1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE do të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë

Bashkimi Evropian do të monitorojë zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit në Kosovë. Në këto zgjedhje do të marrin pjesë 31 subjekte politike. Në mesin e tyre janë pesë subjekte politike serbe.

Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më datën 8 qershor Kjo bëhet e ditur nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Samuel Zhbogar, e njoftoi Presidenten me vendimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, për të dërguar një mision vëzhgues të BE-së për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në Kosovë”, njofton zyra e presidentes.

Koordinim i punës së organeve të drejtësisë dhe sigurisë

“Vendimi i Baroneshës Ashton, vjen si përgjigje në letrën e dërguar nga Presidentja me kërkesën që BE-ja të monitorojë zgjedhjet e 8 qershorit, me qëllim të sigurimit të një procesi demokratik dhe korrekt zgjedhor në tërë Kosovën”. Presidentja Jahjaga, thotë se “zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në Kosovë duhet të jenë të sigurta, të ndershme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë në mënyrë të lirë”.

Për të garantuar një proces të lirë dhe demokratik të zgjedhjeve, tashmë ka një koordinim ndërmjet organeve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë. Autoritetet në Kosovë thonë se tashmë janë duke bërë përgatitjet për zgjedhje të lira e demokratike në mënyrë që të shmangen parregullsisë që përshkuan zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010. Kryeprokuroria e shtetit, njofton se ka formuar një grup punues me staf nga të gjitha komunat dhe në ditën e votimit do të angazhojë 100 prokurorë dhe 300 anëtarë staf civil.

Koordinatorja për zgjedhjet, Laura Pula, apelon që më 8 qershor, “çdo qytetar i cili vëren keqpërdorim të votës, të adresojë çështjen në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit”. Për të ndihmuar në sigurinë gjatë zgjedhjeve të tetë qershorit, sidomos në veri të Kosovës, do të jenë të angazhuara në ndihmë policisë së Kosovës, në rast nevojë, edhe policia e misionit EULEX dhe Forcat Paqeruajtëse.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit në Kosovë, do të marrin pjesë 31 subjekte politike nga të gjitha komunitetet njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Në mesin e tyre janë edhe pesë subjekte politike serbe, përfshirë edhe nismën qytetare serbe, e cila mbështetet nga qeveria e Beogradit. Kjo nismë në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar fitoi pothuaj në të gjitha komunat, në dhjetë gjithsej ku banojnë shumica e serbëve të Kosovës.