1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE dhe SHBA zhvillojnë takim harmonik në Lisbonë

Në pranverë, BE u ndie i mospërfillur, sepse presidenti i SHBA, Barak Obama e anulloi pa e zgjatur takimin e rregullt të nivelit të lartë. Në Lisbonë këtë herë ky takim u zhvillua. Ajo që mbizotëroi ishte thuajse harmoni

Flamujt e SHBA dhe të BE para Këshillit evropian në Bruksel.

Flamujt e SHBA dhe të BE para Këshillit evropian në Bruksel.

Takimi i nivelit të lartë midis SHBA dhe BE iu bashkangjit takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lisbonë, meqenëse politikanët e rëndësishëm ishin gjithsesi në kryeqytetin portugez. Në vetëm 90 minuta, presidenti Barak Obama trajtoi me përfaqësuesin e përhershëm të Këshillit të BE, Herman van Rompoy dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Barroso fushat më të rëndësishme politike. Përfundimi i Obamas:

Presidenti i SHBA, Obama në Lisbonë

Presidenti i SHBA, Obama në Lisbonë

"Ky takim i nivelit të lartë nuk ishte kaq interesant sa takimet e tjera, sepse në thelb ne jemi dakord për të gjitha çështjet e rëndësishme (të qeshura). Megjithatë, marrëdhënia jonë me Evropën përfaqëson për ne bazën për politikën tonë në të gjithë botën."

Mirëkuptim për politikën e jashtme, kërkesa për politikën ekonomike

Barak Obama tha që para takimit se midis SHBA dhe Evropës, pas një kohe keqkuptimesh mbizotëron sërish marrëveshje. Përsa i përket vijës së përgjithshme, palët janë dakord, edhe nëse ka debat për çështje të vecanta. Obama e kishte fjalën në radhë të parë për çështje të politikës së sigurisë dhe të politikës së jashtme. Në politikën ekonomike dhe në atë të financave, diferencat transatlantike vazhdojnë të mbeten aktuale. Presidenti amerikan kritikoi se disa vende në Evropë nuk bëjnë mjaftueshëm, për ta nxitur sa duhet kërkesën në tregun e brendshëm të vendit dhe për të pakësuar suficitet në bilancin tregtar me SHBA. Me këtë ai ka parasysh para së gjithash zëvendëskampionen botërore në eksporte, Gjermaninë. Gjermania duhet t'i pakësojë eksportet e saj, sepse me to i dëmton vendet e tjera, kjo është pikëpamja e delegacionit të SHBA. Këtë pikëpamje, kancelarja Angela Merkel e kishte hedhur poshtë që në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës.

Kryetari i Komisionit të BE, Jose Manuel Barroso

Kryetari i Komisionit të BE, Jose Manuel Barroso

Për shumë çështje ekziston dakordim thuajse i plotë, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jose Barroso. Në mbrojtjen e klimës dhe të ambjentit, në shkëmbimin shkencore dhe ekonomike dhe në çështjet e rëndësishme tregtare mbizotëron harmoni. Jose Barroso:

"Besoj se kemi një potencial të madh për teknologjinë e ambjentit, për kërkimet shkencore për të ardhmen, dhe për shumë fusha të tjera, në të cilat SHBA dhe BE mund të përfitojnë nga njëra-tjetra."

Ndihma për zhvillimin do të koordinohet

Në konferencën botërore të klimës, që pritet të mbahet në Cancun, evropianët duan të ndjekin megjithatë synime më ambicioze se sa SHBA. Përsa i përket mbrojtjes së klimës, Obama aktualisht frenon për arsye të brendshme politike. Presidenti i SHBA u përpoq ta kundërshtonte përshtypjen, se ai ka për Evropën më pak interes se sa paraardhësi i tij në post. Përpjekja e parë për t'u takuar në maj nuk u realizua vërtet për shkak të kalendarit të takimeve, betohen diplomatët e SHBA. Ndihma për zhvillimin që ofrojnë të dyja palët, do të koordinohet më mirë në të ardhmen dhe do të lirohet nga strukturat dubluese, bëri të ditur presidenti i SHBA, Barak Obama:

"Së bashku ne jemi burimi kryesor për ndihmën në zhvillim, prandaj ramë dakord që ta koordinojmë më mirë këtë ndihmë. Ne duam ta ndajmë punën dhe të shmangim dublimet."

Në luftimin e terrorizmit, SHBA dhe BE bashkëpunojnë ngushtë. SHBA e kanë të vështirë të kuptojnë megjithatë rregullat për ruajtjen e të dhënave personale të evropianëve, kur vjen fjala për këmbimin e të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Siguria e brendshme do të mbetet një pikërëndesë e bashkëpunimit, aq më tepër pas kërcënimeve të fundit terroriste në Evropë.

Autor: Bernd Riegert/Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani