyshim:

"Unë dua t'ju kujtoj se kjo direktivë nuk është zbulim i Komisionit. Komisioni është lutur për këtë direktivë nga vendet anëtare dhe madje njëzëri."

Për shkak se qeveria gjermane nuk ka filluar ende të zbatojë direktivën e Komisionit Evropian, kërcënohet nga Brukseli me një procedurë penalë dhe dënim. Edhe pse Gjermania e ka inkorporuar këtë rregull në të drejtën kombëtare, ai është rrëzuar si ligj vitin e kaluar nga Gjykata Kushtetuese. Gjykatësit ishin të mendimit se mbrojtja e të dhënave me këtë ligj është shumë e dobët. Që atëherë koalicioni gjerman nuk ka arritur të gjejë mënyrën për rregullimin e kësaj çështjeje në Gjermani.

Autor: Leon Stebe / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM