1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE do të japë asistencë konkrete në fazën e rehalibilitimit

Kreu i delegacionit të KE-së ambasadori Helmuth Lohan, tha sot se BE parashikon të japë mbështetjen në rehabilitimin e tokës bujqësore, të rrugëve, sistemit të kullimit dhe thellimit të shtratit të Bunës.

Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, ambasadori Helmuth Lohan.

Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, ambasadori Helmuth Lohan.

Deutsche Welle: Këtë javë qeveria e Tiranës fillon dëmshpërblimin e familjeve dhe të bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet në Shkodër. Faza e emergjencës është duke i lëne vendin asaj të reabilitimit. A do të vazhdojë ndihma e BE edhe në këtë fazë, zoti ambasador?

Helmuth Lohan: Solidariteti i BE-së nuk do të ndalojë tani. Pas përfundimit të fazës së emergjencës do të ketë një fazë shumë të rëndësishme. Kjo është faza e reabilitimit të tokës bujqësore, të shtëpive të përmbytura, të dëmeve që ka pësuar mjedisi, të rrugëve, përmirësimin e sistemit të kullimit të tokave, apo thellimin e shtratit të lumit Buna. Tani për tani nuk mund të them saktë se çfarë nevojash ka dhe çfarë do të kërkojë qeveria e Shqipërisë nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo do të duket në ditët në vijim. Kam besim të plotë se një asistencë konkrete do të jepet nga BE edhe për fazën e reabilitimit.

Deutsche Welle: Zoti Lohan, çfarë mbështetje i ka dhënë BE, gjatë fazës së emergjencës, në dy javët e para të këtij muaji, familjeve në zonat e përmbytura?

Helmuth Lohan: Para së gjithash përfitoj nga rasti për të treguar simpatinë, dhembshurinë dhe solidaritetin që Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare ndjejnë për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër. Ky solidaritet ka marrë një formë shumë konkrete: nga njëra anë një ekip ekspertësh të BE, i përbërë prej shtatë vetësh, ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë që të analizojë nevojat e familjve të prekura dhe të koordinojë shpërndarjen e ndihmave ndërkombëtare që po mbrijnë në këto zona. Nga ana tjetër soplidariteti i BE-së ka marrë formën e asistencëss teknike me mjete transporti, me produkte ushqimore, medikamente mjekësore që i dërguan dhe vazhdojnë t'i dërgojnë Shqipërisë vendet anëtare. Brenda një kohë shumë të shkurtër, pothuajse menjëherë pas kërkesës së bërë nga qeveria e Tiranës. Jam i sigurtë që popullsia në zonat te prekura nga përmbytjet në Shkodër dhe autoritetet e Shqipërisë vlerësojnë solidaritetin e treguar deri më tani nga BE dhe vendet anëtare.

Deutsche Welle : Zoti Lohan, a mendoni se angazhimi total i qeverisë dhe administratës për dy javë rrjesht në përballimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër, mund të ketë lëne disi pas dore plotësimin në kohë të pyetësorëve të Komisionit Europian lidhur me marrjen në shqyrtim të kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat? Këto pyetësorë duhen dorëzuar në fund të shkurtit.

Helmuth Lohan: Kam përshtypjen se kolegët në administrarën shqiptare po punojnë shumë për t'i dhënë përgjigje pyetjeve të këtij pyetësori. Ka mbetur edhe pak kohë për administratën për të kontrolluar cilësinë e përgjigjeve dhe konsultuar me dikasteret e përfshira në këtë process, shoqërinë civile. Nuk mendoj që puna për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Europian lidhur me progresin e bërë dhe marrjen në shqyrtim të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim me BE të jetë vonuar, për shkak të përqëndrimit të burimeve kryesore të qeverisë ne daljen nga emergjenca të situatës në zonat e përmbytura.

Deutsche Welle: Sot në Parlament zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme lidhur me përmbytjet ne Shkodër , ku opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. Çfarë mendoni për situatën politike kur opozita vazhdon të mbetet jashtë dyerve të Parlamentit?

Helmuth Lohan: Bashkimi Europian tani po ndihmon qeverinë e Shqipërisë të përballojë situatën në zonat e përmbytura dhe të tregojë solidaritetin e tij me familjet e prekura dhe gjithë zonën e Shkodrës. Çdo debat politik takon klasës politike të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj dhe jo BE-së.

Intervistën e zhvilloi Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYvi
  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYvi