1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

BE dhe Ukraina: Të shpresosh dhe të presësh

Përpjekjet evropiane për ndërmjetësim dhe kërcënimet për sanksione nuk kanë sjellë sukses në Ukrainë. Edhe Këshilli i Ministrave të BE nuk solli të reja.

BE bën në vend numëro në politikën e Ukrainës. As për sanksione kundër kastës drejtuese të Ukrainës nuk bie dot dakord, as ndonjë paketë konkrete ndihmash nuk ka paraqitur. Për këtë, e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka lënë vetëm të kuptohet diçka. Ashtoni, e cila ishte sërish në Kiev jo më larg se java e kaluar, përsëriti në Bruksel vetëm ofertën e dyfishtë evropiane:

E Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka lënë vetëm të kuptohet diçka

E Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka lënë vetëm të kuptohet diçka

"Ne jemi të gatshëm, që ta mbështesim procesin e dialogut. Ne jemi gjithashtu të gatshëm, që me mbështetjen tonë ekonomike të shtyjmë përpara reformat, për këtë po bisedojmë me shumë vende dhe institucione." Më saktë ajo as këtë herë nuk u shpreh. Gjithsesi, BE e quan meritë të vetën që me presionin e ushtruar arriti jo vetëm dorëheqjen e qeverisë së deritashme, por edhe që ndaluan trajtimet më të rënda kundër demonstruesve dhe pati negociata me përfaqësues të opozitës.

Më shumë kulaç se kërbaç

Politikisht kjo nuk ka sjellë asgjë. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier i sheh demonstratat e fundjavës së kaluar si dëshmi "se njerëzit në Ukrainë nuk mjaftohen me kompromise të kalbura dhe se fitimi i kohës, siç po përpiqet të bëjë sërish Janukoviçi, nuk është perspektivë për një zgjidhje politike." Steinmeieri kërkoi në Bruksel sërish ndryshime të kushtetutës, të cilat do ta forconin qeverinë dhe parlamentin përballë presidentit. Për sanksione ai nuk do të dëgjojë, ende jo të paktën. Homologu i tij suedez, Carl Bildt mendon gjithashtu: "Ne jemi aktivë para së gjithash në biznesin e kulaçit, më pak në biznesin e kërbaçit." Ja që kulaçi nuk ka efekt kaq të shpejtë. "Por unë besoj që në plan afatgjatë ne kemi në duar instrumentat më të fuqishëm për të ndikuar të ardhmen e Ukrainës." Nivelin e sanksioneve ai e sheh të arritur definitivisht, kur ka "represion serioz ose shtypje të dhunshme".

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier njerëzit në Ukrainë nuk mjaftohen me kompromise të kalbura

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier "njerëzit në Ukrainë nuk mjaftohen me kompromise të kalbura"

Shkarja e Nulandit ka një bërthamë të vërtetë

Hë për hë, shumica e BE ndjek rrugën e përpjekjeve të ndërmjetësimit dhe ofertën e mbështetjes ekonomike, e cila duhet ta çlirojë Ukrainën nga mbërthimi prej Rusisë. Që paketa e përbashkët e ndihmës evropiane-amerikane ende nuk është realizuar, kjo mund të ketë të bëjë edhe me aksidentin e vogël që i ndodhi Victoria Nulandit. Drejtuesja e Sektorit të Evropës në Ministrinë e Jashtme amerikane pati thënë në një telefonatë me ambasadorin amerikan në Kiev, telefonatë e cila u publikua në youtube, se BE është shumë i dobët në mënyrën si e trajton Ukrainën. Dhe pas kësaj pasoi fjalia e famshme "bëji menderin BE". Më e vonta në këtë pikë të gjithë e morën vesh se çfarë mendojnë amerikanët për politikën e përbashkët të jashtme evropiane. Ministri i Jashtëm i Irlandës, Eamon Gilmore thotë se nuk duhet tepruar me interpretimin e fjalisë së koleges Nuland. Kancelarja gjermane, Angela Merkel e pati quajtur incidentin si "krejtësisht të papranueshëm". Por pak pas kësaj, ajo i bëri thirrje BE për "një qendrim unik me Ukrainën".

Kohë e shkrirjes së borës midis Brukselit dhe Havanës

Ministrat e jashtëm vendosën në takimin e tyre edhe një riafrim me Kubën. Ndryshe nga SHBA, BE vërtet që i ka normalizuar para shumë vitesh marrëdhëniet me Kubën. Por marrëdhëniet u përkeqësuan para rreth dhjetë vjetësh, kur regjimi mori masa kundër disidentëve. Ndërkohë, Brukseli mendon se ka ardhur koha për një shkrirje të re të borës. BE synon një "marrëveshje për dialog politik dhe bashkëpunim". Por njëkohësisht, masa e bashkëpunimit do të varet nga respektimi prej qeverisë së Kubës i të drejtave të qytetarëve të saj. Ende nuk bëhet fjalë për heqjen e barrierave tregtare. Bëhet fjalë për bashkëpunim në fushën e ambjentit, të bujqësisë dhe për tema sociale.